Nga Dr. Skënder DEMALIAJ Nuk mund ta ndalë se është ajo që e ka rrënuar dhe po e rrënon çdo ditë. Nuk mund ta ndalë se është pa vizion. Nuk mund ta ndalë se në administratën e ndërtuar prej saj janë militantët e paaftë, të afërmit e klanet e qeverisë. Nuk mund ta ndalë rrënimin ekonomik një qeveri që orë e çast flet për “suksese madhështore…”, për “realizime të papara” pa bërë analizën e dështimeve të saj. Sëmundja nuk mund të shërohet pa u përcaktuar saktë diagnoza, pastaj medikamentet e duhura. Sipas Chares A. Kupchan, në studimin “Lëngata demokratike”, botuar më 2010 – tre strategji janë vendimtare për të shpëtuar nga rrënimi dhe kriza ekonomike:
1- Investime shtetërore për vende pune, infrastrukturë, arsim dhe kërkime shkencore. Buxheti për investime është tkurrur e po tkurret dita-ditës. Për investime për punësim as që bëhet fjalë. U premtuan 160 mijë vende pune për 4 vjet (Gazeta RD, 17 shtator 2009, f.5-9). Aktualisht kemi 50 mijë të papunë më shumë se në vitin 2009. U premtuan 6 parqe industriale: në Shëngjin, Koplik, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan. Nuk u realizua asnjë. U premtua rimbursimi i TVSH-së brenda 30 ditëve. Sot qeveria u ka miliona euro bizneseve të parimbursuara. Mbi 200 milionë euro të papaguara për punë të përfunduara në vepra të ndryshme. Premtoi se brenda vitit 2013 çdo qytetar shqiptar do të ketë ndihmë ekonomike mbi dy dollarë në ditë dhe pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit. Me 30-40 mijë lekë të vjetra duhet të kalojnë muajin familjet shqiptare me ndihmë ekonomike. Pensionet në fshat janë larg … larg … nga ato të qytetit. Berisha gjatë paraqitjes së programit në Kuvendin e Shqipërisë për vitet 2009-2013 tha tekstualisht. “Sirenat e mjerimit nuk do të ulërijnë më në vatrat e familjeve të Shqipërisë Europiane (Gazeta, RD, 17 shtator 2009, f. 5-9).
Po bien sirenat e varfërisë të tejskajshme, të mbijetesës për bukën e gojës në çdo cep të Shqipërisë. Listat, me lekë të papaguara në dyqane, në farmaci janë shumëfishuar, krahasuar me vitin 2009. Janë ulur nga viti në vit investimet e huaja. Për investimet vendase as nuk bëhet fjalë se shteti u ka shumë borxhe atyre dhe kreditë e këqija kanë kapur shifrën 28%. Në këto kushte, bankat kreditojnë me pikatore. Berisha premtoi buxhet për arsimin 7% të PBB-së (2 herë më pak është aktualisht). Buxheti për kërkimin shkencor është i papërfillshëm. Shkollat e larta dhe institucionet kërkimore-shkencore (të përgjysmuara e në prag të falimentimit) mezi sigurojnë rrogat e punëtorëve, bile edhe këto i japin me muaj vonesë. Premtoi 60% rritje të buxhetit për shëndetësinë. Pacientët blejnë ilaçet në spitale, marrin me vete batanijet e çarçafët. Të sëmurëve me kancer u shiten me 8 fish ilaçet. Premtoi marrjen përsipër të sigurimeve shëndetësore për çdo shqiptar që nuk është në gjendje t’i sigurojë. Berisha tha fjalë për fjalë: “… të pasiguruar nuk do të ketë” (Gazeta RD, 17 shtator 2009, f.5-9). A i ka pyetur ndonjëherë shqiptarët : Sa paguajnë për vizitat, për spitalet, për operacionet kur nuk kanë libreza shëndetësore (në të vërtetë ata paguajnë shumë edhe kur i kanë) dhe a e di ai se sa % e shqiptarëve janë të pasiguruar se janë të papunë?… Premtoi trefishin e investimeve në sektorin e bujqësisë. Fshati është sot në ditë të hallit, po e punon tokën me parmendë druri, prodhimet e pakta i kalben. Kënetat dhe moçalishtet po rikthehen, si në asnjë vend të Europës. Fusha e Shkodrës, e Zadrimës, e Korçës e Lushnjës po mbytet çdo vit. Premtoi rritje ekonomike 6% për vitin 2010 (dy herë më pak është, bile edhe me statistikat e manipuluara te INSTAT-it).
