Nga Viron BEZHANI Qeveria shqiptare, në mes të një fushate elektorale dhe të një kaosi që ka krijuar me paaftësinë e saj, ka nisur së fundmi të mendojë për “jetën” që do të bëjë pas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit. Dhe ka gjetur mekanizmin për ta arritur këtë, duke i hequr buxhetit të shtetit një prej burimeve të tij më të mëdha të të ardhurave, siç janë lojërat e fatit. Por si? Duke miratuar një ligj që lejon dhënien me koncesion të lojërave të fatit. Një gjë e paparë dhe dëgjuar, që një shtet jep me koncesion administratën shtetërore, një veprim apo shembull që nuk e gjen askund në botë. Qeveria, për sa i përket anës ligjore, ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit lojërat e fatit edhe mund të monitorohen. Por nuk e ka specifikuar një gjë të tillë, ndaj dhe sot abuzohet me këtë fakt, duke i bërë gjërat shpejt e shpejt. Madje vetë qeveria ngatërron termin koncesion me monitorim. Por kjo çështje ka edhe një anë morale e politike dhe kjo gjë është e turpshme, pasi kjo dhënie me koncesion bëhet 3 ditë para zgjedhjeve, ndaj ky vendim është i turpshëm. Një prej dështimeve të qeverisë në këtë fushë është koncesioni i lotarisë kombëtare, i cili për nga mënyra se si u realizua, kritereve që merrte në konsideratë, paragjykimit që e shoqëroi në çdo fazë ishte shumë i ngjashëm me këtë koncesion për të cilin po shkruaj. Rezultatet e lotarisë kombëtare, deri tani të paktën, janë shumë larg asaj çka pritet nga një ekskluzivitet i tillë, gjë e cila më bën ta shoh me të njëjtin skepticizëm edhe koncesionin e "fundit" të Bodes.
Si ish-punonjës i kësaj drejtorie nuk jam dakord për një gjë të tillë. Si mund ta japësh lojërat e fatit me koncesion, administratën shtetërore, një veprim që nuk e gjen në asnjë vend të botës? Kush i kontrollon dhe kush do të përgjigjet për këto lojëra fati? Kush do të përgjigjet për ecurinë e tyre, sepse personi që do të vijë t’i marrë me koncesion vjen për të bërë biznes, për të fituar vetë dhe nuk mundet të eliminojë punën në të zezë?
Në lojërat e fatit nuk funksionon termi i dhënies me koncesion, ndërkohë që qeveria është nisur ta bëjë këtë gjë për një qëllim të caktuar. Kjo ka të bëjë me mbulimin e anës negative të këtij shteti, që nuk ka arritur ta bëjë deri më sot: Menaxhimi i keq i lojërave të fatit. Pra, informaliteti në këtë fushë. Kjo qeveri bën sikur harron, sepse nuk është koncesioni zgjidhja e duhur për këtë çështje.
Në vitet 2009-2010, po të shihni raportet kur në drejtori ishte z. Avdi Mata, çdo gjë shkonte në mënyrë të shkëlqyer dhe kjo Drejtori arriti jo vetëm të rriste të ardhurat në buxhetin e shtetit nga 3 miliardë lekë në 4.8 miliardë ne muaj, por arriti thuajse të eliminojë plotësisht punën në të zezë. Pse ndodhi kjo? Sepse kjo ka të bëjë me njerëzit që e menaxhojnë dhe administrojnë këtë Drejtori dhe gatishmërinë e tyre për të luftuar këtë informalitet. E them këtë, sepse fill pas ardhjes së drejtorit të ri ndodhi katrahura dhe u rrit informaliteti. Sot gjen kazino në çdo cep të Tiranës, në krah të një shkolle apo ambulance, poshtë çdo pallati dhe të gjitha këto kazino të reja që hapen janë pa dokumentacionin e duhur. Pra, është e qartë që qeveria dhe njerëzit që e drejtojnë këtë Drejtori kanë dashur t’i çojnë lojërat e fatit në këtë situatë të rrëmujshme, ta degradojnë, sepse më parë ajo kontrollohej shumë mirë. Ajo që vihet re është se qeveria nuk ka një qëllim pozitiv në këtë çështje, ose kanë si qëllim që në largimin e sipër, kjo qeveri kërkon ta marrë dhe t’i kthejë lojërat e fatit në një monopol. Por edhe kjo për fat të mirë nuk mund të bëhet, pasi miratimi i këtij dekreti do të bëhet në parlamentin e ri, pasi ky që është në përfundim nuk ka kohën e mjaftueshme.
Dhe e gjithë kjo që kërkon të bëjë qeveria është e kotë, pasi kjo formë nuk e shmang informalitetin. Në asnjë vend të botës nuk ka një sistem të tillë si kjo që kërkon të praktikojë qeveria shqiptare. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që administratën shtetërore ta japësh me koncesion. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, se si do ta eliminojë kjo kompani që do e marrë në koncesion punën në të zezë? Kjo punë eliminohet nga vetë shteti dhe organet që e drejtojnë këtë Drejtori të lojërave të fatit. Kur kjo drejtori menaxhohet mirë dhe drejt nuk ka informalitet, ose ai është i ulët. Për një vit e gjysmë që ka punuar z. Avdi Mata u eliminua thuajse çdo gjë që ishte në të zezë dhe nuk gjeje dot një sallë pa dokumentacionin e duhur. Në këtë drejtori sot mjafton dëshira e mirë. Kjo punë është kryer më parë edhe nga vetëm 4 persona dhe fitimi u rrit me 1.8 miliardë lekë ne muaj, sepse drejtohej nga njerëz që kishin dëshirë të bënin punën. Mjafton dëshira dhe nuk ka nevojë për kompani të huaj. Edhe kur kam qenë drejtues kemi patur vështirësi, por kemi funksionuar mirë. Kur do shteti gjërat funksionojnë shumë mirë. Në një kohë 1-vjeçare kemi shkatërruar 2800 makina se ishin të paligjshme. Ndaj duhet vetëm një menaxhim i mirë, profesionist njerëz të pakompromentuar.
