Kur flasim për arsimin dhe ecurinë e mbarëvajtjen e tij mendoj se duhet nisur pa tjetër nga ai parauniversitar, madje duhet filluar që nga klasa e parë. Gurët e parë të themelit,fillojnë kur fillojnë të mësojnë abetaren, të shkruajnë dhe të lexojnë. Si kemi ecur deri tani në fakt? Edhe këtu janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen eksperimente të rrezikshme pa kokë e pa bisht. Deri më tani nuk ka mbetur pa u eksperimentuar lloj- lloj abetaresh, të marra e të futura, bruto nga shkolla të vendeve të tjera. Është filluar me variante abetaresh ku të mësuarit e fëmijëve fillon nga të përsëriturit dhe përvetësimi përmendesh të fjalëve, shkronjave. Vazhdohet me shkronjat e mëdha e të vogla të shtypit. U hoq dorë nga bukur- shkrimi, në fund të çdo faqeje dhe shkronje. Tani llojet dhe modelet e abetareve janë kaq të shumta, sa që kanë çelur si luledelet në pranverë. Çfarë kanë brenda? Çfarë u mësojnë fëmijëve? Shkalla e cilësisë së shkrimit dhe e leximit lë shumë për të dëshiruar. Shumica shkrimin e kanë jo simetrik,mungon estetika dhe bukuria e dikurshme e tij. Janë bërë abetare edhe nga figura të njohura të arsimit, po sa ka qenë përvoja e tyre në njohjen e mirëfilltë të mësimdhënies në klasat e para? Problemi tjetër ka qenë që fëmijët e klasave të para kanë “vazhduar të kalojnë klasën”, “pavarësisht se nuk kanë pasur rezultatet e duhura. Shkurt,nuk kanë arritur të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë. U është kërkuar një vërtetim prindërve për të miratuar kalimin fiktiv të tyre dhe kanë kaluar. Në arsimin parauniversitar kanë vazhduar dhe vazhdojnë të bëhen ” eksperimente”, radhazi. Janë aplikuar dhe vazhdojnë për futjen e shumë lloje sistemesh e praktikash arsimore. Ato u filluan nga ish- B. Sovjetik. Me rënien e komunizmit u huazuan nga Franca, Vendet Skandinave. Anglia,Sh B A etj. Arsimi në Shqipëri, këto 30 vitet e fundit është konsideruar një laborator gjigand eksperimental i pakufizuar ku janë aplikuar dhe vazhdojnë të eksperimentohen pa fund lloj-lloj shkollash,praktikash,përvojash nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet. Le të shikojmë problemin kryesor: atë të kurrikulave. Çfarë ka ndodhur dhe po ndodh ende? Janë marrë dhe vazhdohet të merren shumëllojshmëri sistemesh kurrikulare,së fundmi, kryesisht anglez dhe amerikan. Si mund të futen dhe të zbatohen 100 % bruto këto sisteme në vendin tonë? Çdo vend ka ecur me një vazhdimësi progresive në arsimin e tij duke u mbështetur në shumë dukuri e faktor, me karakter kombëtar. Ato fillojnë me gjendjen dhe zhvillimin ekonomik -social,politik dhe nivelin kulturor të tyre. Vazhdojnë me zhvillimin e infrastrukturës shkollore,ku përfshihen; mjediset shkollore hapësirat publike,laboratorët, mjetet mësimore-didaktike e deri te kompjuterizimi. Këtu futet edhe niveli i jetesës dhe kushtet ekonomiko- shoqërore të familjeve shqiptare. Si mund të merren ashtu shabllon këto sisteme kurrikulare dhe të futen si mish i huaj në arsimin tonë? Edhe arsimi në Shqipëri ka një histori të tijën të fillimit dhe të vazhdimit. Ai i ka fillesat e veta që nga çelja e shkollave të para shqipe, me atë të viteve 20- 30 e e deri në sistemin shkollor të aplikuar dhe të zbatuar në kohën e komunizmit, prej gati 50 vitesh. Si mund ta zhdukim këtë kohë dhe këtë përvojë, vetëm me një të rënë të lapsit? Duhet të kishte një gërshetim midis përvojës së deritanishme të sistemeve të kurikulave e ato të huazuara e të marra nga vendet demokratike..Ato duheshin marrë e futur,gradualisht,hap pas hapi, në sistemin tonë arsimor,sepse kurrikulat e deritanishme janë e vlejnë shumë për të dëshiruar. Ato kanë shkallë të lartë vështirësie. Kjo qëndron në përvetësimin e njohurive të nxënësve, në zbërthimin e anës kuptimore, në argumentimin dhe daljen në përfundime logjike e nxjerrjen e përfundimeve të duhura. Në këto kurrikula ekzistuese ka shumë terminologji, koncepte, rregulla,të cilat duke qenë me shumicë, janë edhe tepër të vështira të zbërthehen e të mbahen mend nga nxënësit. Ç’ndodh në fakt? Këto terma, koncepte, rregulla futen në kurrikulën e çdo lënde të veçantë,nuk zbërthehen gradualisht, nuk jepen në nivelin e mundësive përvetësuese të nxënësve tanë. Ato nuk arrihen të zbërthehen, të konkretizohen e të praktikohen me mjetet mësimore-didaktike,me paisjet laboratorike që kanë aktualisht shkollat tona. Shumica e nxënësve i mësojnë këto rregulla, këto koncepte në më mënyrë mekanike, përmendësh. Ata