Kur po lexoja disa artikuj në fushën e psikologjisë, më ranë në sy menjëherë dy terma të çuditshme “Sindroma Münchhausen” dhe “Sindroma Hubris”. M’u dukën vërtet në fillim pa kuptim.Madje kjo e fundit njihet ndryshe si “Sindroma e pushtetarëve”.Hulumtova dhe kërkova nëpër faqe të ndryshme librash dhe interneti, se çfarë qenë këto koncepte, çfarë do të thoshin, çfarë kuptimi kishin, sepse besoj, se shumë pak vetë i dinë dhe kanë informacione lidhur me këto sindroma. Sindroma e parë lidhet me emrin e një fisniku gjerman nga principata e Brunsëick-Lüneburg, që quhej Hieronymus Carl Friedrich Freiherr von Münchhausen, i cili në historinë botërore njihet si “Baroni mashtrues”, sepse ai tërë jetën e tij jetoi duke shpikur dhe trilluar historitë dhe përvojat e tij jetësore deri në një fantazi të shfrenuar dhe njerëzit, që e dëgjonin atë, i merrnin për ngjarje reale dhe të vërteta, sikur ai i kishte përjetuar vetë personalisht. (Dëgjuesit e tij hanin sapunin për djathë.) Sindroma Münchhausen është një çrregullim, ku personat e prekur shpikin një sëmundje fizike ose një traumë psikologjike për të tërhequr vëmendjen, për të ngjallursimpati dhe dhembshuri tek të tjerët. Pra, sindroma Münchhausen është një çrregullim i rremë, një çrregullim mendor, në të cilin një person në mënyrë të përsëritur dhe qëllimisht vepron, sikur të ketë një sëmundje fizike ose mendore, kur në të vërtetë nuk është i sëmurë.Njerëzit me sindromën Munchausen prodhojnë ose ekzagjerojnë qëllimisht simptomat në disa mënyra.Ata gënjejnë dhe falsifikojnë aspektet e jetës së tyre dhe të shkuarës së tyre.Ata i shkaktojnë dëmtime vetes dhe qëllimisht e lëndojnë veten e tyre. Ndërsa sindroma „Hubris“, sipas psikologëve, ndodh tek personat, që udhëheqin dhe drejtojnë dhe kanë pushtet, veçanërisht, kur janë në pushtet për një kohë të gjatë dhe kur këta njerëz kanë arritur shumë suksese. Pra, sipas psikologëve, sindroma e merr spunton prej asaj, që ndryshe rëndom quhet, „dehja nga suksesi“ dhe kjo gjendje psikologjike zbehet, deri sa zhduket, kur personat e humbasin pozicionin e tyre social, shoqëror dhe politik. Madje mjeku dhe politikani Lord David Owen e karakterizon këtë sindromë, si një sjellje arrogante, e cila frymëzohet nga mendjemadhësia dhe që shoqërohet me një kurim të theksuar të vetvetes deri në mani. Kjo do të thotë, që këta pacientë bëjnë veprime dhe gjëra, që të venë në dukje dhe të nxjerrin në pah bëmat e tyre, duke i dhënë atyre një rëndësi të ekzagjeruar dhe duke humbur kështu vëmendjen nga objektivat, që duhet të realizojnë në fund. I kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi imazhit dhe pamjes së tyre deri në narcizëm.Ata ndjejnë një lloj eksitimi ekzaltues ndaj veprimeve të tyre personale.Ata kanë tendencën, që të flasin gjithmonë në vetën e tretë.Ata kanë një vetbesim të tejkaluar lidhur me mendimet dhe gjykimet e tyre personale dhe zotërojnë një lloj konsiderate neveritëse dhe të ulët ndaj këshillave dhe kritikave të të tjerëve dhe të kundërshtarëve të tyre.Në këtë mënyrë ata me vetëdije humbasin kontaktin me realitetin, ku jetojnë dhe kryejnë veprime impulsive të pamatura dhe shumë neurotike, të cilat ata i çojnë drejt ndjesisë së paaftësisë personale.Të mos harrojmë që termi “Hubris” vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin e mendjemadhësisë, të arrogancës dhe të krenarisë dhe që është e kundërta e maturisë dhe modestisë. Kur po e lexoja këto materiale, të cilat m`u dukën shumë interesante, mendja më vajti tek politika jonë, tek politikanët tanë “të ndershëm”, tek ata “baronë mashtrues”, që gënjeshtrën dhe mashtrimin e kanë kthyer në profesion dhe që qeshin dhe tallen me të vërtetën reale. Ata përpiqen që të bëhen të besueshëm midis njerëzve. Këta “baronë mashtrues” kanë arritur deri aty, sa ato, që ata thonë vetë, nuk i besojnë ata të parët, sepse e dinë, që është kryekëput një mashtrim i pastër, por nuk kanë çfarë të bëjnë, sepse ata janë të varur nga këto sindroma. Ata përpiqen me të gjitha mënyrat të shfaqin veten, sikur nuk janë ata në të vërtetë. Madje ata me koshiencë të plotë hiqen si të sëmurë për të përfituar në mënyrë indirekte, p.sh: Kur duam t`i shpëtojmë drejtësisë duke shpikur lloj – lloj rastesh apo sëmundjesh, vetëm e vetëm, që të mos dalin para organeve të drejtësisë. Pra, politikanët tanë mendojnë gjatë gjithë kohës, sesi të gjejnë mënyrat dhe rrugët, që të bindin mjekun (në rastin tonë popullin shqiptar), që ai t`i marrë seriozisht ankesat dhe vuajtjet e tyre (përrallat, broçkullat, gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre të përditshme).Por ata harrojnë faktin, që këta politikanë janë tjetërsuar dhe shndërruar, sapo kanë hipur në karrige, sapo kanë marrë një post drejtues, sepse personaliteti i tyre është hubris.Ajo, që vërejmë tek politikanët tanë dhe që është shumë e theksuar, është fakti, që këta njerëz me pushtet zotërojnë një krenari të tejskajshme dhe një besim shumë herë përtej limiteve, si edhe vuajnë nga një ndjesi përbuzjeje e plotë dhe një ndjesi superioriteti të pavlerë ndaj të tjerëve. Politikanët tanë kanë gjithmonë tendencën, që të flasin si Jezu Krishti, si dikush, që ka gjetur çelësin e artë të një vërtete absolute, si dikush, që vetëm rekomandon dhe jep direktiva, pa ia ditur rëndëisnë dhe peshën e tyre në realitet. Por lind pyetja: Çfarë duhet të bëjë mjeku (në rastin tonë populli shqiptar)? – Ai nuk duhet t`i justifikojnë asnjëherë këta lloj pacientësh dhe t`u japi atyre receta me ilaçe rehabilituese. Kjo do të thotë, që populli ynë duhet t`i hedhë në koshin e historisë këta lloj “baronësh mashtrues dhe mendjemëdhenj”, sepse REALISHT ata po na bëhen ferrë dhe ata do të vazhdojnë t`i kemi nëpër këmb
ë gjatë gjithë jetës dhe nuk do t`i japin asnjëherë frymëmarrje zhvillimit të përgjithshëm të vendit tonë.