Kuvendi Kombëtar i “Rithemelimit” pa asnjë mëdyshje përbën pikën kulmore të jetës së kësaj pjesëze të opozitës. E veçanta e këtij kuvendi ishte se i mungoi tërësisht entuziazmi, interesimi si dhe komentet tek qytetarët, të cilët e përcollën me indiferentizëm. Salla edhe pse me ajër të kondicionuar, ishte e akullt. Shumë pak buzëqeshje dhe fare pak entuziazëm. Në se hedh një sy, jo thjesht tek kongreset apo kuvendet e para ca kohësh kur sallat gumëzhinin dhe dukeshin sikur do shpërthenin nga brohoritjet frenetike dhe parullat, “Rroftë Berisha, poshtë Nano”, sot “ Poshtë Edi Rama”, sallat kuvendore nuk ngjanin fare me atë të ditës së shtunë. E shtuna është fundjavë si kalendarike. Kështu u shpërfaq edhe kuvendi i pjesës opozitare të kryesuar nga Sali Berisha. Pa entuziazëm. Pa brohoritje. Pa emocione. Pa fytyra të reja në se përjashtohet e bija e doktorit, Argita, e cila i dha kuvendit, jo vetëm freski, po edhe një përvojë interesante si profesorë e jurisprudencës. Vërtetë nuk kishte entuziazëm në përgjithësi dhe i vetmi që ndihej i gëzuar ishte kreu i “Rithemelimit “, po edhe ai vetëm në dukje. Kongresi i rrethuar nga mungesa pikante. Munguan aleatët më të ngushtë deri edhe prurjet më të reja, kryesuar nga Gazmend Bardhi. Akullnajës iu shtuan edhe mungesat e delegacioneve të huaja, simotrave të së djathtës shqiptare. I vetmi semafor ndriçues ishte, deputeti i konservatorëve italianë i ish – partisë së Berluskonit, edhe ai në detyrimin për shlyerjen e një borxhi pas komunikimit me Zotin Tajani, Zv/kryeministrin e Italisë fqinje me Berishën. Askush tjetër. Asnjë mesazh nga partitë popullore të Europës. Miqtë munguan tërësisht në këtë event partiak që llogaritet si ngjarja më madhore e një force politike në jetën e saj. Mungesat ishin të paralajmëruara. E papritur ishte largimi nga kuvendi dhe mosprezenca e Bardhit me shpurën e deputetëve, aleatit dhe bashkaksionerit të revolucionit anti-Kuvend ose bashkëpunëtorit më të zellshëm për t’i vënë zjarrin tempullit të demokracisë. Asnjë përshëndetje edhe pse Berisha e përcolli mungesën e madhe me një fjali indiferente në dukje se, “nuk prishte asnjë punë mosardhja e tyre edhe pse mirë do ishte të vinte në këtë takim”, siç u shpreh ai. Ajo që ra në sy gjatë punimeve të kuvendit të “Rithemelimit” ishte ngazëllimi i Berishës dhe rrethimi i tij nga shumica e familjes. Më shumë u duk se ishte një takim për të uruar një ditëlindje pasi e tillë ishte edhe pjesëmarrja, gati familjare, jo thjesht në kuptimin biologjik, po së pari nga vetë delegatët që janë të pranishëm si në revolucione, protesta edhe në zgjedhje apo në sallën e demokracisë, ku u vihet flaka tavolinave dhe thyhen mikrofonat apo ndizen flakadanë të zhytur në parfume firmato të deputeteve foltoriste. Zakonisht në kuvendet e partive, analizohen arritjet, vihen pikat mbi “i” për humbjet dhe mangësitë. Asnjëra prej tyre nuk u evidentua në këtë kuvend. Humbje nuk ka?! Ato kanë ardhur jo për mungesë mbështetje, po vjedhje të votave. Fajtore nuk është partia, aq më pak lideri i saj, po Rama që vodhi votat. Pastaj, kush tha që nuk fituan në 14 maj?! Nuk janë pak, gjashtë bashki! Rëndësi ka esenca, kualiteti. Fitoren nuk e bëjnë numrat. Kështu, humbjet nuk janë për faj të Berishës, po të atyre që i vjedhin sistematikisht për më shumë se dhjetë vjet votat. Pikërisht për t’u treguar vendin hajdutëve të votave u bë thirrje që në ditët që vinë rinia, populli i Kamzës, Tropojës dhe Kukësit do të ngrihen në revolucion për të korrur fitore kundër regjimit dhe Ramën do ta paketojnë dhe tek Vuçiçi do ta postojnë. Kur qytetarët dëgjojnë thirrjen për bashkitë e mësipërme, vënë buzën në gaz dhe