PD –ja ka kohë e fragmentarizuar dhe e mbërthyer nga një luftë e brendshme e paprinciptë në lidhje me të shkuarën dhe të ardhmen. Dy grupimet kryesore janë ai i Berishës dhe i Bashës që duken larg çdo kompromisi, teksa grupimi i tretë Bardhi- Salianji shihen si satelitë, revizionues qëndrimesh,termash, referencash (jo parimesh) trajektorja e të cilëve përcaktohet thjesht dhe vetëm nga pragmatizmi – të qenit në listë si deputetë! Kjo shpërbërje, çka nxiti revanshin për të ruajtur status-kuo-në, ndodhi menjëherë pas shpalljes non-grata të Berishës nga amerikanët. Situata aktuale përngjan me fundin e Titanikut ku secili përpiqet t’i bëj hall kokës së vetë, duke peshuar gjasat, duke kalkuluar çdo mundësi shpëtimi, qoftë dhe duke u ngjitur mbi shpinën (kufomën politike) të atij që gjer dje e vlerësoi si lider ose partner. Me pak fjalë, kjo lëvizje ka gjithçka përpos moralitetit. Një dorëheqje “en-bloc” do ishte gjëja e duhur për t’i hapur rrugën të rinjve në politikë dhe për të krijuar shpresë për të ardhmen. Kjo as ndodhi dhe as ka për të ndodhur dhe termi opozitë ngjan i vjetruar. Politika prej gati një dekade është njëpolare dhe vuan apriori mungesën e konkurrencës, të alternativave që do ta bënin qeverisjen më fleksible dhe efikase. Basha shihet nga shumica e anëtarësisë si jofrymëzues dhe demagog që retushoi veten duke hequr çdo dritëhije të së shkuarës, si kolonë e pestë, teksa Berisha megjithë konsumin politik dhe të moshës së thyer arrin të ngërthejë pas vetes ende turma të lodhura, të dëshpëruara nostalgjikësh. Por jo më në masën që do dëshironte, sa të marshonin përpara sheshit të kryeministrisë si në 1998 dhe t’i jepnin një pushtet të përmbysur me dhunë. Kësisoj e vetmja zgjidhje për t’u ndjerë faktor (si në shah-mat) është kakofonia, nxjerrja jashtë shinave të normalitetit të jetës parlamentare, simbolika me shkatërrim karrigesh, kompjuterësh dhe hedhje tymsesh apo flakadanësh kundër “armiqve” imagjinarë, nën etiketimin e mosbindjes civile! Kjo përveçse do injektonte një dozë optimizmi tek mbështetësit, do bënte të pamundur heqjen e mandateve kur ta kërkojë SPAK-u. Në këtë kontekst, nën frymën e tam-tameve si të legjioneve paraushtarake, duke i paraprirë çdo eventualiteti organizoi edhe të ashtuquajturin kongres, ku pa asnjë lloj gare reale u rikonfirmua kryetar. Precedenti bëhet më i rëndë kur në shumicën e panelit kryesor ishin familjarët e tij. Prezantimi i së bijës si oratore në podium, të cilës me gjasë po përpiqet t’i kalojë stafetën, çka po e përditësojnë edhe disa media, e zbulon më së miri strategjinë. Sa është në kohë kërkon t’i vërë pikat mbi “i”, duke shmangur çdo lloj eksperimenti me njerëz jashtë oborrit të tij biologjik, si me Bashën dikur. Forcimi i pozitës së të bijës kësisoj do ishte një lloj bonusi i pakontestueshëm nga cilido, do shmangte çdo lloj penaliteti pasurie të konsideruar të dyshimtë. Partia konsiderohet fare hapur biznes familjar. Në skepticizmin që ka pushtuar të djathtën, ku cilido që mëton të shfaqet si lider është i kontestuar, dhe pse numri i mbështetësve në bazë vjen duke u rrudhur, Berisha e di se emri i tij do prodhoj një numër deputetësh në zgjedhje që do e legjitimonte si të vetmen opozitë të mirëfilltë në vend. Ky për të konsiderohet shansi i fundit, si përmbushja e një amaneti apo gare me kohën.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë