Populli ynë ka mbijetuar, pa e ulur kokën, gjatë shekujve në radhë të parë falë orientimit të pagabuar që i kanë dhënë me shëmbullin vetjak, heronjtë e vet të shpatës, të pushkës e të penës, duke filluar ga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe duke vazhduar me Dedë Gjo’ Lulin, Isa Boletinin, Ismail Qemalin, Fan. S. Nolin, Qemal Stafën e shumë e shumë të tjerë. Kur heronjtë ndrrojnë jetë, kombi rron përmes vdekjes së tyre. Ata ndriçojnë në histori ndërkohë që mbi tradhtarët e banditët shtrohet cipa e zezë e harresës. Populli udhëhiqet nga ligjet, jo siç iu teket disa individëve apo partive dhe këtu kemi parasysh mbi të gjitha ligjet hyjnore, jo ato që hartohen nga njerëzit, dhe që duhen respektuar me përkushtim nga shtetarët. Elitë e popullit duhet të jetë ajo kategori personash apo partish që zotëron disa cilësi, si ndershmëria dhe atdhedashuria. Mënçuria, dituria, talenti, shkollimi, nuk shërbejnë për asgjë në rast se udhëheqësit do të jenë të paskrupull. Një Shqipëri e fuqishme nuk mund të ngjizet as nga ndihma e shteteve të fuqishëm, as nga zemërgjerësia e FMN-së, as e Bankës Botërore apo e institucionesh të tjera të ksodore, por nga djersa jonë, e të gjithë neve. Shqipëria nuk mund të bëhet e tillë po qe se do të ketë në krye karrieristë. Nuk duhen zgjedhur në organe drejtuese në qëndër e në bazë individë të pamoralshëm, kameleonë, demagogë, dyfytyrsa, që nuk e kanë për gjë që, në emër të majmërimit të pacak, ta trajtojnë atdheun si plaçkë tregu. Elita e vërtetë e kombit do të mposhtet vazhdimisht dhe do të mënjanohet nga politika ngaqë nuk pranon të konkurrojë me njerëz pa shtyllë kurrizore. Shteti i ri parakupton në radhë të parë mbajtjen në gjirin e tij të njerëzve të rinj, pa mëkate të vjetra. Një parti politike moderne duhet të jetë e zonja të hedhë themelet e një historie të re shqiptare, ku populli ta shohë veten të pranishëm aktiv dhe me të drejta reale e të plota, çka e ka hak për hir të vuajtjeve dhe durimit të pashembullt shekullor.
Elita e Shqipërisë duhet të ketë vetëm një kredo: Dashurinë për vendin. Po qe se nuk do të jetë e pagopur për pasuri vetjake, ajo nuk do të mund të blihet apo të shitet. Mungesa e respektit dhe e mirënjohjes ndaj zgjedhësve përbën një nga shkaqet e zbehjes së emrit të mirë të shumë politikanëve, të cilët, në veprimtarinë e tyre shpesh herë rrezatojnë qëndrime negative; nervozizëm, grindje, cektësi. Thuhet që çdo vend ka udhëheqësit që meriton. Ky citat që herë thuhet i përket Joseph de Maistre, herë Karl Marksit dhe herë Winston Churchill-it, është i ngjashëm me një thënie tjetër dhe pikërisht: „Më thuaj kë ke pasurmësues, të të them ç’popull je”. Dhe na duket i vërtetë, sepse le shumë për të dëshiruar respekti i ndërsjellë popull-udhëheqës. Ai që merr përsipër të drejtojë fatin e miliona njerëzve duhet të dijë se kjo nuk është një punë e lehtë. Nga sa kemi parë gjatë tri dekadave të fundit, ndoshta mjaft gjëra lipset të ndryshohen me rrënjë. Kërkesa numur një: votuesit nuk duhet të lypin mëshirë apo lëmoshë nga ofiqarët. Përkundrazi: këta të fundit duhet të sillen si shërbëtorë të atyre që ua kanë dhënë votën e funksionin. Çdo drejtues, i të gjitha niveleve, duhet të ndihet krenar që është shqiptar, të jetë i ndershëm, modest, të respektojë vullnetin e popullit. Jo, pasi ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore qiqra në hell, fill pasi ulet në karriken e parlamentarit, ministrit, kryebashkiakut apo këshilltarit, fillon nga avazet duke u vënë me zell në kërkim të mënyrave e mjeteve për t’u pasuruar pa pushim. Të gjithë të lartpërmendurit nuk duhet të harrojnë që të ardhurat në të holla e në favore të tjera, që ua njeh ligji, janë më se të mjaftueshme, madje iu teprojnë për një jetë tshumë të mirë. Nëqoftëse zgjedhësit votojmë për batakçinj do të thotë që demokracia do të ketë difekte. Po qe se do të kemi udhëheqës të mënçur, demokracia do të funksionojë normalisht, në dobi të vendit e të popullit. Të tillë bij duhet të zgjdhë kombi, njëlloj si ai prindi që duhet të rritë e të edukojë fëmijë që do t’ia zbardhin faqen. Zbrazëtitë dhe difektet e mëdha që i ndeshim në çdo hap ndoshta e kanë burimin në faktin që pas viteve 90 të shekullit të kaluar liria u konceptua jo si e drejta e secilit për të mos bërë atë që nuk dëshiron, por si e drejta e secilit për të bërë çfarë të dojë! Kësisoj u gjendëm para një situate morale të papëlqyeshme, ku vlerat u përmbysën, apo siç shprehej disa dekada më parë intelektuali i shquar O. Goga: “Piramida jonë sociale e brishtë: maja – e sëmurë nga sifilizi, themeli – nga mortaja”.