Gjiri i Sarandës (e thelluara e Sarandës) është mbyllur me vijë të drejtë bazë, sipas nenit 7 të UNCLOS 1982, qysh nga viti 1976, si dhe nuk plotëson kushtet gjeometrike, në përputhje me nenin 10 të UNCLOS 1982, për ta klasifikuar si gji “historik”. Ajo mbyllet me një vijë të drejtë nga Kepi i Qefalit deri tek Kepi i Mërtesës.
Që një e thelluar, si gjiri i Sarandës, të shpallet “gji” juridikisht në përputhje me nenin 10 të UNCLOS 1982, duhet të plotësoi dy kushte: 1) sipërfaqja e të thelluarës të jete më e madhe se sipërfaqja e gjysmërrethit me diameter dy ekstremet e të thelluarës dhe 2) distanca e hyrjes midis dy ekstremeve të gjirit të jete më e vogël se 24 milje detare ose 44.448 km. Pra Gjiri i Sarandës plotëson vetëm një kusht, atë të distances e cila është 7,32 milje detare ose 13,57 km. Kjo pasi sipërfaqja e të thelluarës (44,0346 km²) është 28.2898 km² më e vogël se e gjysmërrethit (72,3244 km²).
Por dhe aplikimi i nenit 7 të UNCLOS 1982 mbi të thelluarën e Sarandës është e diskurueshëm, pasi ky nen i referohet rastit të fjordeve norvegjeze. Dhe rasti i bregdetit shqiptar lë hapësirë për diskutim nëse paraqet rastin norvegjez apo jo.
Vija e drejtë bazë e Shqipërisë është ndërtuar në vitin 1970 dhe 1976. Ajo mbyll me vijë të drejtë bazë nga Derdhja e Bunës deri në Kepin e Gjuhëzës (deti Adriatik) dhe nga Gjiri i Gramës deri tek Kepi i Mërtesës (Deti Jon), kep në jug të gjirit të Sarandës. Nga të gjitha të thelluarat e mbyllura me vijë të drejtë bazë vetëm Gjiri i Drinit dhe Gjiri i Vlorës plotësojnë kushtet e nenit 10 të UNCLOS 1982. SHBA e kanë kontestuar vijën e drejtë bazë në vitin 1989, por vetëm për Detin Adriatik. SHBA kanë përllograritur se për shkak të ndërtimit të kësaj vije nga Kepi i Rodonit deri në Derdhjen e Lumit Vjosa Shqipëria ka përfituar 113 km2 nga deti ndërkombëtar (1,7%), nga afërsisht 6340 km² që është deti kombëtar i Shqipërisë. SHBA nuk kontestuan apo llogaritën përfitimet për vijën e drejtë bazë të Shqipërisë në bregdetin jonian, pasi ajo vijë ndikon vetëm në vijën delimituese me Greqinë.
Por, vija e drejtë bazë e Shqipërisë, duke perfshire edhe atë në Detin Jon ka fituar legjitimitet pasi:
1) pas vitit 1989 SHBA nuk e kanë kontestuar më;
2) mbi bazën e kësaj vije (e Detit Adriatik) u arrit Marrëveshja me Italinë për delimitimin e shelfit kontinental në dhjetor 1992;
3) vija e drejtë bazë është depozituar në korrik 1993 në OKB;
4) brenda 10 vjetëve nga depozitimi në OKB asnjë shtet duke perfshire Greqinë dhe SHBA nuk e kanë kontestuar këtë vijë; dhe
5) Greqia e ka njohur vijën tone të drejtë bazë në Detin Jon, duke perfshire edhe atë të Gjirit të Sarandës në negociatat e vitit 2018 dhe në parlament nga Ministri i Punëve të Jashtme në 1 mars 2018, duke u shprehur “se u detyruam ta njohim pasi nuk është kontestuar brenda afateve ligjore”.
Pra në çdo negociatë me Greqinë vija e drejtë bazë e Detit Jon, duke perfshire edhe të Gjirit të Sarandës nuk mund të kontestohen më. Kjo vijë do të përdoret për detimitimin e detit territorial dhe ka një efekt prej 40 km² në favor të Shqipërisë në përcaktimin e vijës delimituese të detit territorial.
