Nga Viron BEZHANI Ndeshja e kombëtares së futbollit dëshmoi edhe një herë se sa pak politika shqiptare dhe qeveria e përkrah dhe mbështet sportin. Politikanë që vrapuan për në stadium për të parë ndeshjen dhe më pas kthyen sërish krahët, duke iu kthyer rutinës së përditshme dhe harruan se për të bërë atë ndeshje është dashur një mund e sakrificë e pafund. Dhe jo vetëm në futboll, por në çdo disiplinë sportive është derdhur djersë e mund për të ecur përpara. Por për politikanët dhe qeverinë në largim sporti është i pranishëm vetëm kur duhen marrë lavdërime e medalje, për t’u krekosur para publikut, si për të thënë që jemi edhe ne. Por këto janë vetëm fjalë e retorika boshe të një shteti apo Ministrie Sporti, që nuk bëjnë asgjë për sportistët dhe sportin.
Politikanë, mos e shfrytëzoni sportin për të bërë politikë, por ndërtoni politika inkurajuese e mbështetëse për sportin. Vetëm kështu ju mund të hyni krenarë në një stadium, pasi ata që zbresin në fushën e blertë apo në parketin e një pallati sporti do t’ju falënderojnë. Por ju këtë gjë nuk e bëni, nuk dini t’i mbështesni këta sportistë me projekte e plane afatmesme e afatgjata. Qeveritarë, ju dini vetëm të lëshoni shashka apo tullumbace të momentit, duke harruar se në sport duhet disiplinë e program të detajuar për të bërë një kampion. Politikanë, ju e parë me sytë tuaj se çfarë bëhet për fanellën kuqezi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë për të mbështetur kombëtaren e futbollit, por si ajo kombëtare ka edhe mjaft të tjera që kërkojnë mbështetjen tuaj. Zoti Kryeministër, ju premtuar 200 mijë euro për kombëtaren. Urime, por shikoni se ku është katandisur shumësportëshi për shkak se ju jepni vetëm disa thërrime për të, sa për ta mbajtur atë të gjallë. Por kështu nuk bëhet sport, kështu e shkatërrojmë edhe atë pak që po e ndërtojnë këta sportistë e trajnerë me punë e pasion. Për sa kohë nuk dimë t’i përkrahim ata kampionë ne do të jemi të dështuar kudo që të shkojmë.
Premtimet boshe të kësaj qeverie nuk janë vetëm në Kryeministri por edhe në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, e cila këtë vit e ka harruar tërësisht sportin. Madje ata as emrin nuk ia thonë kur bëhet fjalë për ta ndihmuar atë, ndërkohë që duan të ndihen krenar për ekipin kombëtar. Por për cilën kombëtare, atë që ju harruat të përkrahni një vit më parë në Lojërat Olimpike? Apo për atë që do të niset pas 10 ditësh në Lojërat Mesdhetare? Edhe në këto dy delegacione ka kampionë, madje më shumë se në fushën e blertë, por ju nuk doni t’i përkrahni ata. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka kohë që troket në zyrën tuaj për të marrë atë mbështetje financiare që ju vetë keni premtuar, por ju nuk përgjigjeni. Jo vetëm kaq, por tregoheni arrogantë dhe harroni se jeni JU të parët ata që duhet të përgjigjeni për këtë gjendje që është katandisur sporti sot në Shqipëri. Lojërat Mesdhetare janë aktiviteti i dytë më i madh ndërkombëtar ku marrim pjesë pas Lojërave Olimpike, por ky shtet nuk ka kurajën të paguajë as për uniformat sportive, duke lënë KOKSH-in të bëjë vetë gjithçka dhe vetë tërhiqet nga përgjegjësitë e tij, çka tregon se ai vetëm mashtron me premtimet e tij.
Politikanë, sporti nuk bëhet me premtime të momentit, me një deklaratë që ju shkruani në një letër në prag të zgjedhjeve dhe më pas e fshihni kur uleni në karrigen e ministrit apo parlamentarit. Mijëra njerëz presin nga ky shtet që t’i përkrahë, jo vetëm financiarisht por edhe me ligjet e duhura që ndihmojnë zhvillimin e sportit, afrimin e biznesit. Por kjo qeveri dhe Ministri e Sportit ka kohë që fle gjumë dhe nuk mendon për sportin edhe pse këtë e ka për detyrë. Ata njerëz kanë mbushur sirtarët me shënime e premtime boshe, por nuk hapin asnjë dosje dhe të hartojnë një projekt për të zhvilluar sportin. Ata njerëz vrapojnë të parët për të përshëndetur kampionët e sportit, por harrojnë se ata kampionë kanë djersitur shumë për të arritur aty, në çdo disiplinë sportive. Ndaj politika e sotshme shqiptare, për fat të keq po e shfrytëzon sportin për fushatë, ndërkohë që duhet bërë e kundërta. Këta politikanë që gjoja e duan le të ulen e të ndërtojnë një plan afatgjatë për zhvillimin e sportit, për ta kthyer atë sërish në nivelet e larta. Por as këtë gjë nuk e bëjnë dhe kështu lënë gjithçka në vendnumëro dhe vetë me duart e tyre degradojnë atë pak argëtim që kanë shqiptarët. Ne të gjithë krenohemi e duam të mblidhemi rreth flamurit gjigant që valëvitet në stadium, për të mbështetur disa kampionë të mëdhenj. Por politikanë ju harroni se duhet shumë punë për të përgatitur ata kampion, jo vetëm në futboll por edhe në peshëngritje, atletikë, mundje e volejboll. Njerëz që çdo ditë stërviten për të arritur nivele të larta, por që edhe kërkojnë mbështetjen e shtetit, të një shteti që për fat të keq i ka harruar.
Dera e sportit është mbyllur dhe bashkë me të edhe mundësia që ky shtet pati për ta zhvilluar atë, duke e lënë në një gjendje të mjerueshme. Sot kjo qeveri dhe Ministri e Sportit e kujton sportin vetëm mes premtimeve dhe jo mes politikave nxitëse. Por do të vijë një ditë dhe do të shohim se pa një sport elitar të gjithë tifozët do ta na kthejnë krahët dhe atëherë do të jetë shumë vonë për të menduar se si ta shpëtojmë atë. Sporti ka nevojë më shumë se kurrë sot për mbështetje. Ndaj, ashtu siç e mbështetin tifozët në stadium apo pallat sporti ashtu duhet ta mbështesë edhe qeveria e politikanët me projekte e ligje, për të thënë nesër se sporti nuk është më në tranzicion dhe se ne e shpëtuam atë.