Nga Mihal KALIA Shpërthimi i revoltës popullore për transformime demokratike, u administrua në mënyrë të tillë që vrulli i stuhisë të përfshinte edhe varre e monumente që, po të mos i shkonin kohës, ajo vetë i rrafshonte, pa qenë nevoja e shpenzimit të forcave e energjive, të cilat u duheshin angazhimeve të mëdha për transformime të reja, imazh, që u përpoqën ta krijonin duke shkatërruar apo lënë të asfiksohej gjithçka që mbante në themelet e veta mundin dhe djersën e popullit. Fillimi i ri, i cili konsistonte në mohimin e këtij kontributi dhe ngritjen mbi të të frymës spekuluese e sunduese, i ktheu shigjetat në drejtimin nga u nisën, duke i befasuar dhe trishtuar të dëshpëruarit. Puna dhe vepra e njerëzve janë themele për vazhdimësinë. E reja kërkohet te mënyra e organizimit dhe drejtimit të popullit dhe shtetit, jo vetëm duke i ndryshuar përcaktorin nga komunist në demokrat e të ruhet e njëjta mendësi e realitetit “të mohuar”, por me një tjetër pohim, i cili në formulimin dhe veprimin e vet përmban fjalën dhe veprimtarin popull, sepse është pikërisht ai që kërkon dhe realizon ndryshimin dhe shmang prej saj mbartësit e mendësisë dështake. Prania e tyre dhe të qenit aktivë në jetën politiko-shoqërore, më tepër se sa domosdoshmëri, siç duan të shiten në ballafaqimet elektorale, është mashtrim dhe vullnet për pushtet, që u siguron mundësitë për përfitime personale e familjare. Do të ishte kjo e mjaftueshme për të kuptuar pandershmërinë e tyre, pa bërë fjalë më tej, që pushteti u duhej për ta luftuar e shkatërruar shtetin, për ta gërryer atë nga brenda, si molë, për të hapur kanalet e krimit e të korrupsionit, për të kuptuar pandashmërinë ndaj tyre, pangopësinë me përfitimet që japin dhe plagët që hapin.
Vitet në vazhdim ishin një thellim i mëtejshëm i hendekut që ndante politikën me ekonominë e vendit, edhe pse në thelb ishin rrjedhojë e njëra-tjetrës. Por, nëse politika po arrinte majat nëpër fjalime takimesh, konferencash e kongresesh, ekonomia prekej me dorë, ndjehej në vaktet e familjeve dhe stomakët e pjesëtarëve të saj. Sistemi po degjeneronte dhe vendi të kujtonte anijen mes detit, ku kushdo nga pasagjerët mund të vinte dorën në timon, pa ditur se nga ta rrotullojë atë, jo me dëshirën për të marrë komandën, por me shqetësimin dhe ankthin e rrezikut të përmbysjes së saj. Kthehej anija sa në njërën anë në tjetrën duke rrokullisur njerëzit, britmat e të cilëve i shuante hapësira e pafund, por jo rrallë edhe fundi i detit, i cili lozte me anijen si me një kupë sheqerkash, prej ku herë pas here merrte nga një kokërr të thyente njelmësinë e tij.
