Ishte eksperimenti i parë i pluralizmit politik, jo vetëm këtu tek ne po edhe në shkallë ndërkombëtare që një pjesëz e partisë sulmonte pjesën tjetër. Nga stadiumi, ku u rithemelua foltorja dhe u vetëquajt Partia Demokratike nisën sulmin e skicuar deri në detaje dhe sipas një skenari perfekt. Pjesës që rezistonte brenda selisë që shumëkush i cilësoi kështjellarë dhe Gazment Bardhin si shefin e madh të operacionit të mbrojtjes së kështjellës seli, iu desh të vërë në zbatim tërë përvojën mbrojtëse, siç veproi në zgjedhjet e vitit 2021 edhe pse llogaritë nuk i shkuan siç i planifikoi dhe situata i doli jashtë kontrollit. Në atë mision mbrojtës, Bardhi ishte një nga qëndrestarët më të zellshëm që nuk e lëshoi për asnjë moment. Asnjë prej portave dhe dyerve nga ku kacavirreshin sulmuesit e udhëhequr nga Berisha nuk mundën të të depërtojnë brenda selisë se ata që ishin ngujuar brenda qëndruan me tërë fuqinë dhe bënë një rezistencë për të pasur zili. Deputetët dhe shumë prej militantëve të Partisë Demokratike zyrtare nuk lejuan dorëzimin e selisë. Të paktën forca e sulmuesve nuk bëri punë. Sulmuesit u detyruan të zmbrapseshin pas rezistencës model të pjesës që udhëhiqej Gazmend Bardhi. Po në ditët që kaluan atë që nuk arriti me forcë Berisha e fitoi me dinakëri. Shumë shpejt selia ra në duar të atyre që e sulmuan në tetë janar. Nuk kaloi shumë kohë dhe shumë nga deputetët qëndrestarë iu afruan Berishës të bindur se andej anonte fitorja, por që realisht ndodhi ndryshe pasi në provat zgjedhore që pasuan pas këtij sulmi, humbjet ishin shumë më të hidhura aq më tepër në bastionet e konsideruara të pamposhtura, duke nisur nga Shkodra në Tropojë, Kamëz dhe në dy zgjedhje në Kukës, para dhe pas skandalit në të cilin u përfshi ish – kryebashkiaku, Gjici. Në këto dy vjet të gjithë në Shqipëri, kuptuan se copëzimi i opozitës, ndarja dhe rindarja e saj ishte një mision pa kthim. Kjo ndërmarrje negative ishte e drejtuar fatkeqësisht nga ata që duhet të ishin promotorë të bashkimit, të cilët me fjalë flisnin për bashkëpunim e unitet, në të kundërtën luftonin për ndarje dhe copëtim. Në këtë lëvizje i pari që provoi çdo të thoshte pësim nga mënyra e të bërit politikë për t’i shërbyer jo shoqërisë, as demokracisë, po të përfitojë nga skemat e gatshme për një mandat deputeti, thjesht se bën llogarinë nga cili krah fiton më shumë nuk nxori asnjë mësim edhe pse pati shumë pësime tronditëse. I pari që ka provuar në historinë e gjatë më shumë se dy vjet në betejat pa kthim mes dy pjesëve të PD, foltoristëve dhe pjesës, e cila bëri Brexit me Bashën nuk arriti të nxjerrë asnjë konkluzion për të ndjekur një rrugë, e cila do ta nxirrte në bregun e “shpresës së mirë”. I gjendur përballë akuzave dhe goditjeve sizmike të foltoristëve, Bardhi me gjithë shpurën që qëndroi për një kohë të gjatë mes dy fronteve të të njëjtës forcë politike bëri lojën kukafshehti. Fatkeqësisht, Gazmend Bardhi, pretenduesit për të drejtuar PD, nuk arriti të nxjerr asnjë përfundim për të kuptuar se bashkimi me non gratën dhe mbështetjen ndaj tij edhe pas paralajmërimit të drejtpërdrejt të ambasadës