nënqeshin. Si është e mundur që tri bashkitë ende Berisha i koncepton me mendësitë e dikurshme kur votat rridhnin lumë për demokratët? Sapo kanë përfunduar zgjedhjet në Kukës aq më shumë pas skandalit të Gjicit. Dhe humbja e “Rithemelimit” bashkë me Partinë e Lirisë ishte spektakolare me mbi gjashtë mijë vota më shumë ose me diferencë, dyfish nga 14 maji. Kamza e mundi përfaqësuesin e koalicionit, Berisha- Meta me shifra marramendëse. Kështu edhe Tropoja. Atëherë cila është logjika që qytetarët e këtyre bashkive të ngrihen në mbrojtje të Berishës kur sapo treguan se nuk e kanë në llogari dhe e kanë braktisur? Kjo analizë ishte jo vetëm subjektive, po edhe tallëse. Humbet katastrofikisht dhe bën thirrje për revolucion dhe protesta të mëdha. Kësaj i thonë, ngopu me lugë të zbrazët. Është normale që në kuvend të merresh me kundërshtarin. Ta kritikosh, ta denigrosh, ta akuzosh, ta shpallësh kusar, tradhtar, vëllaun e Vuçiçit e ta etiketosh diktator. Po a është normale të mos analizosh situatën dramatike të partisë që e ke udhëhequr prej tri dekadash dhe sot nga lartësia e tetëdhjetë vjetëve të reflektosh, të mbash përgjegjësi për ndarjen dhe copëtimin në dhjetëra parti të forcës së ndarë opozitare në Shqipëri? Kjo alibia me vjedhje është si të futësh kokën në rërë si struci, të justifikosh humbjet radhazi, duke justifikuar me vjedhje votash. Është të mashtrosh veten dhe të tjerët, të mendosh se justifikimi është analizë objektive në një kohë kur ke shkuar nga humbjet në humbje. Kuvendi i “Rithemelimit” nga çdo kënd ta analizosh ishte më së shumti një rikurorëzim në fron i Berishës edhe pse një pjesë opozite pa adresë, pa emër, pa u regjistruar në gjykatë sipas ligjit. Thirrjet në kuvendin e “Rithemelimit” dukeshin si të bëra në boshllëk. Të kënaqesh me një tubim dhe ta paraqesësh si një fitore madhështore është baraz me eufori pa fre. Të gjithë i kujtojmë kuvendet kur Partia Demokratike ishte det që dallgëzonte. Me entuziazëm që ngjitej deri në qiell. Ku nuk dilnin karriget për delegatët dhe ishin të pamjaftueshëm hotelet për akomodimin e delegacioneve të partive simotra nga perëndimi. Në kuvendin e të shtunës dominoi anemia dhe mungesa e analizës. Ishte një paradë boshe pa përmbajtje dhe pa ide progresive. Ishte më shumë një furtunë anti qeveri dhe kundër Ramës. Po kjo strategji nuk të bën fitues
. Berisha përmend shumë herë se nga barku i demokratëve do të nxjerrë lepujt dhe do vendosë në to luanë dhe në kuvend deklaroi se demokratët do jenë luanët që do përleshen me mosbindje civile me pushtetin. Dhe jo vetëm me atë ekzekutiv që mbetet targeti kryesor. Pas goditjeve sistematike të kuvendit dhe delegjitimimit të tempullit të përfaqësuesve të popullit dhe gjuajtje me artileri të SPAK-ut, të cilin Berisha e etiketon “SKAP” për të mbrojtur interesat e tij dhe familjes, flet për revolucion me luanë për goditje të pushtetit me të gjitha mjetet dhe fitore patjetër. Luanët po zgjohen. Më e sakta do ishte tigrat po dalin në betejë. Mund të flasësh pa fund për tërë kafshët e fuqishme të xhunglës, për çakejtë, siç etiketon këta të pushtetit, dhelpra, ujq, kunadhe e gjithëfarëllojsh gjitarë të kontinentit. Po e tëra kjo nuk është as analizë, as fitore as revolucion, aq më pak pushtet. Dhe meqenëse Berisha flet për luanë, duket se edhe kuvendi që u mblodh në këtë vetmi, qëllimi i vetëm ishte kurorëzimi i doktorit si kryetar. Mund të thonë se ishte Kuvendi i luanëve. Vërtetë la ta besojmë, po në realitet ishte kuvend në një kafaz të akullt pa emocion, pa entuziazëm, pa analizë e përgjegjësi, pa ide dhe program. Kuvendi i foltoristëve pati vetëm një rëndësi, rizgjedhjen e Berishës përsëri!