Demokracia nuk përfaqëson sistemin ideal apo sistemin më të përsosur, por sistemin më të mirë që ka njohur deri më tani shoqëria njerëzore,krahasuar me sistemet e tjera të njohura, në drejtim të grantit për plotësimin e nevojave, interesave si dhe të drejtat e popujve në vendin ku ndodhen dhe jetojnë. Ose ndryshe mund të themi se sistemi i demokracisë, është vlerësuar nga shoqëria njerëzore si më i miri,krahasuar me sistemet e tjera që ka njohur gjatë rrugëtimit të historisë, për krijimin e mundësive për zhvillim dhe mirëqenie. Sot në botë kemi shumë vende (tashmë të njohura ) që përjetojnë regjime demokratike, por jo në të gjitha vendet zhvillimet demokratike ndodhen në të njëjtin nivel. E sigurisht një fakt i tillë, ka arsyet e veta ndër të cilat mund të veçojmë:
a)- Rrethanat historike të këtij apo atij vendi në momentin e triumfit të demokracisë. E këto rrethana mund të jenë politike, ekonomike, kulturore, sociale, apo të ndonjë rrethane tjetër që është specifike për jetën e këtij apo atij vendi në momentin e kalimit në demokraci.
b)-Modeli dhe cilësia e qeverisjeve që ka udhëhequr dhe drejtuar shndërrimet demokratike, përmes reformave të ndërmarra në vendin që bëhet fjalë.
c)-Karakteri i sfidave me të cilat është përballur ky apo ai vend, në procesin e rrugëtimit rë reformave demokratike.
ç)- Niveli dhe kultura e vetë popullit të këtij apo atij vendi, për të iu përgjigjur përmbushjes së reformave demokratike të përjetuara. Rëndom, popujt e vendeve të ndryshme gjatë përballjes me probleme që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e jetës në demokraci, e kërkojnë zgjidhjen tek qeverisjet dhe drejtuesit e shtetit që i përfaqësojnë. Natyrisht mënyra e zgjidhjes me këtë rrugë është e rëndësishme, pasi qeveritë në çdo vend mbajnë peshën kryesore të përgjegjësisë për plotësimin e kushteve dhe të mbarëvajtjes së demokracisë në vendin ku funksionon demokracia, por kjo rrugë nuk duhet kuptuar si determinantja dhe e vetmja për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet mbarëvajtja e demokracisë së këtij apo atij vendi. E kjo duhet kuptuar se krahas qeverisjeve, duhet të kontribuojë edhe vetë populli i këtij apo atij vendi, për të frenuar dhe evituar problemet që bëhen barrierë për përparimin e demokracisë dhe që stimulojnë përkeqësimin e jetës demokratike në vendin e tij (parë në këtë apo në atë aspekt )dhe sigurisht ky kontribut jepet duke dhënë shembuj dhe modele pozitive përmes sjelljes, veprimtarisë dhe kulturës së vetë popullit që bëhet fjalë. E lidhur me këtë kontribut duhet të kuptojmë: sjelljen e çdo qytetari në jetën e përditshme duke dhënë modelin pozitiv, në radhë të parë duke e kërkuar këtë model nga vetja e tij ( sepse dihet që ndryshimi fillon së pari nga vetja) dhe më pas duke e shtrirë modelin që bëhet fjalë edhe tek të tjerët. Bie fjala nëse duam të luftojmë dhe parandalojmë dukuritë kriminale të varianteve të ndryshme apo ato imorale, si dhe çdo shfaqje tjetër që bie ndesh me normat dhe interesat e jetës shoqërore në demokraci, të marrim pjesë edhe ne ( masa e gjerë e popullit ), për t’i luftuar ato që në embrion dhe jo t’i lëmë të mahisen e të bëjmë sehir ndaj tyre në momentet kur përballemi, sepse e keqja që ndodh na përket të gjithëve në vazhdimësinë e jetës. Dua të nënvizoj se koha e vonuar apo mungesa e vigjilencës, i jep kohë dhe mundësi elementit negativ lidhur me problemin që bart, që të nesërmen të krijojë situatën e paparashikuar në vendin ku ndodhet dhe vepron. Sigurisht ky vlerësim dhe angazhim i yni për parandalimin e fenomeneve negative që ndodhin, ndikon akoma dhe më mirë për të ndihmuar dhe lehtësuar shtetin në luftën kundër fenomenit që bëhet fjalë, pavarësisht se i