Nga Besi BEKTESHI Mbas 23 vitesh që kanë goditur më shumë se kurrë arsimimin normal të shqiptarëve, ka një shpresë të madhe. Për këtë, më duhet të përmend dy periudhat e arsimimit të vendit ndër dekada. Padyshim që arsimi kombëtar ka nisur nga viti 1920 dhe deri nga viti 1939, kemi përpjekjet për arsim kombëtar. Po, kishim përpjekjet e mëdha të një mendimi unik se “shqiptarët duhet të arsimohen” dhe që arsimi është normalisht prosperiteti i Shqipërisë. Pagat e mësuesve kanë qenë jashtëzakonisht të mira, (nga 140-200 franga ari, në vitet 1935-1939) kushtet e mësimdhënies të vështira, por dëshira për arsimim e pjesës intelektuale dhe borgjezisë që po formohej, ishte e madhe. Kujdesi për tekste dhe shkollim me bursa, ka qenë diçka e jashtëzakonshme dhe buxheti i shtetit për arsimin kalonte 5% që sot duhet si normë e BE-së. Mësuesi ishte pjesa e rëndësishme e administratës dhe Gjimnazet e Normalet, bënë punën e tyre. Bursat e shkollave të larta arrinin të nxirrnin rreth 600 persona në vit dhe besohet se dyfishi shkonte me shpenzimet e veta. Sistemi i bursave në arsimin privat ishte i madh. Mbas viteve 1944, ka filluar arsimi masiv dhe i arsimimit të vendit në mënyrë të përgjithshme. Mbas viteve 1955, filloi vërtetësisht arsimi i lartë dhe Institutet së bashku me Universitetin, dhe pas viteve 1960 dhe shtimi i fakulteteve. Shkollat shkuan deri aty ku ishte dhe malësori i fundit, dhe po ashtu edhe infrastruktura e dobët u rrit, por gjithnjë e pranishme ishte varfëria. Paga e mësuesit, ishte jo e krahasueshme me kohën e Mbretërisë, por normalisht që mësuesi dhe pedagogu merrte pagesë shumë më të lartë në krahasim me sot dhe në “exchange” të respektuar me blerjet e mundshme. Paga prej 650 – 700 lekësh të reja, e nxirrte mësuesin shumë më lart se sa del sot ai, në raport me shoqërinë. Dakord, dhe kush mundohet të kundërshtojë, më mirë të mos i hyjë problemeve, sepse e ka të sigurtë humbjen si në krahasim me kohën e Zogut, që ka diferencë të madhe dhe me kohën e diktatorit Enver.
Po të heqësh ideologjinë idiote që zinte një pjesë të arsimimit dhe tekstet, shkolla ishte e rregullt dhe padyshim në diktaturë u bë largimi nga anafalbetizmi i shqiptarëve. Sot ka dy probleme të mëdha. E para, shkolla ka humbur respektin e shoqërisë, e dyta arsimi i lartë bëhet në një masë të madhe në sektorin publik me lekë. Nuk më duhen aspak hollësitë mbi tekstet dhe palosjet e tyre, nuk më duhen shumë as ngarkesat e mbrapshta dhe aspak as modelet që nuk kanë zënë vend. Pranoj se janë bërë investime, dhe janë shtuar rrogat e arsimtarëve, por di se mësimdhënia është larg pasionit dhe rregullit të së shkuarës. E këtë e dinë të gjithë. Nuk ka nevojë as për polemika dhe as për komente elektorale. Arsimi i mesëm, është trysni mësuesish dhe një largim nga rregulli i mësimdhënies, është një feminilizim absolut, që nuk i bën mirë mësimdhënies dhe disiplinës, dhe po mjaftohem me kaq. Arsimi i mesëm, nuk është aspak partner dhe bashkëpunues me familjen, dhe nuk ruan trashëgiminë etiko-morale tonën. Nuk bën as kontrollin mbi rritjen e emancipuar të adoleshentëve. Më vjen keq, nuk e bën këtë rol si duhet ta bëjë. Ka një arritje të madhe mbi tentativën tashmë me shumë investime për arsimim privat, por që kualiteti dhe standartet janë larg. Është larguar problemi i korrupsionit të futjes në universitet, por ka mbetur pagesa në provime.
