Nga Besi BEKTESHI Pse nuk kisha asnjë fije dyshimi, se një vajzë nga Shkodra dhe me një zë të jashtëzakonshëm, do të bëhej një “super girl” në Itali? Nuk kisha, sepse në të vërtetë Elhaida Dani, është edukuar mirë dhe bukur jo vetëm artistikisht, por edhe si një fëmijë i mirë i prindërve të kujdesshëm. I ati, Shaban Dani, ka bërë investimin më të mirë të jetës së tij me fëmijët dhe padyshim më të fuqishmin për Elhaidën, e cila prezanton sot lartësinë më të madhe artistike dhe vokale, por edhe njerëzore si një model për ne, në perëndimin e afërt europian. Elhaida, kulturalisht është realisht prodhim Shkodre, por është një prodhim Shkodre, që ekspandohet artistikisht për të mos mbetur pre e fjalëve boshe sidomos në qytetin e saj dhe padyshim edhe në Shqipëri. Artistikisht përhapet një “Shkodranida” e tillë, për të mos mbetur një provinciale si për fat të keq (në kuptimin e mosvlerësimit të talentit) të tjerët, edhe kur shkojnë në Tiranë. Padyshim që edukimin vokal dhe pa asnjë dyshim atë artistik, e ka marrë në Shkodër, në mjedise realisht të mira që projektet e projeksionet e qarta kulturore, nuk i sabotojnë me dashje, por edhe nga një familje e kujdesshme, e cila kupton qartë se investimi më i mirë është ai familjar, me baza morale dhe artistike të mëdha.
Do ta votonin italianët, jo vetëm për vokalin e madh të saj, por edhe për kulturën e të interpretuarit, të të kënduarit në mënyrë të pagabueshme dhe pa incizione të kota dhe banale, të rrymave idiote si te ne dhe në botë. Kuptuan jo vetëm Coçante dhe Carra, se kjo vajzë nuk është një gjë e ardhur nga humbëtira e përfolur shqiptare, por nga kultivimi i mirë kulturor në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër. Nuk mund të mos përmend edhe fitoret e saj në Klan dhe Top Channel, sepse janë pjesë të rëndësishme të pjekjes artistike, edhe pse në moshë të re. Por një vajzë e tillë, paraqitet mirë edhe e veshur, edhe në të folur, dhe në italishten dhe anglishten e saj të të kënduarit. Isha i bindur se “Shkodranida” do të ketë diferencë, sepse nuk ka trajtuar dhe as është lejuar të trajtohet, si shumë e shumë medemek artiste të Shqipërisë të një komercializmi të turpshëm, të shalëve jashtë dhe zërit të mykur, të interpretimeve jashtë çdo skeme normale muzikore, por vetëm për përdredhjen si në tub. “Shkodranida”, megjithëse një bukuroshe e vogël dhe me një zë të ëmbël dhe fytyrë të shprehur në mirësi, as që i ra këtij drejtimi, por i binte pianos kur këndonte në klipet e saj. Ishte ndryshe pra Elhaida dhe prezantonte pjesën më të mirë të Shkodrës sot, atij qyteti që nuk do të rreshti pa bërë madhështoren edhe kur e nxjerrin me dashje dikush dikush për inat jo racional në provincë, kur e varfërojnë me dashje, kur i bën keq vetes, sepse i duhet të zgjedhë jashtë konceptit të vet si ideologjik dhe politik, por kryesisht artistik.
