Republika e Kosovës feston këtë vit 16-vjetorin e pavarësisë, një akt historik që më 17 shkurt të 2008-s kurorëzoi përpjekjet e vendit për liri dhe sovranitet.
Me këtë rast, qeveria e Kosovës ka zbuluar programin që do të shënojë këtë përvjetor dhe moton kryesore: “Kosovë, ne të dalim zot!”
Nuancat e qiellit që tregojnë paqen me të verdhën në mes që përcakton kufijtë e shtetit të Kosovës shpërfaqen në logon e re, të stampuar edhe në faqen zyrtare të qeverisë.
Sivjet, programi nis nga data 14 shkurt me përurimin e librit nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi”. Ceremonitë dhe homazhet kulmojnë në ditën e madhe më 17 shkurt, por aktivitetet janë planifikuar të vijojnë deri në nëntor gjatë javës kulturore.