O Çlirimtarë dhe Çlirimtare!Ju u ngjitët në mal në moshën e bukur të rinisë e të ëndrrave për jetën. Dhe nuk e merrnit me mend se ky ishte një gjest që do të hynte në histori me tërë forcën e tij sublime. Lufta Juaj Antifashiste Nacional Çlirimtare është historikisht bashkimi më i madh i popullit shqiptar që dëshmoi edhe nivelin më të lartë të emancipimit të tij. “Doli partizan. Doli partizane. Shkoi në mal. U bashkua me partizanët” etj., janë shprehje që u përdorën me një natyrshmëri të pakrahasueshme në të folurën e përditshme të ditëve të luftës dhe u futën në gjuhë si ndër stolitë më të bukura të saj. Më vonë vijuan shprehje të tjera të lidhura me fjalën partizan, si: “Heroizmi partizan. Këngët partizane. Kujtimet partizane. Veshur partizançe. Jeton partizançe. U martuan partizançe…”, që tregojnë thjeshtësinë e veprimit, por edhe hijeshinë e tij. Ju u ngritët kundër pushtuesve nazifashistë duke u hedhur në zjarrin e një lufte për liri a vdekje. Situata ishte vërtet e jashtëzakonshme, me organizime, çorganizime dhe mospajtime midis shqiptarëve, atëherë kur koha s’priste dhe tymi i luftës po përfshinte fshatrat dhe qytetet, anekënd vendin. Përfundimisht nga mospajtimet u krijua një ndarje aq dramatike, sa njëra palë u bë bashkëpunëtore me shkelësit e lirisë dhe arriti deri atje, sa t’u kthente pushkën partizanëve. Ju u rreshtuat në krahun e forcave aleate që ishin për krijimin e një fronti të përbashkët përballë pushtuesit që kishte vënë në punë fabrikën e vdekjes. Dhe qëndresa Juaj para këtijpërbindëshi të Historisë ishte heroike. Ju nuk u mëdyshët, vepruat ashtu si u ka hije bijve të vërtetë të atdheut duke u përballur me operacionet ushtarake më të egra të historisë, të cilat kishin si qëllim asgjësimin e lirisë për të cilën luftohej dhe të Ushtrisë Çlirimtare. Bashkëpunëtorët e pushtuesve ose kolaboracionistët nuk mund t’i përligjin veprimet e tyre antishqiptare, që shtrojnë disa pyetje të rënda, siç janë përgjegjësia intelektuale para një lufte që donte të rrënonte mbarë qytetërimin europian e më gjerë dhe, përgjegjësia vetjake para vendit të robëruar. “Pushtimi i huaj e vë në provë një popull të tërë, sepse ai është një akt i egër dhe masiv”, shkruan historiani francez Max Gallo. Lufta Juaj për liri krijoi kushtet që autoriteti i luftës partizane të rritej. Sjellësit e paqes nuk mund të silleshin ndryshe, por vetëm si Ju. Me shpirtin Tuaj të paepur Ju dëshmuat qëllimin fisnik për të dëbuar nazifashizmin, prandaj fituat simpatinë e njerëzve të thjeshtë, të atyre që mbajnë jetën. Pushtimi ishte një natë e gjatë me kontrolle, dhunë e vrasje, por jehona e armëve tuaja që vinte nga malet, ngjallnin shpresë në popull. Njëkohësisht ato krijonin kaos në radhët e armikut. Dhe sa herë është dashur të ecnit mes bombave që fluturonin dhe u kërcënonin me vdekje!Sa herë keni marshuar në shi e në erë, në borë dhe furtunë! Sa here shokët Tuaj vdisnin para syve Tuaj për të mbetur në imazhet Tuaja si simbol i vetëmohimit. Disa nga Ju patën fatin e zi të provonin torturën dhe të vdisnin mes torturash, sepse nazizmi, kudo në Europë, i mbushi burgjet plot. Ai kishte ngritur kampet e shfarosjes, në të cilat vuajtën burra dhe gra me fajin e vetëm se donin të jetonin në liri. Guximi Juaj i madh bëri që ta vazhdonit Luftën Çlirimtare deri në fitore, megjithë humbjet e mëdha të përkohshme, kur duhet të mbroheshit edhe nga plumbat e vëllezërve Tuaj, megjithë vuajtjet, me gjithë plagë të rënda, megjithë jetët e ikura në lule të rinisë,megjithë djegiet dhe shkatërrimet…
Lufta Juaj për liri ishte vendimtare për fatin e Shqipërisë
