Nga Bardhyl ERMINI Në një prej të përditshmeve të Tiranës, politikani me famë botërore, me origjinë shqiptare e shtetësi franko-anglezo-mallakastriote, dojçi Kaç Von Islam i ka larë përfundimisht hesapet me Internacionalen Socialiste. Me sa duket, pas konsultës së rradhës me ajkën e grupit liberal të socialdemokratëve të lagjes “kuçi, kaçi e maçi”, ka bërë zbulime të papara lidhur me “bashkëjetesën e Ramës me Papandreun dhe Ajalën”. Ky fizikant i doktoruar për zv.doktor ka zbuluar me thellësinë që e karakterizon se Internacionalja Socialiste (I.S.) ka marrë një goditje fatale nga partitë socialdemokrate europiane. Për çudinë e tij dhe të zotit Ver Llapa (kryetarit të socialdemokratëve të kryqëzimit të “21 Dhjetorit”), Edi Rama ende na ruajtka bashkëjetesën me despotët Papandreu dhe Ajala, ndërkohë që duhet të distancohej prej tyre e të aderonte në simotrën tjetër të saj Aleancën Progresive, themeluar në … 22 maj të vitit 2013 … pra pak ditë më parë, apo rreth 60 vjet pas lindjes të këtij pararendësi të zhvillimit të njerëzimit. Kjo Internacionale që na e paska themeluar Frederik Engelsi në vitin 1889, është kthyer në një çerdhe ku na paskan vegjetuar figura të tilla si Husni Mubaraku, apo Ben Ali i Tunizisë. Më e tmerrshme është ajo që, kjo strofull ujqërish, i ka bërë respekt shokut Lorent Gabo të Bregut të Fildishtë, vend ky me të cilin populli ynë është i lidhur me një miqësi më shumë se dy mijë vjet, kohë kur varkat e ilirëve kishin një treg të fuqishëm në këtë vend, ku fildishi ende vazhdon e varet nëpër pemë.
Nëpërmjet një pamjeje rrënqethëse, hulumtuesi ynë grandioz zbulon tre definicione, para të cilave tre ligjet e Njutonit nuk janë asgjë përveçse një shakaje të rëndomtë:
i) Me kryetarin e I.S. zotin Papandreu askush nuk dëshiron të dalë në foto në krah të tij;
ii) Posti i Sekretarit të Përgjithshëm qysh prej 24 vjetësh na u mbajtka nga Kiliani “i palëvizshëm” Luis Ajala, i cili sipas tij, qenka zgjedhur përmes manipulimit;
iii) Ky, së bashku me kryetarin kanë keqpërdorur fondet e organizatës. Me këtë zbulim, të cilit shumë shpejt Komisioni i posaçëm shkencor në Bernë të Zvicrës, do t’i jap patentën e nivelit të Ajnshtajnit, bëhet i mundur shpjegimi i mjaft fenomeneve, duke filluar nga ajo që po ndodh në akullnajat e Polit të veriut e deri në përfitimin e çelësit të zbulimit akoma më zulmëmadh të lidhjes së leshit me Parlamentin albanez, paralelogrami i forcave përbërëse të së cilit mund të krijojë një disekuilibër të papërballueshëm në galaktikën e Kashtës të Kumtrit.
Mendoj se për këtë fotografim radioaktiv që i është bërë forcave opozitare në vendin tonë në raport me I. S, e për këtë kapërcim në mënyrën e të menduarit të “homo sapiensit”, Bashkia e Tiranës mund ta përkuli pak nga sipër bishtin e kalit të Skëndërbeut e në hapsirën që krijohet, do t’i bëjë nder vetes e krejt forcave përparimtare të kabave me çifteli, nëse vendos aty bustin e këtij gjigandi me këmbët gjithë tru. Gjithçka që thuhet jashtë këtyre tezave historike, është vetëm një shpifje “e palëvizshme”. Mendime të tilla si:
i) Se Internacionalja Socialiste e sotme është themeluar në vitin 1951;
ii) Se në janar të vitit 2011 nga ky organizim janë përjashtuar si partia tuniziane e Ben Alisë, ashtu edhe ajo e Mubarakut;
iii) Të gjitha partitë europiane të majta vazhdojnë e aderojnë në I.S;
iiii) Çdo vendim që merret nga ana e kësaj organizate merret me vendim mbi 2/3 të votave të rreth 170 anëtarëve, e jo nga përgjegjësit, ashtu siç mund të bëjë vaki në ndonjë vend, andej diku… nga shteti i Mujit;
iiiii) iiiiiiii…i, nuk janë asgjë tjetër vetëm se lajthitje të I.S. për llogari të “eksponencialit” të saj zotit Rama. Kësaj Internacionale, pas këtij momenti, nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të shpalli shpërndarjen e saj. Me ndjenjën e inatit të derrit e me thirrjen luftarake “yp Xhixhi Kaç”, ajo tashmë duhet të shikojë nga e ardhmja, nga rrugët e Neë Tiranës, afër pallatit me shigjeta, nga ku projektohet e ardhmja e rendit botëror. “Bashkëjetesës” së Papandreut e Ajalës me nënkryetarin Rama, si i piketuar për kryetar të I.S. të simotrave afrikane e aziatike, që kanë hapur radhët e tyre për të gjitha llojet e kafshëve e shpendëve të brezit të ekuatorit, i duhet thënë një herë e mirë ndal, në emër të unitetit parti mbi popull, qeveri pa popull, dajak për popull dhe i ziu ti o popull.
