Në vitin 1967, kur unë nisa detyrën e ushtarakut në Baterinë e Lartësisë së Top-Obuzave 152 mm, në malin e Postenanit, Çelo Boraj kryente detyrën e Shefit Operativ në shtabin e Korpusit të Gjirokastrës, ku inkuadrohej nënreparti im. Diferenca në moshë dhe për më tepër në detyrën funksionale, nuk krijonin rrethana që unë, një kuadër i shkallës së parë, të kisha shoqëri të drejtpërdrejtë me Çelo Borajn, i cili, shumë shpejt do të bëhej Shef i Shtabit të Korpusit të Gjirokastrës, e disa vite më vonë do të merrte detyrën e Komandantit të Korpusit të Pukës, për ta mbyllur karrierën si komandant i Divizionit “Bajram Curri” të Tropojës. Pothuaj në të njëjtën kohë, që ai kishte mbërritur në Pukë, unë me kërkesën time, u transferova në Br9K të Divizionit të Shkodrës, çka m’i ndërpreu komunikimet me shumicën e shokëve e miqve që njihja. Ndonëse nga kjo kohë kaluan rreth katër dekada, unë nuk e kisha harruar Komandant Çelo Borajn, sepse vartësit nuk i harrojnë eprorët. Kisha ndjekur me admirim karrierën e tij nga Gjirokastra, në Pukë e mandej në Tropojë, por nuk tentova ta kërkoja në telefon, edhe kur më paraqitej mundësia. Kishin kaluar gjithë ato vite, dhe mendoja se edhe sikur ta kisha patur shok të ngushtë, të moshës dhe të shkallës funksionale, tashmë vitet e shumta kishin bërë të tyren, duke i shtyrë kujtimet drejt harresës. Sikur të mos mjaftonin problemet e transferimit e të stabilizimit të familjes, ja ku vijnë edhe trazirat e vitit 1990, që sollën përmbysjen e madhe politike, e cila u shoqërua me ngjarje dramatike për popullin dhe veçanërisht për ushtrinë. Nga e gjithë kjo situatë, por edhe nga largësia gjeografike ku ndodheshim, me shumicën e shokëve që kisha në Përmet, u vështirësuan, e me disa edhe u prenë komunikimet, qoftë edhe me telefonata. Kjo “firo” në komunikimet me shokët e viteve të para të shërbimit, po vërtetonte atë shprehjen e popullit që thotë: “Larg syve, larg zemrës”! Kështu vijoi kjo histori, gjer në vitin 2020, kur në një ditë të zakonshme, një telefonatë, të cilën nuk e prisja, më ktheu rreth 40 vjet pas në kohë. Në mikrofonin e celularit, dëgjova emrin “Çelo Bora”!
-Urdhëro komandant Çelo Bora, – iu përgjigja thirrjes së tij, – Gjon Bruçi jam, – shtova me ndrojtje, duke menduar se mos ka ngatërruar numrin e telefonit.
-Po ku je more artist, u bë shumë kohë pa u takuar . . . Si jeni, si i ke nga shtëpia?
-Më mbani mend, Komandant? – pyeta unë me njëfarë pasigurie.
-Po si ore nuk të mbakam mend?! Si mund ta harroja mirditorin e zgjuar, që e kishim komandant të nënrepartit të dislokuar në pikën më të vështirë të njësisë sonë. Por jo vetëm kjo. Edhe në vitet e tjera kur zbrite në Përmet, unë të kam ndjekur me simpati për përkushtimin në punë, por edhe për aktivitetet artistike që organizoje në njësinë ku shërbeje, apo për shkrimet e goditura në organet e shtypit ushtarak, e sidomos në Revistën “Hosteni”, që ti e preferoje shumë… Duke dëgjuar këtë “Ci-vi” telegrafike nga eprori im, u përkëdhela në sedër, por mbi të gjitha u befasova me kujtesën e tij, dhe sidomos me thjeshtësinë e komunikimit. Komandant Çelo Boro, kishte kaluar në gjithë ato detyra të larta të ushtrisë, nga jugu në veri të vendit; kishte debatuar për probleme të rëndësishme të punës me vartësit, me kolegët dhe gjer në Ministrinë e Mbrojtjes, duke ndarë me ta sukseset që nuk mungonin, por edhe shqetësimet që i shoqëronin këto suksese. E megjithatë, në biseda e në marrëdhënie shoqërore me kolegët dhe vartësit e tij, gjer tek ushtari i thjeshtë, kishte mbetur po ai që kisha njohur në ditët e para të karrierës, kur komandant Çelo, në krye të një ekipi nga shtabi i Korpusit, erdhi për kontroll në baterinë ku sapo isha emëruar. Them “kontroll”, por realisht ai ishte më shumë një njohje me ne kuadrot e rinj, që drejtuesi i ekipit, e realizoj tepër shoqërisht, duke kapërcyer mbi protokollin zyrtar. Dhe kështu, nëpërmjet një bashkëbisedimi të ngrohtë, i realizonte ai kontrollet për punën me vartësit e tij. Sidomos me ne kuadrot e rinj, që duhet thënë se takime të tilla ishin plot me emocione, pozitiviteti i të cilave varej nga ai që kontrollonte. Në përfundim të atij kontrolli, Çelo Bora, iu bashkua disa shokëve nga Labëria, të cilët, siç e dimë të gjithë, kur bëhen tre vetë bashkë, ia nisin “isos labe”. Unë mirditori u afrova dhe tentova ta ndjek këngën labe, që ende nuk e kisha “përtypur” si duhet.