Për shumicën e brezit të sotëm Lufta e Dytë botërore përfundoi me fitoren e betejës së forcave paqedashëse në Europë dhe në botë kundër një armiku të egër: nazifashizmit. Prandaj Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka përmasë europiane dhe kjo na bën të gjithëve krenarë. Ju keni një emër të shenjtë që nuk mund ta ketë gjithkush: Partizanë. Përfytyrimet për atë kohë, bashkohen me kujtesën kolektive që e ka përjetësuar luftën dhe gjakun e derdhur për liri. Sado që të përpiqen forcat ekstremiste dhe neofashiste për ta emërtuar “luftë civile”, Luftën Antifashiste, e vërteta historike nuk mund të zhbëhet. Shqipëria e çliruar nga nazifashistët dhe e radhitur në krahun e fitores aleate, është një provë e padiskutueshme. Pastaj, nuk është gjë e panjohur se elemente të luftës civile ka çdo përplasje e madhe me armë. E gjithë bota e përfshirë në Luftën e Dytë botërore e ka përjetuar, por përgjithësimi shtrembëron realitetin historik dhe ushqen brezat e rinj me të pavërteta. Im atë u rreshtua i vetëdijshëm në krahun e atyre që luftuan për liri dhe ne fëmijët e tij jemi krenarë, ashtu siç janë krenarë të gjithë bijtë dhe bijat e partizanëve dhe të atyre që e ndihmuan apo e përkrahën luftën. Ai fliste rrallë për veten dhe për veprën trimërore të brezit të tij. I mobilizuar më 1942 nga qeveria fashiste, në pranverë 1943 ai u arratis nga ushtria me disa shokë dhe shkoi fillimisht në çetën e Pezës. Më vonë, u dërgua në Mallakastër, në Grupin e Tretë partizan dhe në prill të vitit 1943 u rreshtua në radhët e Brigadës III Sulmuese që u krijua në fshatin Arbanë të Tiranës. Brigada e tij, pas betejash të ashpra në Shqipëri, në nëntor 1944udhëtoi për në Kosovë, bëri përpjekje që të mobilizonte sa më shumë kosovarë në luftën Çlirimtare dhesë bashku edhe me partizanët jugosllavë e ndoqi armikun deri në Sanxhak dhe në Vishegrad. Babai i shtrenjtë u kthye në atdhe më 9 maj 1945, të nesërmen e ditës kur Rajhu III kapitulloi pa kushte pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe në Europë morën fund operacionet ushtarake. U kthye gjallë nga një luftë, e cila mori jetën e 50 milionë njerëzve në botë duke i shtuar kësaj shifre të llahtarshme edhe 20 milionë të gjymtuar. Fati e deshi që ai të mos vritej e që unë të shkruaj këta rreshta në kujtim të tij dhe të partizaneve e partizanëve të tjerë që luftuan për liri. Ai vdiq në janar të vitit 1996nga një kancer në pankreas. Qëndresën e tij trimërore përballë vdekjes nga sëmundja e pashërueshme, ne fëmijët e tij arritëm ta perceptojmë si një vazhdim të qëndresës së tij në luftë për liri kur e fshiknin plumbat e vdekjes. Qëkur ra sistemi, ai pa një pjesë të shkatërrimeve që vazhduan edhe pas vendosjes së demokracisë dhe shpesh psherëtinte pa folur për kauzën e humbur. Ai na kishte edukuar të bënim gjithnjë një punë të ndershme e të përkushtuar, prandaj vuante shumë kur vendi shkatërrohej nga forcat ekstremiste, duke përlyer ata që e ndërtuan me sakrifica të mëdha dhe kur ne, fëmijët e tij që kishim punuar deri në skajet më të largëta të atdheut duke e quajtur një detyrë, endeshim pa punë, të dënuar pa faj nga regjimi i ri “demokratik“. Propaganda e shfrenuar e elementëve ekstremistë, është drejtuar kushedi sa herë kundër Luftës Çlirimtare partizane, kundër heronjve dhe veteranëve të saj, madje është shoqëruar me veprime të dhunshme ndaj statujave dhe varreve të dëshmorëve. Vetëm në Shqipërinë ende të ngatërruar në rrjetat e një jete fisnore janë rehabilituar ata që i ka dënuar historia si bashkëpunëtorë (kolaboracionistë) të pushtuesit. “Me pushtuesin nuk duhet të ketë asnjë bashkëpunim kundër atdheut“, thotë romancieri i shquar, Pascal Quignard. Në një shoqëri demokratike ka dhe duhet të ketë falje, ajo e kthen atë në institucion, por falja duket të përfshijë vetëm të gënjyerit dhe viktimat e mjera, jo ata që kanë kryer krime. Rehabilitimi ose shqip: shfajësimi i krerëve ballistë, sidomos i atyre që bashkëpunuan drejtpërdrejt me armikun, është një vrasje pas shpine e të gjithë atyre që kryen veprën heroike të Luftës Antifashiste. Ky do të quhet njëkohësisht edhe akti më i turpshëm i Shqipërisë në kohën e re demokratike. Historiografia kudo në botë e ka parë fenomenin e Luftës së Dytë botërore në mënyrë konceptuale, e ka zbërthyer dhe e zbërthen atë herë pas here me tërë larminë e vet kur zbulohen