Nga Ilirjan SHEHU Pas konventës së Partisë Demokratike Sali Berisha shkroi në statusin e tij në Facebook: "Të dashur miq, mbasdite zhvilloi punimet Konventa për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërine europiane. Në konventë u debatua rreth projektit tonë për Shqipërinë me infrastrukturë, sistem arsimor, shëndetësor, mbrojtje mjedisi, rritje jeshile të nivelit të vendeve të zhvilluara dhe integrimin e saj në BE. Ne mbajmë premtimet tona. Përpara drejt Shqipërisë së zhvilluar europiane! Përpara! sb". Gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte të pyes doktorin se çfarë recete i ka përshkruar vetes. Çfarë përzierje perverse ka zbrazur në pijen e tij e që i ka fandaksur të tilla halucinacione. Na thuaj dhe ne të tjerëve çfarë është ajo që pi, që të mund të shohim dhe ne, atë që sheh ti.
Gjëja e dytë që më shkoi në mendje ishte t’i telefonoj ndonjë ministrie e të pyes se si do t’a arrinin këtë zhvillim të Shqipërisë, apo t’u dërgoj atyre ndonjë email e ndoshta më sqarojnë se në çfarë mënyre, me anë të çfarë plani do t’a shndërrojnë këtë vend brenda katër viteve të ardhshme në një vend të zhvilluar nga një vend i botës së tretë. Telefonatave s’ju përgjigj kush e nga emailet hoqa dorë pasi mu kujtua eksperienca e pak muajve më parë kur pasi kontaktova disa instanca, askush nuk mori mundimin të më përgjigjej qoftë edhe me një rresht. Këta të bekuar nuk të përgjigjen kur janë në periudhë qetësie, duke zgjidhur hallet e popullit nëpër kafene, harroje në fushatë. Atëherë vendosa t’i hedh një sy faqes së PD mos gjej aty programin që do të sjellë mrekullinë. As aty nuk gjeta gjë, por mundimi nuk më iku fare kot. Gjeta aty fjalimin e Berishës në konventën e zhvillimit, perlat e të cilit do t’i komentoj më poshtë.
Le t’i kapim atëherë gjërat një nga një e t’a fillojmë nga ajo që e fillon dhe Berisha në statusin e tij në FB, arsimi. Sistemi ynë arsimor, doktor, është bërrnut. Të kish pak kos, do t’a quanim dhallë, por ky i yni është ujë i tëri. Rrjeti i “shkëlqyer” i universiteteve tona është shtrirë deri në Burrel e Kukës e së shpejti me sa duket do të rendë edhe drejt kufirit me Maqedoninë deri në Peshkopi, ashtu siç premtove ti gjatë ndalesës tënde atje. Nëse vazhdohet me këto ritme, brenda katër viteve që vinë do të mund të kemi universitete edhe në çdo fshat, ndërsa fëmijët e qyteteve do kenë universitetin e tyre të lagjes. Në këtë mënyrë do të mund të mikromenaxhosh pjesëmarrjen e mësuesve, prindërve dhe studentëve në takime e mitingje të PD-së akoma më mirë. Objektivi është që në çdo familje me dy fëmijë partia të prodhojë të paktën një që ka mbaruar juridikun, dy ekonomikun e njëri për IT. I gjithë ky edukim do tu duhet për karrierën e shkëlqyer që i pret si kamerierë e punëtorë hotelesh gjatë verës, punë në të cilat do të mbledhin paratë që do t’u duhen për të paguar për vendet e ardhshme të punës si infermierë, mësues, në administratë apo për të fituar ndonjë specializim.
Dhe vijmë tek sistemi shëndetësor. Përpara pak ditësh pata nderin të vizitoj një të afërmin tim në spitalin kryesor të Tiranës. Një mrekulli. Pasi pyeta ca njerëz të rëndomtë me ca bluza të bardha të zhubravitura, në një si tip zyre në të cilën ishin kapardisur për shtatë palë qejfe duke bërë muhabet, pata mundësinë të futem drejt e në reanimacion, një kapanon i ngushtë e me lagështirë në të cilin dergjeshin nja shtatë a tetë persona. Krevatet e tyre shtriheshin pranë e pranë e ata të mjerë nuk kishin asnjë lloj privacie, as dhe një perde që t’i ndante nga njëri tjetri. M’u duk si një spital fushimi pas një beteje. Për të mos folur për ata që punojnë aty. Nuk e di a di gjë t’i doktor, por për një infermiere pazari i punësimit është 5 mijë euro, e nëse t’i vetë do të vendosje të ktheheshe në profesionin tënd (ta zëmë pasi të kesh lënë politikën nëse humb zgjedhjet, siç ke premtuar) do të të duhej të paguaje shumë më tepër se dhe fitimin ju doktorët e keni më të madh (jo se e ke problem të paguash, të mos keqkuptohemi).
