Nga muaji janar qeveria njoftoi se ka krijuar një komision shtetëror për festimin e 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut. Lajm i mirë dhe të gjithë forcat përparimtare të kohës u gëzuan për nisjen e një pune të tillë të mbarë për këtë jubile të madh. Por vajti ditë që ky komision ende nuk ka dhënë ndonjë fije shprese se ka përcaktuar diçka për vete dhe subjekte shtetërore dhe private për organizimin dhe përkujtimin e këtij jubileu, siç është festa e çlirimit të Atdheut më 29 nëntor 1944. Forca politike të majta dhe të djathta ende nuk janë prononcuar dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë jubile, pa le më që të marrin pjesë në veprimtari dhe në përkujtimore për dëshmorë, si dhe për njësi partizane që kanë vitin jubilar të 80 vjetorit të rënies apo dhe të krijimit të tyre në atë luftë epope. Muaji i parë i vitit iku, tani jemi në gjysmën e muajt të dytë, por asnjë lëvizje. Është e çuditshme se nuk zihet në gojë ky jubile, kur në Tiranë nga institucione, përkujtohet 104 vjetori i Tiranës si kryeqytet, por nuk thuhet një fjalë për këtë 80 vjetor, kur dihet që në Tiranë është shkruar një pjesë e historisë së popullit shqiptar. U përkujtua në mënyrë solemne inagurimi i një shenje të historisë të UÇK-së këtu në Tiranë dhe konkretisht në fshatin Suroi, por që nuk u tha një fjalë nga drejtuesit e bashkisë për këtë 80 vjetor të çlirimit të Atdheut.
A thuan se ende nuk është dhënë orientim nga të mëdhenjtë, kur duhet folur për këtë përvjetor, apo ndruhen se mos prishin qejfin e atyre që luftuan në krahë të pushtuesit dhe na zëmërohet Europa. Në rrjetet sociale thuhet nga poshtë, por dhe shkruhet nga ndonjë bashki apo dhe ndonjë deputet, se u përkujtua me Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut (kur quhet Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut) dhe me Organizatën e Veteranë të LANÇ (edhe kjo për gjysmë emri i saj), krijimi i një çete partizane, batalioni apo brigade sulmuese dhe shprehen se “nderojmë dhe respektojmë veprën heroike të partizanëve”. Edhe emrin e organizatave të cilat janë miratuar me ligj në Kuvendin Popullor e shkruajnë gabim dhe jo siç quhen në të vërtetë këto organizata deri tani patriotike dhe mbrojtëse të gjakut dhe të sakrificave të pareshtura të bëra në atë luftë që solli lirinë e shqiptarëve. Si duket përfaqësuesit e bashkive apo dhe deputet e ndonjë tjetër i madh e bëjnë me sforco sepse ata i kanë aty (votuesit) në çdo kohë dhe ju kërkojnë atë të shkretë votë nesër… E theksojmë këtë sepse, edhe pse pushteti vendor dhe qendror e kanë për detyrë të kujdesen për këto organizata, por dhe të zgjidhin e të mbështesin frymën e tyre për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e simboleve të kësaj lufte që e radhiti Shqipërinë midis fitimtarëve të saj.
Në saj të kësaj lufte Shqipëria siguroi pavarësinë dhe lirinë, dhe për këtë 80 vjet është e lirë dhe sovrane në vendin e vet. Kjo liri erdhi nga gjaku i derdhur nga bijtë e saj më të mirë në luftë, por dhe nga rezistenca e madhe e bërë prej partizanëve, sot veteranë dhe të popullit të rreshtuar në njësitë partizane të rregullta të krijuar në luftë e sipër. Këtë nuk mund ta mohoi askush, as dhe të humburit e kësaj lufte. Një javë gazetat rresht shkruan për një djalë veterani se në festën e njësisë ku babai i tij kishte qenë partizan dhe drejtues, kishte vendosur shallin simbol të kësaj njësie. Deri këtu arrijnë që këto simbole, kjo ngjyrë e kuqe e luftëtarëve të lirisë të mos shfaqet gjëkundi, ta heqim si diçka të keqe. Këtë ka bërë politika majtas e djathtas këtë vite të demokracisë. Ikën rinia se nuk i flitet për heroizëm, nuk i sigurohet punë, nuk bëhet edukim në familje dhe në shoqëri, dhe të rinjtë hapin sytë kur dëgjojnë për heroizëm të shqiptarëve në shekuj…
Lapidarë dhe pllaka përkujtimore që lyen me gëlqere…
Por fatkeqësisht këtë luftë dhe këtë sakrificë sot duan ta mohojnë, të mos ta përkujtojmë, të heqin nga muzeumet, të prishin simbolet e kësaj lufte, të hiqet nga tekstet e historisë të Shqipërisë, a thua se ky popull ka ndenjur duarkryq dhe se luftën e kanë fituar ata që u bashkuan me pushtuesit. Kështu në këtë Tiranë që ka 104 vite kryeqytet, shenjat e historisë për këtë luftë janë të pakta, një lapidar i Qemal Stafës është në dekadencë, një lapidar i tre heronjve të Kodrës së Kuqe, i shqyer nga rënia e pllakave, një lapidar i Heroinës Mine Peza, i tkurrur, një bust i Qemal Stafës në mes të një lulishte pa një flamur, pa lule, pa ndriçim, ja kjo është simbolika e kësaj lufte. Në Tiranë nuk ka një muze të luftës, janë hequr pllakat përkujtimore të shtëpive muze dhe të qendrave të para të fillimit të rezistencës shqiptare, por dhe ku kanë ngelur, janë të thyera, pa ndriçim dhe të dalë boje. Është një turp i madh që lapidarët lyhen me gëlqere të bardhë atë ditë që është përkujtimorja, në një kohë kur Tirana dhe Shqipëria pret e përcjell turistë nga gjithë bota, por në guidën turistike këto shenja të mbetura nga ajo luftë nuk janë të vizitueshme se janë në gjendje të mjerueshme.
Besoj se pushtetarët e dinë, e kanë parë dhe prekur, por gjendje ka ngelur në vend. Nuk po flasim këtu për botime të veprave të kësaj lufte se është një marrëzi, po t’u thuash se kërkohet një ndihmë për të botuar një monografi të heronjve e dëshmorëve, të bëhet një emision në TV, të shkruhet një dokumentar, të flitet për këtë luftë, por jo, emisionet mbushen me hypi zbriti ky apo ai, u thirr në SPAK dhe pritet arresti, korrupsioni, droga, krimi, prostitucioni, zgjedhje, si njohim zgjedhjet, etj. Kjo është atmosfera që ka nisur për të festuar 80 vjetorin e çlirimit të Atdheut. Dhe këto Organizata që përmenda, kanë nisur ndonjë propozim në administratën vendore, se në qendrore se marrin guximin, për të bërë diçka dhe janë në pritje të një përgjigje…me frikë në zemër se mos i shqetësojnë drejtuesit të cilët kanë punë shumë dhe nuk u del koha të kthejnë vëmendjen nga këto organizata patriotike që kërkojnë për të nderuar të rënët për Atdhe.