së SHBA-së nuk i shërbente së pari partisë, po edhe vetë atyre që mbajnë mandatin e deputetit nga mbështetësit e opozitës. Gazmend Bardhit iu bë lëkura shollë dhe i plasi delli i ballit edhe pse mori jo pak mësime të hidhura, jo përmes debatit dhe diskutimeve mes politikanëve, por kopaçet pa fund, akuzat, delegjitimimi i deputetëve sa herë dalin nga rrethi ose nuk bëjnë atë që do Berisha. Pas një udhëtimi në labirintet nga skaji i PD në atë të foltoristëve të frikshëm nën presion për të shënjuar jo pak pësime nuk morën asnjë mësim për të qenë me këmbë në tokë. Bardhit dhe shpurës së deputetëve nuk i mjaftuan pësimet dy vjeçare, nuk iu shërbeu beteja epike për pushtimin e selisë. Asnjë akuzë dhe denigrim flagrant nuk e zgjoi nga letargjia Gazmend Bardhin për të ndryshuar trajektoren e ecurisë politike. Përkundrazi bëri llogari për përfitime maksimale duke i siguruar si peshqesh nga pjesa që e llogarit si peshë e rëndë me përfitime të mëdha. Nuk nxori asnjë përfundim nga beteja një mujore ku ka marrë përsipër të jetë ushtari ekstrem anti kuvend gjoja në emër të demokracisë dhe mbrojtjen e kushtetutës. Si rrugë efikase të arritjes së kurorëzimit të aksionit opozitar kanë zgjedhur dhunën. Si mjet zjarrin. Si mekanizëm ndezjen e fishekzjarrëve dhe kthimi i sallës së parlamentit në një depo mbushur me tym blu. Po përsëri Bardhi me ata që i janë ngjitur pas shpine dhe kanë përqafuar të njëjtin skenar nuk i ndahen zjarrvënies, ndeshjes me gardën dhe sulmeve fizike kundër kolegëve deputetë, të cilët i kanë deklaruar armiq që meritojnë të rrihen në mes të tempullit të demokracisë? Nuk flasim të distancohet Bardhi nga ish – Ministri i Brendshëm që mban pishtarin e zjarrvënësit në dorë. Po përsëri Gazmend Bardhit asnjë pësim nuk iu bë mësim. Një hap, jo për parimësi, bëri Gazmend Bardhi, duke mos marrë pjesë në kuvendin e foltoristëve dhe menjëherë sulmi ndaj tij u përsërit në të njëjtin nivel si në tetë janarin e dy viteve më parë. Mosmbështetja e kuvendit dhe refuzimin e kuvendit të Berishës edhe pse lideri deklaroi se nuk ka problem, megjithatë mirë ishte të vinte në kuvend. Sapo Gazmend Bardhi nuk shkoi në kuvend për t’i dhënë paksa mbështetje Berishës menjëherë beniaminë të Saliut, deputetë të njohur si eminecë e tij, e sulmuan keqasi edhe bashkëaksionerin e revolucionit të mosbindjes civile. Kulmin sulmi ndaj Bardhit për mosbindje civile ndaj Berishës e arriti goditja nga “Syri” televizion, i cili dihet që është kamxhiku mediatik i foltoristëve. Nuk përjashtohet se kjo goditje është kërkesë e liderit të rithemelimit. Dhe kjo goditje nuk është e fundit ashtu siç nuk është e para. Po Bardhi edhe pse mori goditjen e radhës duket se ende përpiqet të shfaqë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Berishën. Të paktën në
dukje. Po deri tani Gazmend Bardhi nga dhjetëra pësime ende nuk ka arritur të nxjerrë asnjë mësim të vlefshëm, i cili t’i shërbejë si udhërrëfyes për të qenë politikan realist dhe jo një hije e Sali Berishës. Është fatkeqësi dhe rast specifik që politikani Gazmend Bardhi ka pësuar shumë pësime, po nuk ka nxjerrë asnjë mësim!