nuk janë në gjendje t’i zbërthejnë, të japin me fjalët e tyre përmbajtjen, të diskutojnë, të marrin pjesë në mënyrë aktive e në mënyrë krijuese dhe të arrijnë në përfundimin final;përvetësimin logjik të njohurive të dhëna. Atëhere dilet në përfundimin që ka arritur Banka Botërore se: ” Arsimi në Shqipëri vuan nga analfabetizmi funksional… ” Këtu tek ne përgatitim e nxjerrim papagaj që i thonë mësimet përmendsh, në mënyrë mekanike, pa mundur të kuptojnë logjikisht përmbajtjen e tyre. Këto sisteme kurrikulare duhet të ishin pare me kohë e me vakt në arsimin tonë parauniversitar por deri më tani është bërë vetëm kozmetikë, është bërë një sy qorr e një vesh shurdh Dhe pasojat ka vazhduar dhe vazhdon t’i vuajnë ata qindra mijëra nxënës që kanë dalë e dalin nga bankat e shkollave deri tani me njohuri e nivele të mangëta e të cunguara. Doemos këto sisteme kurikukash materializohen edhe në tekstet shkollore të prodhuara me bollëk për 30 vite në arsimin shqiptar. Tekstet e deritanishme shkollore janë një skandal i vërtet. Ato kanë arritur deri aty sa të merren e të përkthehen bruto nga anglishtja. Çfarë ka ndodhur e ndodh me to? Shumica e tyre, për t’mos thënë të gjitha janë hartuar, përgatitur e prodhuar për fëmijë e nxënës të shkollave në Angli dhe në Amerikë. Këtu tek ne mungojnë akoma gjërat më elementare, të cilat edhe i kemi rreshtuam pak më lart. Këto tekste nuk arrijnë të japin mësimin (apo mësimet ) të zbërthyera në më nyrë graduale,me njohuri të cilat jo vetëm të kenë lidhje me ato të dhëna më parë,por të jepen hap pas hapi,në va
zhdimësi.Keto zbërthime duhet të bëhen në mënyrë të tillë duke i argumentuar rregullat,normat,konceptet,për të arritur në përgjithësime,përmbledhje e përfundime logjike që të arrijnë edhe të mbahen mend. Dikur, në tekstet tona kishte rregulla,përkufizime, përmbledhje me shkronja të zeza,apo me ngjyra dalluese, të futura në korniza për t’u përsëritur dhe mbajtur mend nga nxënësit. Pak a shume kishte tri rubrika; ” Kemi mësuar”, ” Mësojme” dhe ” Do te mësojmë,,Tani zbërthimi i mësimit bëhet në mënyrë mekanike.Mungojnë ecuritë metodike.Aparatet pedagogjike në fund të çdo mësimi,me rubrikat e tyre, në shumicën e rasteve,janë kthyer të pakuptimta, tamam si rebuset e Shvejkut: “…… gjeni çfarë bënë portieri i shtëpisë? “. Meqenëse i referohemi shkollave perëndimore,shumica e teksteve shkollore të nxënësve shoqërohen me tekste ndihmës,zbërthyes e sqarues për çdo mësim të dhënë + tekste ( fletore ) ushtrimesh. Ka ardhur koha e momenti që jo vetëm kurrikulat duhen të thjeshtohen,u duhet hequr uji i tepërt, por edhe tekstet duhet akoma të hartohen e të përgatiten në kushtet aktuale të vendit tonë. Këto tekste të jenë të zbërthyera në mënyrë të detajuar,të kuptueshme, të kenë vazhdimësi logjike,lidhje dhe argumentim të plotë. Gjatë hartimit të tyre të kalohet hap pas hapi, nga e thjeshta tek e komplikuara. Teksti të kërkojë në shumicën e pyetjeve mendimin logjik të nxënësve. Kjo duhet bërë duke përsosur edhe aparatin pedagogjik, duke e thjeshtëzuar atë në përputhje edhe me nivelin e fëmijëve tanë. Të mos ketë shumë tekste alternative, por te arrihen më shumë bashkëpunime autorësh për një apo disa tekste.Këta të fundit të arrijnë që me përvojën e tyre t’u përcjellin nxënësve tekste sa më të kuptueshme,të zbërthyeshme,duke synuar rritjen e nivelit të qëndrueshmërisë së dijeve. Punët e arsimit në Shqipëri janë si ai vargu i një kënge popullore, e cila thotë : ” Kë të marrë e kë të lë? ” Nga të nisësh e ku të vazhdosh e të flasësh më parë? Të flasësh për kalueshmërinë 100% të nxënësve në arsimin parauniversitar që është kthyer në taksative? Fillojnë nxënësit klasën e parë,kalojnë e kalojnë. Mbarojnë 9 vjeçaren.Vazhdojnë gjimnazin e shkollat e mesme. Marrin edhe provime vjeshte. Plotësojnë formularët. Aplikojnë dhe hopa! – një ditë të bukur gjenden në auditore universitetesh. Pastaj sipas parave, mbarojnë edhe universitetet e kartonëve. Një ditë të bukur gdhihen nga domate në patëllxhanë si kuadro të lartë. Pastaj ” Oreksi vjen duke ngrënë, ” – thotë populli, zënë edhe ca poste,ofiqe e detyra,me ndihmën e partive dhe të miqve apo parave dhe të bëjnë gjëmën. Për të qeshur e për të qarë. Po si more është katandisur arsimi kështu? Është bërë si pazari i Roskovecit, një herë e një kohë. Të gjithë qenkan njësojë. Kalokan ylberin dhe u gdhikan me diploma! O Zot! Ku po e çojmë këtë vend? Si po e katandisim diturinë e një kombi?