Në vend të përfundimit…
Pas këtij rrugëtimi shembullor teorik, është fare e thjeshtë që të kuptohet se përse ndërkohë që I.S. është “abandonuar”, në të ka mbetur vetëm Edi Rama i cili ka preferuar ta lërë Partinë Socialiste anëtare të saj. Ai na qenka i lidhur përfundimisht pas qerres së Papandreut dhe Ajales, e si i tillë është krejtësisht i interesuar të qëndrojë pranë kolegëve të vet afrikan e aziatik, duke u detyruar herë herë të lyhet me bojë të zezë e të vari në vesh vëthin e Otellos, dhe herë herë të tërheqë vetullat e të veshë fustanellën e madam Baterflait, bashkë me paruken e me shtizat e tij të preferuara me helm në majë të kokës. Funksioni i tij si nënkryetar, nuk mbyllet me kaq. Nëse në I.S. do të futet, ashtu siç parashikohet, edhe partia si motër e Perusë, ai e ka për detyrë të vishet e të pajiset me gjithçka që karakterizon traditën e popullit maja, pa harruar atë kallamin karakteristik.
E pra, a ka gjë me të thjeshtë për të kuptuar përsenë e ardhjes të Ajalës në Tiranë? Ardhja e këtij kiliani “të palëvizshëm” në trevat tona dhe propaganda që ai bën për të na treguar se kundër dhe pro kujt duhet të votojmë në 23 qershor, tashmë është krejt e dukshme. E keqja është se kjo propagandë ka vite që bëhet, shumë më parë se të dalë në skenë ky gjigand i fjalës. Megjithë përpjekjen herkuliane, që bën ky karafil me erë…, e keqja është kryer, era ka dalë. Në 23 qershor Edi Rama fiton dhe bashkë me të I.S. fillon të zbatojë një fazë të re manipulimi e uzurpimi, në vendin e shqipeve, në kështjellën e pamposhtur të bllokmenëve të rinj buzë Adriatikut mavi.
Përfundim…
Në letërkëmbimin që autori i këtyre rradhëve, pati fatin të ketë me zotin Sigmar Gabriel, kryetar i PSD Gjermane, mori disa rekomandime në formën e porosive, të botuara në gazetën “Kaç-i-zi-maine zaitung”, te cilat po i kaloj drejtpërsëdrejti:
i) Të mbahet mirë parasysh postulati i social demokracisë, se dalja në fotografi me Papandreun përbën një krim të pashembullt ndaj njerëzimit e si e tillë, ai që do ta marri këtë guxim do të dënohet me zhytje të kokës në një fuçi të mbushur plot me uzo;
ii) Eksperienca e përfituar nga Tirana albaneze. Korifeu i social demokracisë herr Kaç Von Islam, përjashtuar nga partia e vet me pretekstin fals që lidhet me mendjen e trupin e shkurtër, u fut në grupin kundërshtar, duke krijuar aty një kaos, apo me termat e parlamentarizmit Shqiptar një gjendje lesh arapi, e cila siguron plotësisht premisat për humbjen fatale të zgjedhjeve nga ana e këtij grupi, i cili sipas njoftimeve të kahershme, për simbol ka një kafke të thyer;
iii) Pas fitores së Edi Ramës, herr Islami të bëjë ç’është e mundur që të përjashtohet nga grupi politik humbës, me pretekstin e çrregullimeve yjore në konstelacionin e Derrit, e të rifutet përsëri në Partinë Socialiste, për të bërë naftën e nevojshme në këtë parti e në krejt vendin, që e ka për fat këtë peshqesh.