Nga Robert PËRMETI Fatkeqësi që popujt pjellin pak artistë e shkencëtarë, ndërsa politikanë, një lukuni. Një zë kristal, gjithë forcë e bukuri, pushtoi zemrat e artdashësve shqiptarë e italianë. Elhaida shkodrane tashmë i përket gjithë popullit nga Saranda, Himara, Vlora, Korça, Tirana, Durrësi, Burreli, Peshkopia e deri në trevat e kudobanuara nga shqiptarët. Të gjithë ndjehen krenarë, jo vetëm për talentin e saj, por mbi të gjitha për kontributin që ajo përcjell para botës së qytetëruar, se shqiptarët nuk duhet të përfaqësohen nga politikanët grindavecë, por nga njerëz të talentuar. Pa paragjykime modestie mund të themi se ka shqiptarë shumë të talentuar edhe pse jetojnë në ambiente të trysnuara politike, të ngarkuar me një thes problemesh ekonomike, sociale me garnitura të krimit e të korrupsionit.
Zëri i saj i ëmbël, tingëllues e i kthjellët si uji i Bunës, çau papritmas smogun që i merr frymën shoqërisë shqiptare, nga politikanët e markave të ndryshme. Smogu televiziv shqiptar, i krijuar nga figurat e rëndomta të politikës shqiptare, pothuajse nuk i krijuan hapsirë këtij talenti që të imponohet jo vetëm me bukurinë muzikore që na përcjell, por edhe me respektin që krijon me dinjitetin e saj njerëzor e artistik. Ekranet e shpikura nga njerëzimi për të debutuar artistët e të gjitha gjinive, tashmë janë kthyer në pronë të politikanëve që çirren e bërtasin duke sharë pa mbarim njëri tjetrin, duke sharë me nënë e me motër, pavarësisht nga moshat që kanë. Koha moderne po na servir pa problem “një lloj tjetër artisti”, që nuk pëlqehet, por imponohet dhe ky quhet politikan i ekranit. I bindur se bën shou, i bindur se sa mezi e presin të premtojë gënjeshtrën e artë të radhës, me të njëjtat klithma, por vetëm me kostumet e ndryshme nga ekrani në ekran, i kthen ata në pushtues të mediave duke përcjellë mesazhin: “Ç’na duhen artistët nëpër ekrane, kur jemi ne”!
Harxhohen miliona nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të bombarduar ekranet televizive 24 orë dhe po të ishte mundësia edhe 26 orë. Bërtasin pa mbarim, gënjejnë gati deri në pafajësi, kërcënojnë njëri tjetrin thjesht për kredibilitet, primitivë nga prejardhja e të veshur me kostume të shtrenjta, shtrembanikë nga fiziku dhe investues për tu dukur elegantë. Sfilatë e shëmtuar e kohës që na serviret përditë nga mëngjesi në darkë, aq sa kemi filluar të na neveritet vetja, sepse nuk kemi më fuqi që të neverisim këtë armatë të pafundme politikanësh.
I jam mirënjohës Elhaidës që me zërin e saj na dhuroi një mëngjes me rreze drite, të ngrohtë e gjithë dashamirësi, i jam mirënjohës se ajo e vetme i injoroi gjithë klithmat e politikanëve që kanë krijuar simfoninë e korbave e që prej 23 vjetësh këndojnë të njëjtën melodi, por herë me çifteli e herë me kitarë elektrike.
Nuk e di se pse më kujtohet përralla e famshme kur korbi i veshur si pëllumb, donte të sfidonte zërin e bilbilit. Rrënqethëse është, kur mendon brishtësinë e bilbilit në raport me tufën e sorrave që klithin me kob. E megjithatë, bilbili mbetet bilbil dhe gjithmonë i dashur për të gjithë. Të xhelozuar, korbat politikanë kanë mbetur të shtangur nga pushtimi i hapsirës njerëzore nga mrekullia e Elhaidës. Si është e mundur që një zë i vetëm të eklipsojë gjithë këtë lukuni harbute që ka në dispozicion prej kohësh, kohën, ekranet, militantët… e një zë i vetëm i shumëzoi me zero. Si është e mundur që gjithë ajo Itali i vuri në dispozicion ekranet e saj dhe dashamirësit e saj artdashës, kur ajo ishte këtu pranë nesh, në Shkodrën e Mjedës, Migjenit, Fishtës etj. Si është e mundur që “vaji i bilbilit” të Mjedës, nuk qenka midis turmës së militantëve, pjesë e mitingjeve zhurmëmëdhenj, pjesë e rrumpallës qeveritare, që nuk merret me hallet e popullit, por me transportin e podiumeve e te militantëve.
Dhe dihet se korbat do të investojnë sido që të jetë, të paktën sa për fushatë të kenë mundësi të këndojnë një duet me mrekullinë Dani. Dhe dinë ata se si të të joshin, sepse kanë në dispozicion nuhatjen e miut, që kur gjuan djathin, lëviz mustaqet me shumë shkathtësi sa majtas djathtas. Lëviz me shkathtësi edhe pse diku mund të jetë macja, por për ta nuk ka rëndësi kjo, sepse ata e kanë mësuar nga njëri tjetri e jo nga leximet se: “Qëllimi justifikon mjetin”, term që e përdorin kur duan të marrin pamjen e filozofit. Arti nuk është relike për zbukurim, por është cilësi e të jetuarit e të menduarit të një populli dhe për sa kohë populli do ti qëndrojë larg artit, për sa kohë do të jetë indiferent ndaj artistëve, ai do të kthehet viktimë e drogës, krimit e korrupsionit. Arti ka mision emancipimin e shoqërisë, ka mision të ushqejë një komb me energjinë për të jetuar e jo për të rrojtur. Për të rrojtur na e ka dhënë perëndia, për të jetuar duhet të luftojmë e të përpiqemi, ndryshe mbetemi primitivë dhe skllevër të mitingjeve me shpresën se mund të lëpijmë ndonjë kockë. Elhaida, përveçse interpretimit dinjitoz është një zë që na thërret dhe na tregon, se drejt Europës nuk shkohet me këngën e korbave, por me vlerat më të mira shpirtërore që ka kombi.