-Ne e kemi pa çifteli, dhe ti si mirditor e ke pak të vështirë të na ndjekësh, – më foli shef Çelo, duke qeshur dhe më ftoi t’i shkoja pranë.
-Por do ta mësoj, të paktën ison, – ia ktheva unë.
-Po, jam i sigurtë, përderisa këtu ke Shuko Alushin, labin nga Sevasteri i Vlorës, – vulosi shefi. Muhabeti i shtruar, shoqëruar me këngën labe, na çliroi plotësisht nga tendosja që të imponon kontrolli i eprorëve. Gjatë gjithë karrierës sime 30 vjeçare në ushtri, kam patur dhe ushqyer pikëpamjen, se detyrat realizoheshin shumë më mirë, kur midis kuadrove, ekzistonte një respekt e shoqëri reciproke, pavarësisht nga pozicioni i përgjegjësive dhe i gradave. Që një detyrë në fushën e stërvitjes e të përgatitjes luftarake të realizohet me sukses, nuk mjafton vetëm “urdhëri” dhe “komandat e sakta e me zë të lartë”. Ato vërtet duhet të jenë të tilla, sepse i kërkon rregulli ushtarak, i kërkon stërvitja, i kërkon situata luftarake. Por edhe në luftë të vërtetë, detyrat, komandat dhe urdhrat, mund e duhet të transmetohen me frymë të thellë shoqërore e vëllazërore, çka me siguri japin një “produkt” shumë më rezultativ. Dhe ky, nuk ishte vetëm koncepti im, por i pjesës dërmuese të kuadrove të Ushtrisë sonë Popullore. Jo më kot ajo quhej dhe ishte “Ushtri e Popullit Ushtar”! Çelo Bora, ishte njëri nga këta komandantë, për të cilët unë bëj fjalë në këtë shënim modest. Gjatë 17 viteve që shërbeva në repartet e Përmetit, pata mjaft raste të takohem me Komandant Çelo Borën, si kur ishte në degën Operative, ashtu dhe kur mori detyrën e Shefit të Shtabit të Korpusit. Në të gjitha këto takime, që ishin takime pune, stërvitje e gatishmërie, ai kohën më të madhe e konsumonte me kuadrot e rinj dhe sidomos me ata të trupës. Kurrë nuk e dëgjuam të ngrinte zërin, edhe në rastet kur konstatonte mangësi, apo mungesë përkushtimi për detyrat. Ai të godiste me një buzëqeshje të lehtë, shoqëruar edhe me ndonjë batutë therëse, që neutralizonte çdo justifikim, apo kundërshtim të ne vartësve. Në ato takime pune e kontrolli, kurrë nuk e pamë të “mbështjellur me pelerinën” e autoritetit të shefit apo komandantit madhor, por vetëm me thjeshtësinë e çiltërsinë e shokut të armëve, e të llogores së përbashkët. Dhe kjo ndodhte jo vetëm në marrëdhëniet e punës, por edhe në aktivitetet e tjera, artistike e sportive, që ishin pjesë e përgatijes politike e luftarake. Në një konkurim të estradave amatore të njësive, Br14K e Përmetit, zuri vendin e parë midis njësive të tjera në Korpusit. “Regjisor” dhe “aktor” i kësaj trupe, isha unë mirditori dhe kuadri artiler i njësisë konkuruese. Komandant Çelo Bora, që kishte ndjekur shfaqjen, nuk u mjaftua me duartrokitjet, por në mbyllje erdhi e më përqafoj, duke më uruar me fjalët: “Ti qenke jo vetëm artiler i mirë, por edhe një artist. Të lumtë!” Ndoshta, edhe kjo pjesë e veprimtarisë time, ka ndikuar që ai të më ruajë në kujtesë., edhe pse patëm një shkëputje prej katër dekadash. Ndaj sapo kishte lexuar disa shkrime të miat në shtypin e ditës, kishte gjetur numrin e telefonit, dhe më thirri. Thirrje, që mua, siç cilësova në krye të këtyre shënimeve, më ktheu plot 40 vjet pas në kohë. Telefonatat midis nesh, tashmë janë bërë të zakonshme. Sa herë komunikoj me Komandant Çelo Borën, ndjej krenari, dhe nuk mungoj t’jua tregoj shokëve të tavolinës ku pi kafen e mëngjesit. Nuk është gjë e vogël për çdo ish ushtarak, kur ka në listën e shoqërisë e të miqësisë së vjetër, një personalitet, që ka shërbyer në strukturat e larta të ushtrisë. Një shoqëri që u ngjiz jashtë çdo interesi personal. Dhe kjo, falë karakterit të veçantë të komandantit, Çelo Boraj. Pikërisht, për të treguar se kam qenë dikushi, dhe kam patur e kam një shok të rëndësishëm, hodha në letër këto shënime të thjeshta, me shpresën se ato do të mund të gjejnë një vend në librin e kujtimeve që, Komandat Çelo Bora, po shkruan për jetën dhe veprimtarinë e tij shembullore në radhët e ushtrisë Popullore, dhe në drejtimin me sukses të strukturave të larta të saj.