2- Udhëheqësit të ndjekin politika që shkojnë në përfitim të publikut të gjerë dhe jo të besnikëve të partisë apo grupeve të interesit. Kush e administron sektorin e energjitikës? Militantët e Partisë… Kush i shfrytëzon puset e naftës? Njerëzit e afërt të qeverisë… Kush ka përfituar nga privatizimet dhe koncensionet? Klanet pranë qeverisë, familjarët e të afërmit e qeveritarëve… Kush e fitoi lotarinë kombëtare? Të huajt e lidhur me qeverinë, lobistët e saj… Kush ka monopolin e ushqimeve, të duhanit, të transportit ajror? Qeveritarët… A nuk janë pronarët e City Park, Megatek, TEG klientët e bashkëpunëtorët e qeverisë?…
Ligji për pronat, i ndryshuar disa herë nuk është në funksion të zgjidhjes së problemeve të punës, por në mbrojtje të grabitjes së tyre nga pushtetarët e familjarët e tyre. Ku është premtimi për kompensimin e pronave brenda vitit 2010, për regjistrimin e pasurive brenda vitit 2011, për përfundimin e procesit të legalizimeve brenda shtatorit 2010? (Janë legalizuar për 8 vjet 8% e shtëpive dhe sipas llogaritjeve duhen 165 vjet për të përfunduar ky proces). Kjo qeveri nuk është për qytetarët, por për pushtetarët. Kjo qeveri nuk ka mision të saj rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, por pasurimin e një grupi njerëzish pranë qeverisë. 5% e këtij grupi (klani qeveritar) ka mbi 50% të depozitave në banka. Kjo qeveri nuk ka si qëllim Revolucionin industrial, Shqipërinë moderne të zhvilluar, por kapjen e gjithë institucioneve të pavarura, rrahjen dhe vrasjen e opozitës, dënimin e saj me gjoba të majme, psikozën e frikës së qytetarëve. Kjo qeveri nuk ka si mision rritjen ekonomike, por rrënimin ekonomik. Në fokusin e saj nuk është qytetari, por mbajtja dhe përjetësimi i pushtetit me votën e grabitur.
3. Qeveritë t’i drejtojnë elektoratet e tyre larg tendencave për t’u mbyllur. Çfarë nënkupton përfshirjen e të gjithëve në qeverisjen e vendit, udhëheqje të jashtëzakonshme, kurajo politike.
Kjo qeveri i ka ndarë shqiptarët në “demokratë” e “socialistë”. Të dytët i ka përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisjen e vendit në nivel qendror. Shqipëria është kantonizuar nga kjo mazhorancë sipas parcelave partiake. Kjo ka bërë që të humbasin energji të madhe intelektuale dhe forca të shumta që ndihmojnë zhvillimin dhe ecjen përpara. Të gënjesh, të mashtrosh orë e çast do të thotë të mos respektosh qytetarët tuaj, t’i konsiderosh thjesht vota elektorale, të tallesh me ta, t’u heqësh kujtesën… Blerja e votës me një thes miell, me një ndihmë minimale, me pak metra rrugë elektorale, me një vend pune të përkohshëm, me falje kamatash, gjobash- janë metoda korruptive, antidemokratike që bëjnë që qytetarët të mos shfrytëzojnë me efektivitet armën e tyre kryesore për ndryshimin e rotacionin politik – votën. Udhëheqja e jashtëzakonshme është larg gënjeshtrës. Ka fjalë pak e punë shumë. Udhëheqës i jashtëzakonshëm është ai që hap krahun kur nuk qeveris mirë dhe dështon në premtimet e bëra. Udhëheqje e jashtëzakonshme do të thotë të kesh vizion. Udhëheqje e jashtëzakonshme do të thotë të sakrifikosh pushtet për të bërë shtet. Udhëheqje e jashtëzakonshme do të thotë të luftosh për kauzën e qytetarëve të tu, t’i mbrosh ata kudo që janë. Asnjë nga këto cilësi nuk i ka lidershipi aktual i mazhorancës. Kurajo politike do të thotë të godasësh pa mëshirë korrupsionin, të zbatosh njësoj ligjin për të gjithë, të rrezikosh e të humbasësh edhe mazhorancën për të ndëshkuar ministrat e deputetët e korruptuar. Kurajo politike do të thotë të marrësh nisma e të bësh reforma me guxim, reformat që i duhen vendit për zhvillimin e tij e jo të ruash thjesht statuskuonë, pushtetin, karrigen e kryeministrit. Kurajo politike do të thotë të mendosh më shumë për të ardhmen e vendit, të udhëhiqesh nga interesat e mëdha e jo nga ato të çastit, nga fitimi ose humbja e votave.