Nga Besi BEKTESHI Padiskutim që të bie që të shikosh fushatën e dy liderëve të lartë politikë të përfshirë ethshëm në këtë elektorale dhe normalisht dje, në një anë po shikoja zotin Berisha që inaguronte rrugën e Rrjollit dhe anën tjetër zotin Rama në Gjirokastër, në bisedë me njerëzit. Kishte dy pika kontakti dhe njëra ishte uji, ku Rama thoshte se Shkodra nuk ka ujë dhe zoti Berisha i tregonte se Shkodra ka ujë , e në fakt problemi në Shkodër është krejt tjetër, që në raste ekstreme ka rezultuar se Shkodra ka ujra të tepërta. Por në fakt diskursi i Arsimit të Lartë në anën e zoti Rama ishte ai me ngjyra, përveç faktit të “punimit me lopatë” dhe pastaj edhe me “gomar” të tokës, dhe fyerjes që një shqiptar Presheve, kishte pësuar. Po pra, se punohej akoma toka me parmendë dhe me lopatë në Shqipëri. Eufemizmat-sarkastikë janë të domosdoshëm nganjëherë dhe normalisht që mund të përmenden, por “eufemizëm me mungesë uji në Shkodër që mbytet nga uji” dhe “punim i tokës me lopatë” në vendin që “nuk çajnë kokën të punojnë tokën”, i kalon disi përmasat e humorit në përgjithësi. E kam fjalën se bën humor, por që nuk ka humor normal brenda.
Unë do të kisha preferuar që “mjafton të punonte tokën katundari qoftë edhe me lopatë, por ta punonte” sepse pastaj a me lopatë, gomar, apo qe, kjo ka kohën e saj, dhe në fakt po të dojë ta punojë, e punon edhe me traktor, po ta ketë mendjen pikërisht për të punuar. Modeli i kritikës së hapjes së universiteteve për çdo qytet dhe katund të Shqipërisë, është patjetër në mënyrë elektorale një “eufemizëm”, pra tingëllon bukur, mirë, si një model i qartë sarkastik. Kur thuhet bie fjala se “ku shkon Sali Berisha premton nga një universitet” dhe përmend edhe Rroskovecin. Në fund të fundit “nga një universitet po premton jo nga një kamp përqendrimi”, me falni për termin, por edhe kjo ishte një “eufemizëm”, kot fare, por hajt të them edhe unë një thashë me vete. Kur sqaron se “Kryeministrja e një vendi tepër të zhvilluar nuk arrin të kuptojë 100 universitete në Shqipëri”. Dakord tingëllojnë bukur, humoristike, e goditur, për të treguar një vend të prapambetur si i yni, që ka për çdo vend o një universitet publik, o një privat. Kur tregon se Kryeministri aktual ka maninë të hapë në çdo skaj të vendit universitete!! Është një humor therës elektoral, që do të tregojë se si sillet pala tjetër politike e sidomos ajo në pushtet. Po pra, që hap vend e për vend, nga një universitet!! Ide është se janë të panevojshme, hapen në mënyra korruptive dhe licensohen po ashtu, nuk funksionojnë dhe se ky vend nuk ka nevojë për kaq shumë universitete të tilla. Dakord ky është edhe qëllimi. Nëqoftëse e kuptoj mirë unë kreun e PS-së dhe liderin e opozitës. Mirëpo ku është problemi? Problemi është se lideri maksimus i PS-së (maksimus do të thotë për mua i padiskutueshëm, pa konkurrentë dhe fuqiplotë) nuk përmend njëherë të vetme “ligjin e arsimit të lartë” në Shqipëri. Shpresoj ta ketë lexuar. Nuk i referohet njëherë të vetme për të kuptuar qartë dhe mirë jo thjesht turma, por ne vdekatarët e shkretë, (jo të pavdekshmit që janë shumë në Shqipëri) që ligjin e kemi lexuar dhe të marrim vesh edhe strategjinë e shprehur me ligje të PS-së dhe Edi Ramës.
