Nga Bardhyl Bejko
Strategjia ka ndryshuar. Pas trembëdhjetë protestave minore, të zhurmshme me molotovë e flakë, fjalime, deklarata, zhurmë, kërcitje dhëmbësh sikur të shkreheshin karikatorë automatiku dhe kërcënime pa fund, kryesia e madhe e PD-së, tanimë me vulë e sigël, dhuratë nga gjykata, vendosi të thërrasë në sheshin para kryeministrisë protestë kombëtare. Më shumë se ndryshim destinacioni, kjo protestë, e cila është e radhës dhe në vijim të atyre të organizuara më parë, synon të shmangë dështimin e miniprotestave para bashkisë së kryeqytetit. Si të kyçet protesta minore? Si të pushohet? Po të mbyllet pa asnjë alibi është dështim i turpshëm. Skenari i vetëm mbetet të premtohet protesta madhështore më e madhja shekullore. Molotovët dhe zhurma pa fund në qendër të Tiranës dështuan në një grusht individësh, shumica të armatosur me goma makinash, lëndë djegëse dhe molotovë, të cilat në pikun e vapës ndezën Tiranën nga jo tiranas. Shumë pak qëndrestarë iu qasën protestave dhe po kaq pak ishin ata që u futën në këtë valle me pretendime të mëdha, po në fund u mbetën vetëm flakët dhe përcëllimi i duarve, zhuritja dhe djegia e vetullave nga flakët që ndezën duke djegur goma dhe hedhur molotovë. Qytetarët dhe turistët kalonin përbri flakëndezësve indiferentë dhe nuk është se u bënte shumë përshtypje. Këtë herë asnjë media prestigjioze nuk ua vari protestuesve, të cilët kishin të njëjtin skenar dhe të njëjtat mjete. Asgjë interesante, në se nuk u referohemi bluzave me portretin e Berishës të stampuar e zeza në sfondin e bardhe, duke nxjerrë zbuluar, jo vetëm kërkuesit e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar si ambalazh për të maskuar të vërtetën, po edhe organizatorët realë të dy partive, asaj të Partisë së Lirisë dhe PD që nisi protestat anti-bashki pa vulë dhe e mbylli me vulë. Dështimi ishte epik. Asgjë e re nga fronti anti-bashki dhe kërkesave maksimale për lirimin e Berishës dhe dërgimin në qeli të Erjon Veliajt, i cili në të kundërt të protestuesve dhe organizatorëve vazhdoi punën e pastrimit të kryeqytetit dhe asfaltimin e blloqeve në periferi. Në këtë mënyrë qytetarët seriozë të Tiranës dhe zonave përreth ishin indiferentë ndaj molotovhedhësve dhe zjarrvënësve të gomave dhe vlerësues për rindërtimin dhe asfaltimin apo përmirësimin e jetesës përkundër tymosjes së qiellit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Trembëdhjetë herë e njëjta histori me të vetmin ndryshim se pjesëmarrësit çdo të martë ishin gjithnjë e më pak dhe jo më kot. Tek kauza e protestuesve nuk besoi qytetari dhe lexoi mesazhin se nuk ishte në interes të tyre, po individëve dhe disa skifterëve,të cilët kërkojnë të bëhen faktorë përmes flakëve dhe shpërthimeve, mjafton që në ekranet e TV të duken sa revolucionarë dhe qëndrestarë janë. Tani kur dështimi është i provuar dhe i njohur nga tërë shoqëria shqiptare, organizatorët, si me vrapuesit me stafetë e dorëzuan pishtarin tek kryesitë e partive opozitare për një skenar të ri. Zhvendosja e protestës nga bashkia në kryeministri. Nuk është thjesht ndërrimi i shesheve. Edhe thirrjet, Veliaj jashtë nga bashkia në qeli, do zëvendësohen, Rama jashtë nga kryeministria. Poshtë qeveria! Pastaj kuptohet do kërkohet qeveri teknike dhe zgjedhje pa këtë pushtet, duke i bërë zgjedhjet siç do opozita vet. Se këta të qeverisë janë hajdutë. Ata të opozitës engjëj që sa herë kanë patur pushet zgjedhjet kanë qenë demokratike, të ndershme dhe pa asnjë incident.