Që të dalim pastaj tek mbrojtja mjedisore dhe rritja jeshile. Ngjitur me banesën time po ndërtohet një pallat ndërkohë që edhe në krahun tjetër të saj vendi është rrethuar e projektuar për një tjetër. Këto ishin dy trojet e fundit të mbetura bosh. Mund të kishin qenë lulishte (nga ato që Luli yt aq shumë premton, por nga të cilat akoma s’kemi parë asnjë), por me sa duket me mbrojtje mjedisore në Shqipëri kuptohet mbrojtja e betonit nga pemët dhe bari. Ndërkohë, stacionet elektrike që ti i quan hidrocentrale po shkatërrojnë dhe ato pak rrjedha lumenjsh e sisteme ekologjike që kanë mbetur në vend. Për çfarë mbrojtje mjedisore e rritje të gjelbër flet kur po të ngjitesh në Dajt nuk e sheh dot qytetin, kur shiu që bie në vend që t’a lajë e mbulon me baltë makinën, kur kodrat gërryhen për gëlqere, kur plehrat hidhen lumenjve e fushave, ku nuk ka as edhe një kilovat prodhim energjie nga era apo dielli? Që të ketë rritje duhet të nisesh nga zero. Ndërkohë ne jemi të zhytur thellë-thellë në minus. E këtu mund të flasim edhe për fjalimin tënd në konventën e “zhvillimit”. Premton që në katër vitet e ardhshme do tërheqësh 6 miliard investime. Të rrjedh lehtë nga gjuha kjo puna e investimeve por çfarë prove na jep që mund t’a bësh këtë kur sipas të dhënave nga Banka Botërore ke patur shuma të papërfillshme gjatë qeverisjes tënde si president në vitet ’90 dhe rreth 300 milion në vit nga 2005 deri në 2010, apo rreth 5 herë më pak se Kroacia. Premton po ashtu se do të sjellësh në Shqipëri gjigandët e Hi Tech-ut dhe industrisë së makinave sepse nuk do të implementosh për ta një regjim fiskal me detyrime tatimore zero. A nuk bëre të njëjtën gjë me Shqipërinë një euro? A nuk do të jetë kjo një tjetër mënyrë korrupsioni e vjedhjeje? Ç’do të bëjnë në Shqipëri gjigandëd e Hi-tech dhe makinave? Përse do të vijnë këtu?
Pinok, në mos ja mbyllsh grykën tërësisht thesit, të paktën ngushtoja ca. Shqipëria nuk mund të bëhet vend i zhvilluar në katër vite. Kjo është gënjeshtër. Sepse nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar me një shtet të korruptuar, me parti që funksionojnë si zyra punësimi e ku partia është administrata shtetërore. Nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar në një sistem arsimi ku gjithkush ka një diplomë, por ku pak kush di diçka. Nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar kur ky që kemi është një shtet feudal ku pronari shet vendin e punës, emërimin, diplomën, specializimin, tokën, lejen e ndërtimit, lejen e shfrytëzimit e gjithçka që mund të shitet. Ku nuk ka një industri minierash, por galeri për shoferë e bodigardë, ku nuk ka një shtyp të lirë, por media të një partie apo tjetrës, ku Shqipëria trajtohet si një çiflig i madh në të cilin sundojnë feudali, familja, zyrtarët e ushtria e tij.