Jam i bindur se një furore të jashtëzakonshme do të bënte edhe në Gjermani, po të arrinte të futej, njësoj si në shtetin e madh artistik që është Italia. Kjo fitore e madhe e “Shkodranidas” vjen në moment politik aspak në linjë me mentalitetin “Shkodranida”. Nuk dua ta ngatërroj me politikën, por më pëlqen të bëj apel. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për Shkodrën. Ky është modeli që na bën të ndjehemi akoma “se ka shpresë” dhe jo kultura politike në Shqipëri, që në fakt nuk duhet të ketë ajo shpresë. Ky është modeli “Shkodranida” që nuk bën pakte me basifondet kulturore dhe baltovinat ideore, që sot politika përçon dhe detyron edhe intelektualizmin të kapërdihet përpara idiotëve me pushtet. Ky është modeli që e ka serioziosht dhe sinqerisht, përballë rrenegatëve dhe matrapazëve politikë të cilët tjetër mendojnë dhe tjetër thonë e shprehin. Kjo është “shkodranida”, e cila edhe në perëndim është e para, dhe rregullon shumë ide jo të mira në komunitetet e mëdha intelektuale dhe artistike atje, por edhe ato mbarë popullore për pikërisht një popull të vogël fqinj, për të cilin nuk kanë aspak mendim të mirë mbi qytetërimin e tij, për disa vite me rradhë.
Në këtë rast shikojmë qartë, se ka gjëra më të rëndësishme se sa politika banale e interesave aspak miqësore me ne. Shikojmë qartë diferencën e madhe që ka një madhësi e tillë me madhësitë individuale që paraqet “shkodranida”. Ajo, jo vetëm flet më mirë se sa kultura e imponuar politikisht, jo vetëm që vishet më mirë, jo vetëm që sillet më mirë, por akoma më tepër demonstron atë që kulturalisht dhe individualisht as që mund ta tregojnë në Shqipëri dhe që është pikërisht butësia dhe ndjenja. Gati-gati, të bëhet e pabesueshme kur shikon kulturë egërsie artistike dhe politike bashkë, që prosperojnë në Shqipëri dhe një model “shkodranida” që fiton në Itali. Madhështore, e jashtëzakonshme, dhe meriton ta nderosh me një titull nderi vetëm për rregullim imazhi kombëtar dhe respekt për vendin e saj. Pikërisht këtu e kam fjalën dhe askund tjetër, sepse as që bëhet fjalë se ana artistike dhe muzikore-vokale është super.
“Shkodranida” ose Elhaida Dani, është shembulli më i mirë, se nga qyteti i madh i veriut, absolutisht tradicional dhe kulturor, multi religjionar dhe ripërtëritës i vlerave sublime duhet të gjenerohen forca dhe individë të lartë edhe politikisht. Por ka mbetur për tu bërë edhe diçka. Qyteti në 360 gradë nuk duhet të pengohet, nuk duhet të përdoret dhe vetëpërdoret në lartësi politike që janë fatkeqësisht aty këtu, shumë poshtë lartësive artistike dhe kulturore. Lartësitë politike duhet të ndjekin lartësitë artistike dhe kulturore, talentin e madh të Shkodrës në këtë drejtim dhe jo e kundërta. Për të vërtetuar këtë që them, më duhet të jap shembullin e politikanëve dikur të lartë të Shkodrës, që ishin absolutisht figura kulturore dhe që janë Vasa, Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Mosi, Bushati, Pipa, Draçini, Harapi, Koliqi etj., etj., dhe po të doni edhe në komunizëm si Mala, Stafa (i edukuar në Shkodër) të cilët me dallim ngjyrash ishin përfaqësues politik pa asnjë mëdyshje njerëz të kulturës, shkrimeve dhe botimeve të mëdha. A po jo? Shkodrën në asnjë drejtim nuk mund ta kërkosh pa gjetur artin dhe kulturën brenda. Pa artin dhe kulturën, Shkodra është e destinuar të humbë.
Kjo është Shkodra dhe në fakt ky është edhe momenti për reflektim për të gjithë ne, përfshi edhe mua brenda. Këtë duhet të risjellim për të bërë pastaj edhe diferencën që Shkodra e do dhe e meriton. “Shkodranida” ose Elhaida Dani, e ka bërë dhe fuqishëm.