Shoqëria e sotme e shekullit XXI në nivel botëror, përjeton zhvillime dhe dinamika mjaft të avancuara në shumë fusha të jetës, e sigurisht këto ndodhin sepse kjo shoqëri nisur nga niveli i zhvillimeve, nuk është më ajo shoqëri e dikurshme e nivelit primitiv apo mesjetar që i zgjidhte problemet që e shqetësonin në jetën e saj, duke i dhënë përparësi reflektimit të dhunës ndaj shtetarëve dhe qeveritarëve të vet, por sigurisht kjo mënyrë reflektimi ishte dukuri e kohës që bëhet fjalë dhe e zhvillimit të atëhershëm të shoqërisë. Nuk duhet të mohojmë faktin se shoqëria në çdo kohë, ka patur dhe do ketë problemet e saj, të cilat bëhen të nevojshme dhe të domosdoshme për zgjidhje, por sot shoqëria në stadin e zhvillimit ku ndodhet parë në shumë aspekte, ka ndërtuar të tjera organe dhe mekanizma për zgjidhjen e tyre, Natyrisht zgjidhja e problemeve që diktohen në jetën e përditshme kanë specifikat e tyre, pasi kjo varet nga natyra e problemit me të cilin kemi të bëjmë, por theksoj se çdo problem, sado i ndërlikuar të jetë në ditët e sotme, gjejnë rrugën e vet të zgjidhjes, e në këtë rrugë vlerësoj si të domosdoshme, zgjidhjen e tyre sipas arsyes, logjikës dhe më pas të veprimit të ligjit përmes institucioneve ligjzbatuese nëse lind nevoja. Le të fokusohemi tani te jeta parlamentare në vendin tonë dhe te dinamikat që ndodhin kohëve të fundit në këtë organ të rëndësishëm institucional. Në këtë drejtim dua të nënvizoj se nuk mund të arrijmë në konkluzione të duhura se kush ka të drejtë pozita apo opozita për skenarët që ndodhin pavarësisht nga dëgjesat dhe komentet e bëra nga politikanë, analistë dhe gazetarë të mirënjohur, pasi jo gjithshka e dimë nga brenda se ç’ndodh lidhur me të vërtetën në raportet pozitë-opozitë, por ama një gjë është e papranueshme dhe pikërisht për mënyrën se si po reflekton opozita me disa elementë të saj, ndaj mazhorancës për zgjidhjen e problemit që e shqetëson ( Të drejtën e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare, që sipas saj këtë të drejtë ia ka mohuar pozita ), nisur me ato që shohim deri më tani gjatë zhvillimeve në jetën e parlamentit tonë. Në këtë drejtim, gjithnjë duke iu referuar zhvillimeve të parlamentit për ato që shohim nga jashtë, mendoj se opozita për mënyrën se si reflekton në dukurinë e radhës me të njëjtën performancë, mendoj se nuk ka të drejtë, pikërisht për mënyrën se si e kërkon zgjidhjen e problemit dhe mjetet që përdor, sado i rëndësishëm që është ai. Reagimet e opozitës, na kujtojnë vërtetë sjelljet tipike që i përkasin kohës primitive apo mesjetare. Sigurisht kjo sjellje e reflektuar, është një turp jo vetëm për vetë opozitën që e reflekton përmes disa elementëve që e përfaqësojnë atë, por për gjithë parlamentin shqiptar, e pse jo dhe për gjithë vendin dhe popullin tonë si komb. Madje praktika gjithnjë ka treguar se zgjidhja e problemeve me rrugën e dhunës, ndodh pikërisht atje ku e drejta bëhet e papajtueshme me të padrejtën dhe nëse vërtetë pozita ka të drejtë lidhur me reagimet dhe qëndrimet që mban ndaj opozitës për problemin që tashmë bëhet fjalë, meriton t’i thuash mos u tund nga argumentet që ke për të drejtën që mbron. sepse opozita me protagonistët kryesor të saj që po prishin klimën e jetës parlamentare dhe mbarëvajtjen e punimeve të parlamentit, do ta shohin nesër jo mirë vetveten, nisur nga rruga e gabuar që po ndjekin në vazhdimësi, sepse e drejta nëse i takon mazhorancës do të triumfojë si çdo e drejtë tjetër. Gjithashtu për mënyrën se si reflekton opozita përmes sjelljeve që flasin për mungesë të kulturës dhe primitivitet, të bën të dyshosh që është e gabuar për të drejtën që kërkon. Madje opozitës dua t’i them se me mënyrën që reflekton dhe mjetet që përdor, po humb më shumë pikë në opinionin e gjerë qytetar nga ç’ka humbur deri më tani, gjithashtu për të tilla akte, po krijoni gjithnjë imazhin para qytetarëve tanë, se ju jeni një forcë politike destruktive dhe e pabesueshme për votëbesimin e pushtetit në procesin e ardhshëm zgjedhor. Por edhe në opinionin ndërkombëtar para syve të botës së përparuar me regjim demokratik, opozita për veprimet që bën, po krijon imazhin e keq për mënyrën se si po funksionon parlamenti shqiptar, pasi në vendet me regjime demokratike ndryshe nga ne, parlamenti funksionon duke respektuar parametrat e demokracisë, kulturën dhe etikën demokratike. Por edhe për pozitën ( mazhorancën ), dua të nënvizoj se nëse ka vend për të ndryshuar dhe toleruar lidhur me kërkesat e opozitës për të drejtën që pretendon, t’i hapë dyert dhe të mos i mbajë të mbyllura, duke menduar se e sheh veten si superiore ndaj opozitës pse ka pushtetin për momentin, që të mos bëhet shkaktare dhe burim konflikti në raportet me opozitën. Sigurisht toleranca juaj si mazhorancë nëse është e nevojshme, do i shërbejë edhe stabilitetit dhe mbarëvajtjes së punimeve në parlamentin shqiptar. Gjithashtu ky qëndrim i juaj si mazhorancë e momentit nëse është i domosdoshëm, do të ndikojë edhe për botën demokratike për krijimin e një imazhi të mirë lidhur me veprimtarinë e punimeve të parlamentit shqiptar, për kthesën e bërë nga kahja pozitive. Së fundi në pozitat e qytetarit përmes këtij shkrimi, dua t’i bëj një apel të gjitha forcave politike të vendit tonë: “Mos e mbytni me duart tuaja demokracinë e vendosur tashmë prej shumë vitesh në vendin tonë, por punoni së bashku me këtë popull për të ecur në rrugën e mbarë, për t’i shërbyer përparimit, konsolidimit dhe mbarëvajtjes së demokracisë, sepse deri më tani jemi shumë prapa me ndryshimet e pritura për zhvillimin dhe mirëqenien e vendit, nisur nga premtimet e dhëna nga forcat politike gjatë fushatave zgjedhore, si dhe nga mënyrat e qeverisjeve të radhës, të reflektuara në tranzicionin demokratik shqiptar të shumëzgjatur. Aq më tepër ky përparim dhe konsolidim i demokracisë, bëhet i nevojshëm për objektivin madhorë që ka Shqipëria për integrimin e saj në BE, një aspiratë kjo tashmë e nisur prej shumë
vitesh.