Nga Jovan Bizhyti
Krahas perlave të bukura që ofron natyra dhe deti në bregdetin e Himarës, njerëzit në këto ditë korriku kërkojnë dhe programe televizive dhe ndeshjet e futbollit të kampionatit Europian që po zhvillohen në Gjermani. Në bregdetin e Himarës, për fat të keq, mungojnë sinjalet e disa nga televizioneve kombëtare shqiptare, sidomos TV Klan, Top Channel dhe disa të tjerë dhe sapo shkel çdo buton të telekomandës, të shfaqen radhë pas radhe stacionet televizive greke. Sigurisht, hapësira bregdetare lejon që valët televizive të Greqisë shihen pa pengesë dhe mesa duket, përforcuesit e këtyre valëve i përhapin ato fuqishëm deri në brigjet tona dhe më tej në thellësi. Po përforcuesit e sinjaleve televizive tona, pse janë kaq të pafuqishëm, që dhe brenda territoreve shqiptare, nuk arrin të shihet sinjali?! Veçanërisht televizionet, Klan, Top Channel e ndonjë tjetër, nuk kapen fare, nuk shihet në asnjë pozicion sinjali i tyre. Edhe stacionet e tjera televizive si: RTSH-ja, New 24, Report TV e ndonjë tjetër, shihen dobët dhe në shumë raste, sinjali vjen me ndërprerje, kurse TV Klani dhe Top Channel, si stacione kombëtare të preferuara, nuk shfaqen fare në ekran! Të habit fakti, që stacionet televizive lokale si: TV Gjirokastra, TV Vlora, TV Korça, TV Shkodra, deri dhe TV Kukësi e tjera, shihen lehtësisht! A mos vallë këto stacione lokale kënë investuar në përforcues valësh më të fuqishme se sa TV Klani, apo Top Channeli? Është për të ardhur keq, që dhe ndeshjet e futbollit të kampionatit Europian, banorët dhe pushuesit e kësaj zone, i shohin nëpërmjet stacioneve greke! Nuk bëhet fjalë për abonimet me karta Dixhital, për të cilat qytetari i zakonshëm nuk i ka mundësit e abonimit, apo dhe hotelet për televizorët e dhomave. Por flitet për sinjalin e zakonshëm televiziv që mungon. Dhe themi se i gjithë bregdeti i Himarës është Shqipëri e Labëri, por nga prezenca e sinjaleve televizive greke, ata ndihen si grek! Të shohësh gjithë ditën stacionet greke, muzikë greke, plazhet greke, deri dhe të gjëmoj në vesh gjithë ditën gjuha greke, sigurisht, që megjithëse je në Shqipëri, ndihesh si grek! Gjuha greke ka hyrë në çdo familje shqiptare të asaj zone, pa qenë nevoja të jesh minoritar. Nuk shtrohet problemi për të bllokuar sinjalet televizive greke, jo asnjëherë, në ato zona ka dhe minoritarë që duan të shohin e të dëgjojnë emisione në gjuhën e tyre amtare, por problemi shtrohet që, pse televizionet tona kanë sinjal kaq të dobët, apo dhe pa sinjal fare, siç janë TV Klani, Top Channel e ndonjë tjetër! Terreni i vendit tonë kështu është, shumë i thyer, me male e fusha pa fund, por duhen gjetur zgjidhjet, gjuha shqipe dhe jeta shqiptare duhet të futet e të ndihet në çdo familje shqiptare, brenda territoreve tona, bile dhe deri përtej kufijve, pasi fati na ka rënë të rrethohemi gjithandej me shqiptarë, kombasit tanë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, andej ndoshta nuk kanë problem për ti parë këto stacione, por mungesa e sinjaleve të televizioneve tona në bregdetin e Himarës, është problem serioz.