Arsimi i lartë paguhet. Nuk besoj (mbase e kam gabim) se shumica e studentëve duan qartësisht të mësojnë dhe janë më të ndershëm ata që shkojnë të paguajnë privatin dhe të jenë së paku nën kontroll akademik, se sa të paguajnë duke qenë në klube dhe kafe, larg kontrollit akademik. Nuk janë të gjithë kështu, por problemi është i madh. Pse po e shtroj këtë problem? Sepse si pa dashur më ra në dorë një pjesë e vogël i një sondazhi të bërë nga një organizatë shumë e besueshme dhe e paanshme mbi arsimin e lartë në përgjithësi. Ata e kanë kryer në disa universitetet tona kryesore me shumë teknikë të zgjuar dhe me shumë rezervim, por absolutisht nuk duan ta publikojnë përpara zgjedhjeve. Mirëpo në fushata elektorale premtimet dhe kritikat janë të shumta, por a prekin ato vërtetësisht atë që po ndodh? Besoj shumë pak, por disa të dhëna ishin tepër interesante. Sidomos për arsimin e lartë publik.
Në një universitet të rëndësishëm të vendit, rreth 30% e studentëve e konsideronin veten aq të “pasur” sa të bënin pagesat përkatëse nën dorë të kuptohemi. Ata, këtë mënyrë e kishin parësore. Pranonin të bënin këtë veprim dhe pse nuk “ankoheshin” për trysni vote. Por një e dhënë tjetër ishte se 40% e studentëve e konsideronin veten të “varfër” dhe aspak në gjendje të paguanin dhe besonin se duhet mësuar. Kurse e treta ndër shumë pjesë të pyetësorit ishte se 14% e studentëve bazonin studimin si model të vetëm të marrjes dhe plotësimit të vitit akademik.
Tani këtu është edhe ajo që të “ngroh” për të ardhmen. Qenka rritur ndërgjegjja, e akoma jo shumicës, se vetëm duke mësuar dhe përballuar dhe presionin për notën, mund të arsimohen në arsimin e lartë. Sepse të kuptohemi, është mendim nga ato nuk kishin aq lekë sa të vazhdonin arsimin e lartë privat. Duke larguar cilësinë e mundshme që njëri krah politik shpall dhe kritikat, apo edhe lavdërimet apo edhe polemikat e vazhdueshme, por edhe reformat akoma jo të përfunduara në këtë sistem, një e dhënë e tillë, të bën më tepër të kujdesshëm se kjo pjesë e deklarimit përballë sëmundjes së pagesës, është shpresëdhënëse për të nesërmen. “Të varfërit” e ndërgjegjësuar, dhe ekselenca studentore si brenda dhe jashtë vendit, janë ata që nesër mbase bëjnë dhe diferencën. Mbase është momenti që të plotësohet edhe kërkesa për vazhdimin e një arsimimi të lartë pa prodhim “skarco” dhe aspak rentabël për të nesërmen. Po, sepse nuk vlen më, nuk mund të pranosh më në punë një që nuk ka mësuar asgjë. As në shtet dhe as në privat. Do të ishte fatkeqësi e madhe. Nuk do ti shërbente askujt ky model, që paguan dhe merr notën, por që nuk di, nuk është i arsimuar qartësisht dhe definitivisht. Mbase nga kjo pjesë e atyre që nuk mund të paguajnë, por që luftojnë për tu arsimuar në arsimin publik, vjen edhe shërimi i arsimit që blen notën. Kësaj dukurie i duhet palosur reforma e plotë e kontrollit dhe të besimit në arsimimin publik dhe privat të ndershëm. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për të, që mbas viteve 2020 të fillojmë edhe kualitetin dhe standartin e afrimit me botën e qytetëruar.