Krahas polarizimit të kapitalit, pra krijimit në një anë të polit të varfërisë ngjethëse dhe në tjetrin të polit të pasurisë marramendëse, siç pat shkruar Karl Marksi, polarizimi i njerëzve, ndarja artificiale e tyre në dy kampe, shënon fillimin e fundit, ose, thënë ndryshe, krijon atë gjendje mendore të mjaftueshme për shpërthimin e një konflikti me përmasa të mëdha. Për më tepër, nëqoftëse kemi të bëjmë vetëm me dy ideologji antagoniste, përçarja e shoqërisë bëhet realitet i padiskutueshëm. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, simboli i kapitalizmit, janë të fragmentuara. Një skizofreni politike pa precedent i ka ndarë amerikanët në mbrojtës dhe kundërshtarë të Presidentit. Por, veçanërisht për ne, si shtet i vogël, polarizimi i shoqërisë, mungesa e unitetit të mendimit e të veprimit, në emër e në të mirë të atdheut, të kombit e të vetë shoqërisë, mbart rreziqe të paparashikueshme. Aq më tepër kur kemi parasysh që polarizimi në fazë të avancuar i kapitalit, mund t’i bëjë shtresat e varfra të përqafojnë, pa u thelluar shumë, rrugë të gabuara, pa e ditur se ato mund t’ua rrezikojnë jo më pak ekzistencën. Nuk duhet të harrojmë që polarizimi çon në shpërbërje! Modelin zanafillor të një dukurie të tillë e gjejmë në veprën e Suiftit “Në vendin e xhuxhëve”, shkruar mbi dy shekuj më parë. Xhuxhët apo liliputët grindeshin sepse perandoresha e tyre preu një gisht teksa përpiqej të pastronte guaskën e një veze. Kjo ngjarje shërbeu si shkas që të miratohej një ligj sipas të cilit të gjithë duhej t’i thyenin vezët vetëm në kahun tjetër. Kaq mjaftoi që liliputët të ndaheshin në dy kampe: në ata që i thyenin vezët në skajin korrekt (ligjërisht i tillë) dhe në ata që vazhdonin t’i thyenin në cepin e mprehtë. Tash e tutje konflikti rrezikonte të shpërthente në çdo moment midis dy kampeve të krijuara artificialisht. Polarizimi bëhet sipas kriteresh të ndryshëm. Liberalë apo konservatorë, socialistë e demokratë, duke u kujdesur vetëm për interesat e tyre, dashur pa dashur ndikojnë jo pak në jetësimin e polarizimit. Zhdukja e shumë partive dhe promovimi i vetëm dy prej tyre, çon në fragmentimin sistematik të mendimeve. Ndërkaq pa vonesë do të shfaqen fanatikë në të dy kampet, anëtarë dhe më pas simpatizues të tyre! Mund të duket çudi, por polarizimi ze fill që në kopësht, ku fëmijët njihen me bëmat e djaloshit trim kundër përbindëshit, i pari përfaqësues i së mirës, i dyti i së keqes. Më tej përleshja mes tyre është e vetmja zgjidhje dhe përfundon me mposhtjen e vrasjen e përbindëshit. Edhe filmat, kryesisht perëndimorë, kanë jo rrallë subjekt polarizimin: të mirët, pra heronjtë, kundër të liqve. Heronjtë ngadhënjejnë gjithmonë dhe vendosin drejtësinë, ose, më shkoqur: krijojnë një koncept të ri – e drejta është vetëm në anën tonë dhe të tjerët gjithnjë gabojnë! Jo më pak i rrezikshëm është edhe polarizimi artificial. Ky e ka burimin në ish-viktimat, tek të cilat plagët emocionale nuk janë shëruar. Mjafton t’i gërvishtësh pak dhe përkeqësohen. Mund të marrësh, bie fjala, një të ish-deklasuar dhe ta nxitësh të kërkojë „diskriminim pozitiv” duke i premtuar favore, në radhë të parë financiare, në këmbim të pranimit që të bëhet bashkëpunëtor i njërit apo i tjetrit kamp. Polarizimi, ritheksojmë, mund të çojë në konflikte të mëdha. Sot, në të dy kampet, që janë në garë të ethshme e të vazhdueshme për pushtet politik dhe ekonomik maksimal, gjallojnë, më shpesh të kamufluar e më rrallë haptaz, dy komponentë ndërluftues. Njëri i përket së majtës ekstreme, me prirje neomarksiste, tjetri së djathtës ekstreme, me prirje neonaziste. Polarizimi nuk bën hapa prapa. Me t’u hedhur farat e konfliktit, në rrafsh ideologjik, pas një farë kohe, ndoshta pas dy-tre vjetësh, mund të kalojë në veprime konkrete, sipas citatit biblik: “Mendimi për të kryer mëkat është më i rëndë se sa mëkati vetë”. Me t’u rrënjosur në mendjen e dikujt, ideologjia ekstremiste zhvillohet me shpejtësi dhe infekton të tjerë. Sidomos fëmijët dhe të rinjtë që janë të manipulueshëm më lehtë dhe që, me kalimin e kohës, kur rriten, ua përcjellin mesazhin negativ më të rinjve.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë