Kishte kohë pa i shkuar ”rrugicës së shpresës”. Si nga grykë e një tuneli u lëshua zëri i atropolantëve montuar, diku nga thellësia dhe që bëri të tronditeshin trekëmbëshat në duart e policëve për të ndaluar qarkullimin e makinave. Në çast lëshova një mbushje a thua se më bllokoi frymëmarrjen zëri i buçkaritur, të cilit nuk i ndaheshin pasthirrmat.
– Ç’legjendë mund t’i thuash kësaj !?
– Pyet banorët !?
– T’i thuan derrit dajë, janë bërë.
– Demokraci…
-”100 petritat ”, e ”rrugicës së shpresës ”, që për çdo natë qëndrojnë poshtë dritares së ”non gratës” së rithemelimit për t’i hequr lakun vendosur nga SHBA-ja, Anglia, duke u lodhur së dëgjuari për korrupsionin; Velaj, Rama dhe ndershmërinë e tij. Doktori i tretë, kujton se është Enveri i parë që me 200 komunistë lule, hapi historinë e kuqe… Komunisti i viteve 90, luajti me kartën e antikomunist pas 90…. Regjimi 50 vjeçar ia kishte sjellë shpirtin në majë të hundës popullit që ziente nga revolta e brendshme, ndaj dhe ndezi, ai që artikulonte më mirë…Po sot vallë e gënjen dot me kartën e antikorrupsionit, mbasi ka fundosur Shqipërinë në një hajdutëri hajnash të pa parë e dëgjuar në botë!? Doktori i parë komunist i shërbeu me përulësi si gjithë mjekët, profesionit të nderuar të kirurgut, i dyti luajti me kartën e antikomunizmit, i treti mbetur me 100 petrita që lëvizin nga rrugica e shpresës” tek protesta para bashkisë, duke u lodhur së kërkuari largimin e kryebashkiakut Veliaj, harojnë se ata nuk janë dyqind komunistët e” Shtëpisë së vogël tiranase” që firmosën aktin më sublim të historisë së kombit tonë ; atë të çlirimit dhe mbrojtjes së vendit pavarësisht rrugës së ndjekur në 50 vite, ata bënë historinë e kohës, sepse u flijuan për çlirim, ndërsa një qindshat e ”rrugicës së shpresës” sakrifikohen për shpëtimin nga arresti shtëpiak të kryetarit të tyre i vendosur nga gjykata. E shumta që mundën të bëjnë 100 petritat të martën e protestën para bashkisë, ishte t’i vinte prangat një protestuesi nga Këlliçi i cili si nuk fitoi dot me votë, gjen ngushëllim tek figurat e stilistikës,ku simbolika i gjendet më afër realizimit të ”ëndrrës në diell”; arrestimit të kryebashkiakut, duke i dhënë vetes atributet e një prokurori nga ata të doktorit të dytë….Mos o zot, në ç’politika politikanësh na ke lënë ! Ç’demokratë petrita !? Me Salianët, Bardhët ata të cilët nga foltoret e takimit me demokratë të Durrësit e Kuksit, përpiqen të injorojnë dhe takimin në Athinë të kryeministrit me shqiptarët emigrantë, kur 82 përqind e shqiptarëve vlerësojnë pozitivisht mesazhet e përcjella në zemër të vendit fqinj, vetëm këta dy lidera dhe 12 përqindëshi tjetër hedhin baltë duke arritur deri aty sa edhe kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare, opozitarët e mëdhenj bëjnë opozitë…. Jo tani në dritaren e kryetarit të rithemelimit sheh edhe fytyrën e ish eurodeputetit gjermanë, i cili festimin e ditëlindjes së tij vjen dhe e bën tek shtëpia e kryetarit në mbështetje të tij dhe për t’i dhënë zemër ”petritave” që si qengja të urtë presin t’i mëkojë gjermani. Nuk e di, në se ka ndonjë gjë që i bashkon