Ditën që Sali Berishës, ish-shefit të opozitës "anti-korrupsion" të pas pushtetit të piramidave “Sude” të viteve 1992-1997, i dorëzuan pushtetin e dytë, ai trumbetoi fuqishëm parullën e tij përballë shqiptarëve e ndërkombëtarëve, se do të ofronte një "qeverisje me duar të pastra". Shqiptarët e "hëngrën" përsëri në vitin 2005 këtë broçkull të “piramidalistit” dhe demagogut “esnaf” Sali Berisha, ashtu siç kanë "ngrënë" shumë të tilla, që nga kthimi i pronave, dëmshpërblimi i të përndjekurve, kompensimi i ish-pronarëve, legalizimet, nafta për fermerët, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e çështjes kombëtare, strehimi, biznesi me kreditime e taksa lehtësuese. Mirëpo në vitin 2005, sa nisi qeverisjen e “duarve të pastra”, Sali Berisha iu rikthye praktikës së korrupsionit e krimeve ekonomike, të “modelit” të viteve 1992-1997, nën parullën mashtruese: "Me ne, fitojnë të gjithë”. Por, që në fakt këto 8 vite treguan se fituan vetëm ata, konkretisht familja “Berisha”, fisi “Berisha”, ministrat, “byroja politike” e PD, mercenarët dhe ortakët e pushtetit “Berisha” brenda dhe jashtë vendit, nga Serbia deri në Azerbajxhan, Libi, Tunizi, Egjipt, Siri e Austri. Natyrisht, fituan veçse jo me “duar të pastra”, por me korrupsion të shfrenuar, me trafiqe e krime njerëzore, me “rezidencë” familjen dhe kupolën qeveritare të Berishës, me shërbëtorë ministrat, deputetët, ortakët dhe “menaxherët” ndërkombëtarë mafioz të pushtetit të tij. Kjo tashmë është prezent edhe pse “Tano Karidi” i pushtetit 8 vjeçar të PD, të cilit i kanë mbetur edhe aq ditë mandat, sa një Fletë Kampi e kohës së ish-Bashkimeve Profesionale (15 ditë), po tenton të qëndroj në pushtet, kur dihet që është “kartë e djegur” jo vetëm si kryeministër, por edhe si ish-president republike, edhe si qytetarë ish-spiun sigurimi, edhe si intelektual ish sekretar i PPSH, edhe si shërbëtor i varkave e oturakëve të bllokistëve të diktaturës komuniste. Tashmë kemi një pushtet me 10, 15, 20, 30 “agallarë” të kamur financiarisht e të kapur ligjërisht në krime ekonomike e njerëzore. Kemi një kryeministër me familje mafioze që ka futur në kthetra pushtetin, shtetin, drejtësinë, pasuritë e financat kombëtare, mediat e madje dhe kufijtë shtetëror të Shqipërisë, të cilët i përdor si t’i ketë lënë trashëgim baba e gjyshi Ram Berisha! Kështu janë pasuruara dhe ministrat, deputetët servilë e krejt shërbëtorët e pushtet-familjes kryeministrore “Berisha”. Nëse vështrojmë deklarimet e tyre zyrtare të pasurive, nga dita e parë e ardhjes në pushtet në vitin 2005 e deri tani që janë mbushur 8 vjet në pushtet, konstatohet se ish-varfanjakët e PD, tashmë janë bërë zengjinët e pushtetit.
Ashtu si të gjithë dosjet e krimit ekonomik e njerëzor, që mbyllen pa u hapur fare, dhe dosjet e pasurive të zyrtarëve e të politikanëve të kupolës së PD, kanë 8 vite vjet që shoqërohen me demagogji e falsitet, me mashtrime dhe fshehje të pasurive e llogarive bankare. “Byroja politike” e PD dhe familja kryeministrore “Berisha” jetojnë në luks. Po kështu, në luks e “orgji” jetojnë dhe deputetë, ministra, politikanë, drejtorë të lartë doganash, arsimi, rrugësh, tenderësh, bordesh, kompanish e agjensish shtetërore, të cilët kanë siguruar përfitime financiare nga ”100 burime” legale e ilegale, kriminale e korruptive. Ata kanë përsëri pas 8 vitesh në fushatë elektorale për të kërkuar e zhvatur vota.
Paçka se përbetohen për “hallet” e popullit, ata i kërkojnë votat vetëm për të mbrojtur llogaritë bankare që kanë krijuar, pronat e patundshme që kanë grabitur nëpërmjet fuqisë së pushtetit. Kjo klikë qeveritare që do të na drejtoj edhe 15 ditë deri në 23 qershor 2013, ka shumë pasuri, të cilat i kanë vendosur me korrupsion. Madje kanë aq shumë, sa ua kalojnë edhe sheikëve të botës. Po si i kanë vendosur këto pasuri Natyrisht jo me ”kazmë” e ”lopatë”, as me bordero e honorare si “profesorë me master”. Nëse i referohesh vitit 1992, kur shumica e tyre janë futur në politikë, rezulton se kanë qenë me çorape pambuku 55 lekëshe, me këpucë 700 lekëshe, me xhaketa kanavace, me golf leshi dhie e pantallona doku 280 lekësh, me shtëpi dhomë e kuzhinë, me banim në dhoma konviktesh e anekse magazinash në lagjet periferike të Tiranës, apo të rretheve. Vetëm pas 1, 2, 3 e 20 vjet pushtet dhe pjesëmarrje në politikë, ata rezultojnë të jenë miliarderë, me makina luksoze dhe për dashnoret, me vila verore e dimërore, me troje dhjetëra hektarësh, me shtëpi luksoze në qendër të kryeqytetit më fshatra turistikë nga veriu në jug. Rezultojnë me firma ndërtimi, me biznese të fuqishme e deri me qenë, të cilëve u kanë siguruar dhe dhoma gjumi, dado, mjekë ”familjeje”, madje edhe punonjës zbavitjeje. Kanë mbetur edhe 15 ditë… në 23 qershor 2013, shqiptarët shkëputen nga krimi 23 vjeçar i xhahilëve të tranzicionit shqiptar “legjendë”, të nisur në vitin 1990. Nga: Përparim Halili