Këtë verë patëm një gëzim të madh. Patëm midis ne gjyshërve dy nipërit dhe mbesën të ardhur nga Amerika. Nuk e di nëse i kanë regjistruar si turistë,por kjo nuk më shqetëson shumë. Ajo që më shqetësoj ishte, sepse s’dhashë dot përgjigje njërës prej pyetjeve,që më drejtuan. Për t’i kënaqur, por dhe për t’u treguar zhvillimin e kryeqytetit të Shqipërisë,Tiranën,bëmë disa ecje nëpër rrugët e saj. Qëndruam para monumentit të ” Skënderbeut” për të cilin s’patën nevojë t’u flisja,sepse e dinin historinë më mirë nga unë. Pas njohjes me muzeun e LANC, ligjërova pak, për 15 katshin, i cili tash duket si xhuxhmaxhuxh para kullave,që e rrethojnë. Për orën, që është simboli i Tiranës,por tani edhe kësaj, nga kullat që e kanë rrethuar,jo vetëm e humbi simbolikën,por po i merret fryma, aq sa edhe zëri i kambanës, që lajmëron sa është ora nuk dëgjohet më. Gjithashtu u fola pak për xhaminë e “Hetem Beut” dhe përse shpëtoi pa u prishur në kohën e sistemit Komunist. Vazhduam me monumentin te rruga e “Barrikadave, i cili emërtohet “Ushtari i panjohur”. Ai është simboli i fitores së luftës për çlirimin e Tiranës dhe është quajtur e duhet të quhet ” PARTIZANI FITIMTAR”. Gjithashtu u shpjegova arsyen e emërtimit të kësaj rruge, pranë së cilës është vendosur monumenti, rruga e ” Barrikadave”. Lamë sheshin”Skënderbej”,ministritë, hymë në mes të bllokut. Kurioziteti ishte të shikonin shtëpinë në të cilën ka banuar Enver Hoxha. Pyetjes se si ka jetuar populli ynë në sistemin komunist i udhëhequr nga Enver hoxha, u fola pak gjatë,sepse ata nuk kanë lindur në Shqipëri. U fola për gjendjen e Shqipërisë para çlirimit,u fola për të mirat që bëri sistemi komunist duke filluar nga arsimimi i popullit,zhvillimi i industrisë, bujqësisë. U tregova edhe të metat e atij sistemi sidomos për lirinë e fjalës, luftën e klasave, internimet dhe si e priti populli ynë vendosjen e sistemit demokratik… Unë flisja, por ata më shumë shikonin rreth e rrotull duke lexuar tabelat që emërtohen lokalet. Pasi ecëm në disa rrugë, te rruga ” Sami Frashri” u ulëm në një lokal për të shijuar nga një akullore
Erdhi kamerieri.
Pa thënë ai se ç’dëshironim, nipi i madh i thotë:
– Please bring us ice cream!
-Unë e shikova duke i thënë:- cila ishte arsyeja që i fole anglisht?
– Pse, kjo lagje nuk është lagje që banojnë amerikanë, apo dhe të huaj nga shtetet të tjera? Pse, banojnë dhe shqiptarë këtu? Pyetja ishte- si thotë populli- me thumb.
-Edhe kjo lagje banohet nga shqiptarë. Mund të këtë edhe të huaj,por mendoj se do të jenë shumë pak- i fola për ta bindur se nuk ishte lagje me banorë të huaj.
– Po si ka mundësi që të gjitha emërtimet e lokaleve janë shkruar në anglisht? Nuk lexuam asnjë emërtim lokali në gjuhën shqipe. Po thuaj në gjithë Tiranën lokalet e shërbimeve janë shkruar në anglisht.
Pse s’i shkruani në shqip dhe pastaj në anglisht?
Heshta! Heshta, por me vete thash.
– Të rrojë Bashkia, Instituti i gjuhësisë, Akademia e Shkencave,por pse jo dhe gjuhëtarët e mirëfilltë si dhe ne populli, që po lejojmë, jo vetëm deformimin e gjuhës,por dhe mos shkrimin e saj. Mos vallë duke mohuar gjuhën,bëhemi perëndimor dhe veçanërisht amerikan? A nuk duhet t’na vij turp,kur këtë vërejtje na e bëjnë dhe fëmijët e fëmijëve tanë emigrant?