përket atij ( shtetit ) si detyrë parësore. Duke folur për kontributin e të gjithëve për mbarëvajtjen e demokracisë si dhe luftën ndaj dukurive kriminale në vendin tonë, dua të nënvizoj se elementi kriminel, imoral dhe hajdut, nuk bie nga qielli por ndodhet midis nesh, jeton në mjedisin shoqëror, duke vepruar me të gjitha format dhe mjetet për arritjen e qëllimit dhe misionit që ka dhe pikërisht nisur nga ky fakt, duhet të jemi kurdoherë të gjithë vigjilent, për ta kapur momentin në kohën e duhur. Variant tjetër për të kontribuar të gjithë në mbarëvajtjen e demokracisë, është dhënia e shembullit pozitiv në vendin ku punojmë, për përmbushjen e duhur të detyrave, kritereve dhe kërkesave që diktojnë legjislacioni dhe rregulloret në institucionin ku punojmë, sipas pozicionit dhe vendit që na është besuar. Nuk është aspak e udhës për ne kur me qëndrimet tona, i bashkohemi momenteve dhe situatave që nuk flasin për mirë dhe që prishin klimën dhe mbarëvajtjen e demokracisë në vend. Nuk është aspak mirë kur ne i bashkohemi skenarëve që flasin për rrugaçëri dhe injorancë, e që çojnë në krijimin e tensioneve të paparashikuara në vend. Ne si qytetarë lidhur me të drejtat tona në demokraci kemi bërë edhe protesta, por protestat e bëra më shumë kanë qenë të natyrës sporadike dhe jo të planifikuara dhe të organizuara mirë për të sjellë produktivitetin e duhur për kauzat që na kanë preokupuar, ndaj kanë përfunduar me dështime, pa përmendur këtu se një nga arsyet kryesore të dështimit të protestave në këtë tranzicion të zgjatur, ka qenë dhe vazhdon të jetë korruptimi i sindikatave tona ( që kanë drejtuar dhe udhëhequr protestat ) nga ana e shtetit, e këtu është fjala për krerët e sindikatave dhe kompromiset e bëra nga ata me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të shtetit tonë. Por mos harrojmë se në kuadrin e protestave të organizuara, kemi edhe raste që protestuesit u kanë shkuar pas elementëve dhe segmenteve të caktuara politike që kanë përfaqësuar opozitën shqiptare, që kërkojnë destabilitet, për t’i përdorur protestuesit si “ mish për top “, për interesat dhe qëllimet e tyre egoiste, ku në plan të parë ka qenë arsyeja politike ( rrëzimi i kundërshtarit të momentit dhe marrja e pushtetit nga ana e tyre ). Nisur nga jeta në demokracinë shqiptare të momentit,parë në tërësinë e dinamikave të ndodhura, rezulton se kemi nevojë shumë të ndjekim dhe të respektojmë modelet dhe eksperiencat e mira të demokracive në vendet tashmë të njohura, e këtu është fjala jo vetëm nga qeveritarët dhe drejtuesit e shtetit tonë në demokraci, por edhe vetë ne si popull për kulturën dhe nivelin e ulët që reflektojmë me sjelljet tona në proceset demokratike, ndaj jemi këtu ku jemi nisur nga niveli i zhvillimit të vendit, krahasuar me mjaft vende të tjera me regjime demokratike. Lidhur me mbarëvajtjen e demokracive në vende të ndryshme të botës, praktika ka treguar se faktorët kyç që rriskojnë dhe kërcënojnë demokracitë janë: respektimi i të drejtave të njeriut dhe korrupsioni në administratë, fenomene të cilat tashmë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prezente në jetën e vendit tonë në tranzicion, madje në përmasa galopante siç ndodh me korrupsionin në administratë dhe me përfaqësues e zyrtarë të lartë të shtetit shqiptarë të përfshirë në korrupsion, ku emrat e disa prej tyre janë bërë të njohur tashmë për ne, por jemi në pritje nga organet kompetente, për të mësuar edhe më shumë në këtë drejtim në të ardhmen. Në mbyllje dua edhe njëherë të nënvizoj se për demokracinë dhe mbarë
vajtjen e saj, krahas shtetit duhet të kontribuojmë të gjithë ne si popull, në duam përmirësimin e jetës në vendin tonë si një vend me regjim demokratik.