Nesër, kryetari i PS-së do të jetë për herë të parë deputet i Parlamentit shqiptar, ose Kuvendit të Shqipërisë. Dashje pa dashje, do të jetë një ligj vënës në Shqipëri. Dashje pa dashje, do të bazojë çdo ide të madhe tijën, me ligjin, atij që është, ose do të propozojë ndryshim ligji që me anën pastaj të forcës së madhe të maxhorancës, ta kthejë në realitet nga dekret ligj, në ligj. A mund të vendosë në ligjin përkatës zoti Rama një shtesë që “nuk lejohen më shumë se kaq universitete” në Shqipëri!? Ndoshta e bën, por unë them se duhet lexuar njëherë ligji, dhe pastaj folur me eufemizma-sarkazëm dhe cinizëm të bukur përpara njerëzve. Padiskutim që “universitete koti” që nuk plotësojnë kushte nuk lejon as ligji, por është mos zbatimi i ligjit të Arsimit të Lartë, të standarteve që ai kërkon që “themelohen 100 universitete” dhe padyshim që ky është problemi, dhe jo “eufemizmi-cinik me 100 universitete” që habisin Kryeministren e gjatë si staturë, bionde me sy të bukur boj qielli të vendit mik dhe të jashtëzakonshëm danez. Danezët edhe po të duan nuk kanë fëmijë që ti çojnë në universitete e ndoshta këtë mendon Kryeministrin jonë, “shqiptarët prodhojnë akoma më shumicë fëmijë dhe të futen në universitet”!! Jo nuk është sarkazëm, është më tepër cinizëm jo i mirë i imi, për çështjen e prodhimit të fëmijëve nga Danimarka në Shqipëri. Kush është pra edhe shikim i ligjit për “Arsimin e Lartë” që ka strategji dhe rregullim PS-ja, kush pikërisht është, dhe këtu mbaron puna pa pasur nevojë as talljen me “pa aftësinë e Shqipërisë për 100 universitete” dhe po ashtu me Rroskovecin, që Berisha i ka, (paska) premtuar Universitet. Ka dy mënyra të jashtëzakonshme ndarjeje midis zotit Berisha që për fushatë premton çdo gjë me pasion (ul taksa, zhduk taksa, premton çdo gjë pa asnjë problem për nesër) dhe të zotit Rama që bën shaka, eufemizma dhe modele humori me pasion. Unë kam mendimin se kur futet shumë pasioni në çdo drejtim, vjen një moment dhe humbet personi i pasionuar. E them me bindje, sepse e kam provuar në kurrizin tim. Në fakt, ka një veti të jashtëzakonshme, një shtresë e madhe popullsie në Shqipëri. Ka cilësinë e interpretimit si dobësi të pasionit, si një model të dobët në mungesë të trimërisë dhe përmendjes, e cila mund të jetë shumë jashtë realitetit. Një pjesë ëndërrojnë, dhe janë pasionantë, edhe ata, pjesa tjetër janë tallës dhe therës me shumicë. Cilësi të një populli me universitet të krijuar në vitin 1956-57. Pra besues e premtues pasionantë, dhe kritikë dhe tallës pasionantë, që të dy palët, përbëjnë shumicën e madhe të shqiptarëve. Kjo është edhe fushata elektorale e jona, dhe këto dy grupime ndërrojnë rolet me njëra tjetrën. Pra herë njëra dhe herë tjetra në dy role. Është një jetë dyfishe ideore e trupëzuar sipas qënies, ose mos qënies në pushtet.
Jemi në një moment të jashtëzakonshëm interesi personal dhe kolektiv, ku njëra palë tenton vazhdimësinë dhe tjetra rilindjen ose fillimin e tyre. Ky është momenti që njëra palë duhet të premtojë, dhe tjetra të tallet me premtimet e atij tjetrit, duke bërë edhe premtimet e veta absolutisht ndryshe pushtetit. Në një anë premtimi dhe pasioni, për deri tani, dhe në anën tjetër, tallja dhe pasioni për kritikë, sërish për deri tani. Në fakt si kriticizmi dhe eufemizmat, por edhe në fund sarkazma, përbëjnë një model të paraqitjes në fushatë. Ato i vendosën përballë njëra tjetrës, dhe nuk është se metodën e etiketimit dhe talljes nuk e përdor edhe zoti Berisha! Po, dhe e përdor shumë fort, por në rastin e zotit Rama, kemi të bëjmë me përdorimin disa herë të cinizmit. Cinikët në lashtësi janë ndjekësit e shkollës filozofike të Antistenit dhe Diogjenit të Sinopes. Cinikët ishin ato që jetonin si të pavarur, autonome, indiferente ndaj nevojave dhe partizanë të së drejtës morale të zbatueshme deri në një. Pati një moment rënie kjo shkollë, por me afrimin e kohës korrupsionit të madh, dhe fuqisë së madhe imperiale dhe shtetërore, filluan apelimin e shoqërisë për liri të brendshme dhe austeritet të zakoneve të deri atëhershme të këqija. Filloi të lëvizë “etika si element i rëndësishëm” dhe filloi të konsiderohet gjithçka pikërisht virtyti. Mënyra e kritikës dhe të folurit i bënë cinikët të jashtëzakonshëm dhe të fortë në debate, por edhe të qartë se mënyra e të përgjigjurit dhe të folurit për to, nuk duhet të ishte loja me karakterin dhe formën e tij, por përmbajtjen duke bërë menjëherë diferencën e rastit, dhe ju kundërpërgjigjur menjëherë. Cinizmi shpesh herë bën punë, por po ashtu, shumë herë nuk zgjidh punë. Mbetet vetëm lartësi komunikimi e veçantë. Mbledh njerëz, por jo shumicën. Po e përsëris, nuk mbledh shumicën e njerëzve. Pse?
Ka dy arsye. E para, kërkon një nivel të qartë që një pjesë e njerëzve ta ndajë cinizmin nga ku duhet vendosur, dhe ku është realisht si vend, në kategoritë e letërsisë dhe modelit të të shprehurit. Ka problem pjesa më e madhe, se cinizmin e kuptojnë se është diçka therëse, tallëse, apo edhe kritikuese me batutë, dhe kur bashkohet me sarkazmën apo edhe ironinë i konfuzon së tepërmi, sepse në vend që ti bëjë të sigurtë për nesër, ju shton notën e aciditetit të pasigurisë. Kështu ndodh, sepse nuk lejon që të prosperojnë vetitë dhe virtytet, por në një farë mase veset, sa do të rreshtuara bukur qofshin ato në krah të cinizmit, ironisë dhe sarkazmës. Një pjesë e madhe e debatit që sot po ndodh midis dy liderëve të lartë, është pikërisht kjo garë e madhe midis premtimit dhe zmadhimit në premtim dhe cinizmit, ironisë dhe sarkazmës. Kush ka për të pasur më shumë elektorat vetëm 24 qershori do të tregojë. Po, pa të keqen e akuzave të gjithmonshme me manipulime apo vjedhje votash. Nuk po vazhdoj më, sepse kështu hyj në një diskurs tjetër.