Sidoqoftë Sali Berisha nuk është i vetmi i cili e do Shqipërinë të zhvilluar. Por ai nuk ja mbush dot mendjen Ilir Metës për sinqeritetin e tij, megjithëse shokë llogoresh deri dje. Ky i fundit u shpreh në një takim në Tiranë se “I vetmi shqetësim për të (Sali Berishën) është si të mbajë karrigen… ndërsa shqetësimi ynë është si të vëmë Shqipërinë në punë, si të hapim vende të reja pune për të rinjtë dhe për të rejat, si t’u garantojmë një perspektivë, sepse Shqipëria për fat të keq ndodhet në një stanjacion, ndodhet në një ngërç, jo vetëm politik, por edhe ekonomik.” Ky rob zoti që ankohet për stanjacion ekonomik dhe politik deri para dy muajsh kishte nën kontroll karrigen e ministrisë së ekonomisë, të politikës së jashtme, të shëndetit dhe atë të zëvendës-kryeministrit. Ato karrige do t’i kishte edhe sot nëse nuk do të mendonte se duke kaluar me PS do të zërë edhe më shumë karrige. Për të ky kalim është shumë fitimprurës. Në koalicion me PS ai mund të zgjerojë pjesën e tij të tortës nga votat e majta, gjë të cilën do e kish më të vështirë si i djathtë, ndërkohë që merr dhe deputetë të garantuar nga listat e PS-së. E nëse kjo pjesë e tortës për çfarëdo arsye nuk i mjafton, pas zgjedhjeve mund t’a kthejë përsëri timonin djathtas.
Bashkimi me Metën tregon shumë edhe për Ramën. Jo se nuk mjaftonte trashëgimia që i ka lënë ai vargmalit me pallate që quhet Tiranë. Ashtu siç shiti Tiranën për pushtetin në PS, Rama kësaj rradhe shiti Shqipërinë për karrigen e kryeministrit, duke u bërë partner me atë për të cilin për pak sa nuk krijoi një tjetër 1997 dy vite më parë. Pasja si partner dhe sjellja si kandidat për deputet e Koço Kokodhimës, legjendar për mospagesat ndaj punëtorëve dhe partnerëve, e vë termin socialist në dyshim. Por Rama nuk e lë me kaq. Ai e bën fjalën socialist të humbasë çdo kuptim kur njofton se nëse vjen në fuqi do të privatizojë edhe doganat, ëndrra e lagur e çdo konservatori, vendosje e pastër e sovranitetit të shtetit në duar të privatit. Por PS të paktën e ka një program në faqen e saj, nëse mund të quhet program një përmbledhje fjalish ku premtohet gjithçka (300 mijë vende pune, 50 mijë më shumë se PD) por ku nuk thuhet asgjë për mënyrën se si do arrihen ato. Pjesë kryesore e këtij programi është edhe Ribashkimi me Europën. Përse ribashkim? Kur kemi qenë më parë të bashkuar? Kur ishim të pushtuar nga Roma? Ah po, në kohën e Skënderbeut. Kur na shkëputën turqit e poshtër. As Partia Socialiste nuk mundet të dalë përtej koncepteve orientaliste démodé që sjellin vetëm përçarje sociale. Rama kërkon të jetë ai që do të çojë në vend projektin rilindas, por në fushatën e tij i bie dajres e vë të kërcejnë femra me veshje orientale, një pranim i diversitetit kulturor të këtij populli. Fajin e kanë gjithmonë turqit dhe Saliu. Kjo është demokracia Shqiptare. Kjo elitë grabitqare është arsyeja pse nuk kam votuar asnjëherë që kur edhi “demokracia” e pse nuk kam ndërmend të votoj as këtë herë. Sepse në këtë të ashtuquajtur demokraci, një herë në katër vjet kam pakëz pushtet e pastaj bëhem skllav përsëri e këtë copëz pushtet dua t’a shpenzoj diku ku të ketë vlerë. Sepse refuzoj të më trajtojnë si fëmijë, të më fyejnë inteligjencën, të më vjedhin shpresën. Sepse zgjedhja më është kufizuar nga ky sistem Perëndimor që më dikton gjithçka me hegjemoninë e tij. Sepse zgjedhja ime nuk mund të jetë mes një Partie Socialiste që nuk është socialiste e një Partie Demokratike pa pikë demokracie. E di çfarë thonë, po nuk votova, është akoma më keq, pse dikush tjetër do të votojë e do t’ja japë votën atij që nuk dua. Nuk është ashtu. Sikur dhe të tjerët si unë të mos votonin, të bojkotonin këtë klasë feudalësh modernë, ndoshta do të mblidhnim më shumë pushtet, ndoshta do t’i detyronim të na dëgjonin, ndoshta do të ndryshonim diçka.