dokumente të reja duke theksuar se Lufta e Dytë botërore është edhe lufta më e madhe ideologjike e Historisë njerëzore dhe se ajo shkaktoi një goditje psikologjike masive, me pasoja gati të pariparueshme. Të tillë e jep ajo kujtesën kolektive dhe të vërtetën historike. O Çlirimtarë dhe Çlirimtare që i sollët lirinë Shqipërisë! A e dini ju se në agimin e 6 qershorit 1944, kur ju zhvillonit kundërmësymjen për shporrjen e nazistëve nga Shqipëria, forcat aleate: amerikane, britanike dhe kanadeze, zbarkuan në Normandi të Francës, për t’i dhënë grushtin vdekjeprurës ushtrisë hitleriane. Franca qe pushtuar që më 1940, për një muaj, duke pësuar kështu humbjen më tragjike në historinë e vet. Megjithëse ushtritë aleate dhe sidomos ajo amerikane kishin teknikën më moderne të kohës dhe zbarkimi ishte në letër plani më i madh ushtarak i të gjitha kohërave, në një nga zonat e atij plazhi të madh nuk ndodhi siç qe parashikuar. Aty çdo pesë sekonda vdekja rrëmbente një ushtar. Sipas kronikave të kohës, bijve trima që kishin ardhur nga përtejoqeani, u duhej të luftonin breshëritë e zjarrit të një ushtrie që i kishte forcuar pozitat me ndihmën e kolaboracionistëve e të qeverisë peteniste të Vishisë dhe me dallgët e oqeanit që atë mëngjes ishin egërsuar. Uji u mbush me gjak dhe me trupa pa jetë, por ata që mbijetuan mes vdekjes e flakëve, nuk u dorëzuan. Ashtu si Ju. Ju jeni brezi që u karakterizua nga një frymë e lartë solidariteti internacional e që ia kushtoi jetën e tij të re lirisë. Në sajë të trimërisë Suaj, erdhi 29 nëntori, dita e Çliri
mit. Parakalimi i fitores; Enveri dhe shokët e tij që drejtuan Luftën Çlirimtare me Shtabin e Përgjithshëm e që e radhitën Shqipërinë në krahun e fitores aleate; Lulet; Ngazëllimi i njerëzve, të gjitha këto nuk mund të harrohen. Shqipëria në Luftën II botërore qëndroi krenare mes kombeve të para që e siguroi çlirimin me forcat e saj partizane. Ushtria ANÇ u shndërrua në një armatë të rregullt me partizanë dhe partizane që fituan një përvojë, për të cilën kanë shkruar me simpati të gjithë ata të huaj në mënyra të ndryshme kanë qenë dëshmitarë të Çlirimit. Pjesëmarrja e gruas në luftën çlirimtare quhet prej tyre fenomeni më emancipues i krejt shoqërisë.
Për çlirimin e atdheut rranë 28 mijë dëshmorë
Janë 28 mijë dëshmorë apo më pak, ashtu si janë lodhur duke i numëruar kundërshtarët e Luftës partizane, por ç’rëndësi ka. Dëshmorët janë djemtë dhe vajzat e këtij trualli që u përballën me vdekjen. “Lule more trima që rratë për atdhe”, i përjetëson kënga popullore. Të gjithë duhet ta kuptojmë sa të përkohshëm jemi, krahasuar me veprën e lirisë që është e përjetshme. Liria është pjesë e integritetit tonë mendor dhe shpirtëror. Çlirimi ishte një nga angazhimet më të mëdha e më të bukura të jetës së brezit të luftës. Është hera e parë në histori që një vepër kolektive pati një mbështetje të gjerë prej popullit. Datën e Çlirimit 29 nëntor 1944, humbësit, pa asnjë të drejtë janë përpjekur ta ndryshojnë duke harxhuar kot bojë, letër dhe kohë. Dihet tashmë se ajo datë u takon fitimtarëve dhe atë e kanë vendosur njëherë e përgjithmonë fitimtarët. Sipas dokumenteve të shkruara të gazetave dhe ditarëve të saj dite historike, pati takime të paharruara, përqafime të zjarrta mes atyre që u kthyen gjallë nga kasaphana e luftës dhe atyre që prisnin me ankth: nëna, motra, baballarë, gra, fëmijë, të dashura, miq, shokë…Ishte një gëzim që u shoqërua me dhimbje të thellë për të vrarët e të humburit nga lufta. Megjithatë u këndua dhe u vallëzua. U bënë festime. Çlirimi solli me vete pasione të mëdha. Njerëz që kishin jetuar tmerrin e përditshëm nën pushtim, ndien vlerën e paqes. Kudo shihej optimizmi dhe entuziazmi i një populli që i mungonte gjithçka, që nga buka e qumështi e deri te streha për të futur kokën; pa menduar për sëmundjet dhe analfabetizmin, rrugët, shkollat, spitalet,fabrikat, arat e mbjella… Por ai ishte një popull që kishte rigjetur arsyen për të jetuar: LIRINË.