Por, si mund të rrëzohet kjo vijë? Ka dy mënyra:
1) Nëse në Hagë palët, Shqipëria dhe Greqia, shkojnë për të gjithë çështjen, duke e trajtuar kështu edhe vijën e drejtë bazë të Shqipërisë si mosdakordësi. Në këto kushte Gjykata e Hagës do të vendosi në diskutim, përveç Gjirit të Drinit dhe Vlorës, përputhshmërinë e saj me nenin 7 (rasti norvegjez), që me shume gjasa do ta rrëzojnë pjesën më të madhe të vijës, duke perfshire dhe Gjirin e Sarandës. Tashmë vija e drejtë bazë e Shqipërisë është e dakordësuar dhe nuk ka pse të shkojë si mosdakordësi në Hagë.
2) Nëse Shqipëria shfuqizon vijën e drejtë bazë në Gjirin e Sarandës dhe e shpall atë gji “historik”. Gjiri i Sarandës duke mos plotësuar kushtet e nenit 10, nuk mund të shpallet gji “historik”. Por, edhe nëse shpallet vija e drejtë bazë do të përputhet me vijën aktuale të vitit 1976. Ana më negative e këtij procesi është se ne i japim mundësinë Greqisë të nisi procedurën e kontestimit nga e para, ndërsa për vijën aktuale e ka pranuar.
Kushtet për të shpallur një gji “historik” janë:
1) Kushti i parë dhe i domosdoshëm që një e thelluar të shpallet gji “historik” dhe të mbyllet me vijë të drejtë bazë është që të plotësojë kerkesat e gjirit “juridik” (UNCLOS 1982, neni 10). Pra, sipërfaqja e gjysmërrethit me diametër sa dy ekstremet e gjirit të jetë më e madhe se sipërfaqja e të thelluarës (pozitive), si dhe distanca e dy ekstremeve të gjirit të jetë më e madhe se 24 milje detare.
Gjiri i Sarandës nuk i plotëson asnjërën nga këto kërkesa, pasi diferenca e dy sipërfaqeve është negative (-28.2898 km²) dhe gjerësia e hyrjes në gjirin e Sarandës është më e vogël se 24 milje detare (13, 57 km ose 7,32 milje detare).
2) Shteti bregdetar duhet të demostrojë:
a) ushtrimin i autoritetit të tij, në vazhdimësi dhe për një kohë të gjatë
b) vullnetin për mbajtjen e hapur të gjirit
c) të bashkëpunojë me shtetet e tjera për kërkimet oqeanografike etj.
3) Të arrijë statusin e tij juridik nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe. Pra, nëse vija e drejtë bazë nuk duhet të kontestohet, siç nuk është kontestuar deri tani dhe ka fituar legjitimitet, një gji “historic” duhet të miratohet me marrëveshje ndërkombëtare. Kjo procedure nuk është e përcaktuar në UNCLOS 1982, por është praktikë e të drejtës zakonore ndërkombëtare.
Si përfundim, nëse Shqipëria shfuqizon vijën e drejtë bazë të saj në Gjirin e Sarandës dhe e shpall atë gji “historik”, nuk bën gjë tjetër veçse i krijon mundësinë proceduriale Greqisë ta kontestoj atë. Kjo do të kishte të njëjtin efekt si vija e drejtë bazë aktuale të shqyrtohet në Gjykatën e Hagës. Nëpërmjet shpalljes së Gjirit të Saran
dës gji “historik”, rrisku për të lënë pa vijë të drejtë bazë Gjirin e Sarandës është i shume i lartë dhe po ashtu humbja e 40 km² të efektit të saj në vijën delimituese të detit territorial.
Por, UNCLOS 1982, Neni 10, është i qartë. Gji “historik” mund te mbyllet një e thelluar që plotëson kushtin e gjysëmrrethit (gjiri i Sarandës nuk e plotëson) dhe ka hyrjen më të madhe se 24 milje detare (po ashtu gjiri i Sarandës nuk e plotëson).