Me rënien e komunizmit, vëmendja u përqendrua në formimin e bindjes se me vendosjen e pluralizmit u instalua dhe demokracia në vendin tonë dhe secila palë tundte flamurin e demokracisë, duke denigruar kundërshtarët. U përhap epidemia e partive dhe u bë aq e dëshirueshme, sa u kthye nga sëmundje, në modë. E nisi copëzimin në partiçka PD-ja dhe e vazhduan me radhë partitë e tjera, pa përjashtuar edhe ato parti që mezi mbaheshin në këmbë. Të gjithë porositën nga një garuzhde dhe atë pak lëng që kish mbetur në kazan, e thanë për një kohë të shkurtër. Përplaseshin garuzhdet brenda kazanit, kush të rrëmbente më parë e sa më shumë, aq sa prej rrëmbimeve e tendosjeve, stërkalat përhapeshin, por nuk arrinin të binin në tokë, se tifozët, prapa të preferuarve të tyre, prisnin me lugët e veta, gjithmonë në gatishmëri të plotë. “Demokracia krijon mundësi të mëdha!”. Po, për kë? Për ata që “u rrëzuan”! Që të ngihen përsëri. Ata që ishin të rrëzuar, të poshtëruar, të munduar, të vuajtur e të harruar, le të rrinë rehat! Jo më të internuar, jo më të detyruar! Le ta kenë edhe ata një shoqatë. Janë të lirë, kanë të drejtë të kërkojnë, të protestojnë. Kjo është demokracia! Zgjedhje të lira. Dhe, i zgjedhur në demokraci, po ai i emëruar në diktaturë. U shpërbënë kooperativat bujqësore. Agronomët pa punë. Hedhur si mbeturina rrugëve. Demokracia “s’paska nevojë” për bujqësi. Kryetari?! Është bërë deputet. Demokracia qenka flori! Ku paskemi qenë! Rroga rrogë, dieta dietë, privilegji privilegj, imuniteti imunitet! Askush nuk të pengon. Oreksi oreks! Bën ca ndere, fiton ca lekë. Bën qedere. Përsëri lekë. Një shtëpi e re në Tiranë. Një vilë në fshat. Edhe në bregdet. Ngre një biznes. Ndërton pallate. – Një top llastiku nuk na blinin dot prindërit. Sot, një veturë për tim bir! Të shëtisë, të shijojë, të gëzojë, të… Jo! Më mirë me targën e deputetit. Merre! Shko nga fshati! Bëju të fala miqve. Pyeti për të mbjellat. Merr ca kërp. Na duhet për thasë e litarë. Ngjitet e zbret nga fshati vetura e deputetit. E nderojnë. Deputeti brenda. Deputet Kanabi! Rëndohet hapi. Mbushen thasët. “Çfarë mrekullie të punosh për popullin, për mirëqenien e tij! Sepse na ka zgjedhur, na ka besuar. Le të lagemi në shi, të përvëlohemi në diell, veç popullin ta lemë aty, në hije. Popull trim! Popull punëtor e novator! Ka nevojë shteti të rritet kapaciteti. Hajde, mjeshtër! Zbërtheji fashetat anësore të dyshemesë së trajlerit. Të heqim mbushjen me shkumë. Na duhet hapësira. Ligjet e Parlamentit! Blof! Futen aty pakot e presuara. Me dhjetra, me qindra… Mbylli, usta, siç ishin! Të lumtë! Merri këto lekë, të takojnë!”. Dhe rëndohet hapi. Shtohen thasët prej kërpi.
Njeri i ligjit! Betohet e përbetohet. Barrë e rëndë të zgjidhesh hallet. Të shikojnë në beben e syrit njerëzit. Të pikon në zemër. Elektorat i madh. Katër vjet janë pak. Edhe tetë nuk mjaftojnë. Nuk lihet puna përgjysmë. Prandaj, përsëri kandidat. Në fushatë! Fjalime. Premtime. Thatë. Fare thatë. Truri është zbrazur. Por, janë mbushu thasët. Në debat! I cekët! Qesh kundërshtari. Çuditet. Zotëri i nderuar, i thotë, çfarë deputeti je ti, që qoftë edhe një libër nuk ke shfletuar? Deputeti shfryn. Thotë me vete: – Ky qenka idiot! Nuk e njeh forcën e parasë. Përplasen kandidatët si qeni me derrin. Populli mendon. Kjo para nga doli? Trashëgim nga të parët? Dreqi e mori! Ne erdhëm të barabartë në varfëri. Të ndryshëm në babëzi! Mashtrim, grabitje, drogë, gjak! Kjo është shija së cilës i gëzohet deputeti. Atë erë dhe ngjyrë ka marrë dhe ai vetë. Stenda në cep të trotuarit, ku ekspozohet fotoja portret e deputetit, në përmasa reale, është goditur dhe thyer xhami. Copërat e qelqta rënë përtokë. Një pjesë, e mbetur në kornizë, tërësisht e ciflosur, gati për t’u shkëputur. Fotoja e shqyer, një pjesë e së cilës qëndron varur, sikur u lutet kalimtarëve ta shkëputin, se nuk e duron dot atë gjendje çjerrëse e grisëse, e cila ia ka ndarë më dysh gojën, për të mos mundur të mashtrojë dot më tej, si dhe lënë me njërin sy, që të mos mundë të shohë më nga lart, por, i detyruar tashmë të kuptojë më mirë qëndrimin dhe zemërimin e njerëzve, të cilët kalojnë dhe nuk ia hedhin sytë. Ptu!