Ndërsa sot numërohen nga 2000 deri në 8000 makina lojërash fati pa leje. Një shifër e frikshme dhe nëse llogaritet që një makinë ka një taksë prej 1 milionë lekësh, atëherë dëmi që i shkaktohet shtetit është shumë i madh, pa llogaritur siguracionin e fuqisë punëtore, qiratë etj. Pra, gjithçka është në të zezë dhe situata është alarmante.
Këtu kemi një dështim të qeverisë, e cila nëse e jep Drejtorinë e lojërave të fatit me koncesion nuk do të ketë më një levë që ta kontrollojë atë, sepse ajo kompani që do ta marrë në koncesion do të jetë e interesuar të shohë vetëm fitimin e saj, punën e saj dhe nuk do të merret me pjesën tjetër. Atë pjesë që i takon shtetit, për uljen apo rritjen e të ardhurave që i vijnë shtetit nga lojërat e fatit. Pra, me këtë lëvizje të gabuar ne kemi humbje, pasi nuk mund t’i kërkosh dot një kompanie të huaj llogari, e cila ka ardhur vetëm për të menaxhuar lojërat e fatit dhe për të rritur të ardhurat e saj. Ndërsa për sa i përket të ardhurave të shtetit, që nga kjo Drejtori e lojërave të fatit janë marramendëse, shteti nuk përfiton, por del me humbje.
Atëherë, çfarë synon kjo qeveri me këtë lëvizje? Përgjigjja është e qartë. Qëllimi është të krijohet një monopol, të kenë nën kontroll një biznes të fuqishëm. Gjithçka menaxhohet e kontrollohet nga njerëz të Ministrisë së Financës, të cilët kanë kryer këtë proces monitorimi. Këta njerëz janë kthyer në mjeshtra dhe e kanë paraqitur si të nevojshëm këtë koncesion, ndërkohë që ai nuk është i domosdoshëm. Por në këtë mes është edhe ana politike dhe kjo është akoma më e turpshme, pasi bëhet fjalë për një administratë që do të jetë në funksion edhe për 3 ditë. Nxjerrja në koncesion më 20 qershor, 3 ditë para zgjedhjeve, nuk është e drejtë dhe morale, ndaj kjo qeveri e bën këtë lëvizje me kaq ngut. Duan të monitorojnë në ikje e sipër një biznes që ka fitim marramendës dhe që duhet të jetë pronë vetëm e shtetit. Por nuk duhet të shfrytëzohet në këtë mënyrë barbare një veprimtari që për momentin është e pakontrolluar dhe që nuk duhet të jetë në këtë gjendje. Kushdo që të vijë në pushtet duhet ta menaxhojë më mirë këtë Drejtori të lojërave të fatit.
Kjo është një çështje që sot krijon edhe një problem social, pasi fakti që këto kazino janë kudo dhe në sy të njerëzve, bëjnë që aty të hyjë edhe rinia, e cila nuk fiton, por vetëm humbet dhe kjo krijon një problem social. Aty vetëm humbet, pasi gjithçka është e pakontrolluar e pacertifikuar. Sot funksionojnë vetëm 1-2 firma të rregullta, ndërsa të tjerat punojnë në të zezë. Nuk shkohet kështu në Europë. Nuk duhet ta lejojmë rininë që të shkatërrohet në këto kazino, por më mirë ta orientojmë të shkojë drejt sportit dhe me paratë që vijnë nga këto kazino të ndërtojmë terrene sportive. Më mirë një fushë sporti në çdo cep pallati se sa një kazino. Për fat të keq edhe Bashkia ka dështuar në këtë fushë, pasi projekti i saj për t’i grupuar kazinotë në periferi të kryeqytetit është i pazbatueshëm. Ajo ishte thjesht për politikë. Në sytë tanë ne shohim përditë se kudo ka kazino dhe për fat të keq asnjë prej tyre nuk paguan taksë bashkie. Këto salla janë para syve të Bashkisë e qeverisë, por nuk kontrollohen. Bashkia nuk mund të mbledhë dot taksat, sepse janë biznese në të zezë. Si mund t’i gruposh në një vend ku nuk shkon njeri? Kush hap një sallë loje e hap më idenë për të bërë biznes dhe nuk do që ta çosh në një zonë ku nuk vjen njeri. Ligji është por nuk funksionon. Ndaj sot mund të mbledhësh asnjë taksë dhe as mund të afrohesh në ato kazino. Madje sot lojëra fati gjen kudo edhe ato të voglat që vihen në lokale e kafene e secila ka një taksë, por që nuk paguhet. Kontrolli duhet të bëhet dhe është frutdhënës, por çdo gjë duhet të kontrollohet nga shteti. Nuk duhet që administratën shtetërore ta japësh me koncesion, pasi kështu nuk do të ketë progres, por vetëm regres.