me ekstremistët e djathtë të cilët janë shpërndarë gjitha andej në kërkim të fitores në zgjedhjet për eurodeputet të 9 qershorit, duke mbetur fanatikë të nazizmit !? Nga dritarja e ”shtëpisë së arrestit ”, i qan zemra për korrupsionin e Ramës e të Erjon Veliajt, kur vetë është me arrest shtëpiak i shpallur non grada nga vendet më demokratike në botë për korrupsion. Doktori i tretë përpiqet të mbulohet pas kartës së antikorrupsionit, me mjete e forma komuniste edhe pse hiqet si demokrat mbi demokratët. Mjetet e zgjedhura të përdorë në këtë të ashtuquajturën demokraci, kanë mbajtur peng demokracinë shqiptare në përdorimin e dhunës verbale, por edhe protestave të bombave me molotov, pa lejuar demokracinë të eci; në funksionimin e pavarur të katër pushteteve. Tani zgjedh dritaren për t’u bërë thirrje 100 petritave për rrëzim e qeverisë e krijimin e qeverisë teknike. Kapet si i mbyturi pas fijes së barit. Mesa duket bunkeri, ku është mbyllur nuk e lejon të shohë se edhe nëpër protestën e përsëritur para bashkisë janë 100 petritat që bëjnë monolog me policinë, të tjerët qytetarët të Tiranës ua kanë pirë lëngun protestave. Ka 34 vjet u kanë mbajtur hiso korrupsionit të pushtetarëve. Tani që po i shtrëngon këpuca e korrupsionit nga SPAKU, përpiqen me njëqind ”petrita”, të hedhin në erë reformën në drejtësi. I gënjen mëndja, mendjet që kanë luajtur me këtë popull si macja me miun, kujtojnë se do t’ja hedhin lumit pa u lagur nga drejtësia, – nuk kishte të mbaruar njeriut që i kishte vajtur shpirti në majë të hundës me njëqind ”petritat” e mbirë ne dera e pallatit. Ndërkohë sytë e mij ishin qepur mbas atij ledhi i ngritur në mes të rrugicës si një varr faraoni, po ata s’ishin faraonë, po qenie që qëndronin me sytë nga ai grusht qiell ku patinonte, koka e njeriut i cili u kishte thirrur, ato fytyra të qëndronin me krye përpjetë, me shpresën se një ditë, do të kapnin majat, nga të cilat ishin rrokullisur nga vota e popullit për prapësitë e korrupsionit, të cilin SPAKU nuk di ngaj t’ja fillojë më parë. Mirë që qëlloi presidenti i PL -së i cili i thirrur nga SPAKU, në dalje të ndërtesës në intervistë me gazetarët nuk ndalte keqardhjen që ndjente për dosjet e bëra mullar, për ashensorin e prishur, sa për suvatimet nga jashtë, u bëri thirrje anëtarësisë për të vënë dorën ne zemër për t’i dhënë një furçë boje. Ishte gjendja e rënduar e ndërtesës së SPAKUT apo mafiozët e cilësuar sipas tij ; Agaçi, Rama, Dumani, që kishin vjedhur zyrën për t’i rrëmbyer vulën e PL-së që i kishte futur datën për t’i shkuar në mbrëmje dritares së doktorit të tretë, për të marrë avdesë për revolucionet që e presin deri në përmbysjen e qeverisë, dhe krijimin e qeverisë teknike të doktorit të tretë, me të njëqind petrita !? Një zot e di. E vërteta e madhe është se doktorit të tretë, karta e korrupsionit e tundur në dritare, kur vetë është në arrest, dyshuar për korrupsion, nuk po i funksionon sepse ata që mbështetin ka muaj me radhë, janë vetëm njëqind ”petrita ”. Populli mban sytë nga drejtësia e reformuar, si e vetëm mundësi për t’i dhënë jetë demokracisë së marrë peng.