Ka mediatikë, analistë,opinionistë e komentues të shumtë që shkruajnë e japin mend për politikën në Shqipëri por edhe në Kosovë, por janë shumë të rrallë ata që janë realë, të paanshëm dhe jo servilë të politikës, dhe të paktë janë ata që nuk shiten për interes personal. Kjo duket në opinionet e tyre kundër korrupsionit të dikujt politikani e pushteti por njëkohësisht edhe mbrojtës të korrupsionit të dikujt tjetër politikani e pushteti. Shqipëria pretendon se është demokratike, por është demokratike pa standarde dhe e kapur dhe e pushtuar nga korrupsioni. Fatkeqësisht në Shqipëri është krijuar një shtresë jo e vogël të korruptuarish pavarësisht ngjyrimeve politike, si dhe të atyre që i manipulon politika dhe korrupsioni. Plus kësaj ka edhe nga atë të cilët e shesin edhe votën. Kjo është arsyeja se përse është e vështirë në Shqipëri ndryshimi, konsolidimi i shtetit, sundimi i ligjit dhe i demokracisë. Kjo gjendje në Shqipëri ua imponon njerëzve që të qëndrojnë indiferent dhe shumë e shumë të tjerëve korrupsioni, pasiguria dhe papunësia ua imponon eksodin, largimin nga Shqipëria. Të korruptuarit, përfituesit nga politika e nga pushteti janë faktikisht pararojat e partive politike dhe sillen e veprojnë si mercenare. Ata janë shpërndarë nëpër parti politike dhe lëvizin e zhvendosen në mbështetje të atij apo këtij kahu politik te të cili shohin mundësinë për të zhvatur e përfituar. Sikur të mos mjaftonte kjo, e tillë dhe si këta janë mjerisht edhe intelektualët e mediat në Shqipëri. Cilat parti apo më saktë kush ka qenë dhe është sot në qeveri dhe kryeministër në Shqipëri ai ka mbështetësit dhe fanatikët e tij të cilët mbrojnë e zhurmojnë për këtë apo për atë pushtet e ish-pushtet prej të cilëve kanë përfituar ose presin që të përfitojnë korruptueshëm. Në Shqipëri nuk ka qarkullim elitash por vetëm riciklim të të njëjtës fytyre e mënyre politike dhe të të njëjtëve individë. Partitë politike përdoren si mjete e material njerëzor të liderëve dhe të elitës së ngushte politike që kanë kapur e privatizuar partitë politike. Nëse dikush merr nismë politike e patriotike atij fatkeqësisht nuk i shkon kush ose i shkojnë pakkush pas, dhe jo vetëm kaq por mediat i bëjnë atij embargo, por madje edhe i kundërvihen CD nisme e lëvizje të re për ndryshim. Madje elita politike e vjetër në Shqipëri arrin deri atje sa që i kundërvihet edhe ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë dhe mbështesin Shqipërinë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin e Shqipërisë. Këtu në këtë shkrim nuk po përmend shembuj specifikë, sepse të tillë kush më shumë e kush më pak ,kështu është e gjithë politika e vjetër dhe ish-pushtetarët e pushtetarët aktualë.