Para disa kohësh Komisioni i Venecias doli me një deklaratë publike, në të cilën renditeshin arritjet e deritanishme të arsimit parauniversitar në shkallë vendesh europiane. Shqipëria renditej 15 vende më poshtë se vitin e kaluar. Skandaloze, e turpshme! – do të thosha unë mësuesi i vjetër, tashmë pensionist. Prisja qe të reagonin organet kompetente, sidomos Ministria e Arsimit. Dhe ne fakt reagimi nuk mungoi. Doli ne nje intervistë të veçante Drejtori i Drejtorisë për Arsimin Parauniversitar. As me pak e as me shumë, zotëria i sipërpërmendur doli ne nje deklaratë ” te çuditshme”, do të thosha unë. Shkaqet kryesore, sipas tij ishin dy; pasojat e tërmetit dhe Covid-19. Këto ishin arsyet kryesore që arsimi parauniversitar kishte renë me kaq vende, ishin pikërisht shkaqet dhe vështirësitë që kaloi Shqipëria, të gjitha degët e ekonomisë, të kulturës, të arsimit, sollën këtë situatë; qe të kemi rënie në të gjitha fushat. Që edhe këto shkaqe e arsye kanë riskun e vet në ecurinë e të gjitha degëve te ekonomisë dhe arsimit, padyshim që nuk mund të vihen në dyshim. Po shkaqet e vërteta, sipas mendimit tim janë diku tjetër. Këto do të mundohem t’i zbërthej, sipas gjykimit tim në këtë analizë që besoj se do t’i vërë pikat mbi i atje ku edhe çalon në të vërtetë, ecuria dhe realizimi cilësor i arsimit në këto 35 vitet e demokracisë.
Një vështrim për rrugën që kanë ndjekur reformat në arsimin tonë në periudhën e demokracisë
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri ndryshoi rrënjësisht edhe arsimi. Ai pësoi shndërrime të mëdha në strukturë,në sistem dhe kryesorja në përmbajtjen e tij. Këto ndryshime filluan menjëherë, me rënien e komunizmit dhe vazhduan,kronologjikisht, hap pas hapi dhe vit pas viti. Kjo ka vazhduar pa ndërprerje edhe gjatë rokadave të dy partive më të mëdha politike, të cilat kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, duke hipur e zbritur nga pushteti,gjatë këtyre 35 viteve të fundit. Secila prej tyre, duke u nisur nga fushatat zhurmëmëdha zgjedhore,njërën nga pikat më të forta të programeve të tyre e kanë pasur shndërrimin e arsimit shqiptar sipas parametrave të arsimit në vendet e përparuara perëndimore Për këtë nuk kanë lënë gur pa luajtur e slogan pa përdorur se arsimi në Shqipëri do të pësonte ndryshime rrënjësore, tamam si e ndryshoi Zana Hirushen e përrallës së famshme, nga një varfanjake, në atë të një princeshe rrezatuese e të mrekullueshme. Sigurisht edhe ndryshime ndodhën.. Pra ndryshime ka pasur dhe do të ketë. Natyrshëm del një pyetje:
-A është arsimi shqiptar atje ku duhet të jetë?
-A i është afruar ai sistemeve arsimore të vendeve të tjera,kryesisht afër nesh?
A janë zhdukur sadopak barrierat që e pengojnë arsimin tonë të afrohet, lëre të njehsohet, me arsimin e tyre? Afërmendsh, çdo degë e ekonomisë së një vendi matet nga produkti që prodhon. Edhe arsimi ka si produkt kryesor diturinë e një kombi të konvertuar në diplomat që jep, që nxjerr e pajis shumë breza specialistësh, për të gjitha degët e ekonomisë të një vendi.
Mbërrijmë në një pyetje shteruese:
-Sa dhe si njihen diplomat e arsimit shqiptar në vendet e tjera? Pse nuk njihen? Kur do të njihen? Cili është shkaku që nuk njihen ?
Ku e ka defektin sistemi ynë i deritanishëm arsimor?
Arsimi shqiptar “…është endur si çifuti ne shkretëtirë… “- sipas thënies së Kadaresë.
Pse i themi këto? Ku bazohemi?
Ne fakte dhe vetëm në fakte. Përmendim disa nga këto ” xhevaire ” ministrash të ardhur e të ikur nga postet e tyre. Bëmat e tyre në arsimin shqiptar kanë mbetur pas si monumente kulture me efekte prapavepruese,si arritje spektakolare.
Ish- ministri Pollo do të mbahet mend për institucionalizimin e Maturës Shtetërore, për Altertekstin e famshëm, apo teorinë e e teksteve alternative. Ndryshe, ne mësuesit e thjeshtë e kishim etitekuar ” teoria kineze e 1001 luleve “. Kjo mënyrë së funksionuari të teksteve ua bëri trutë dhallë fëmijëve dhe mësuesve të shkretë. Ky ministër u dallua për hapjen e dyerve pa doganë për arsimin privat, kryesisht, lulëzimit të universiteteve privatë.
Këta të fundit, me ndihmën dhe zemërgjerësinë e tij e tij u shtuan dhe u shumuan në atë farë feje,sa e kaluan numrin 50. Shqipëria,në saj të tij arriti të ketë 1 universitet për 50- 60 000 banorë
Nuk ka se si të mos përmendësh ish- ministrin Tafaj i cili shpiku pranimin në profesionin e mësuesit të arsimit të mesëm,vetëm me master, kur në atë kohë asnjë universitet publik nuk i kishte hapur degët për master. U shpikën ” valixhet laptop ” që do të bënin revolucion në arsimin tonë.Ndërkohë ish-presidenti Berisha propagandonte me të madhe “Shqipërinë në moshën e internetit “. Urdhër pas urdhri u hapën urgjent klasat kabinet të panisura me kompjuter. Dhe kështu thagmat vazhduan e vazhduan deri sa edhe socialistët e kishin më parë pushtetin. Ish- ministri Memushi u mor me standardizimin e arsimit.Ai nuk la më standarde pa nxjerr e pa hartuar. Një vit para ndryshimit të arsimit dhe strukturës, nga 8 në 9-vjeçar, botoi tekstet ekzistuese me fonde të Bankës Botërore duke i lënë stoqe nëpër magazina. Do të përmendja këtu një kandidate për deputete dhe ministre socialiste. Gjatë një interviste në një nga Tv Kombëtare,u pyet nga gazetarja : -Cila do të jetë strategjia kryesore që do të ndiqet kur të vini në Ministrinë e Arsimit ? Ajo ju përgjigj :- Lufta kundër analfabetizmit ! Hajde mos qesh me “xhevahire ” të tilla! Dhe “qershia mbi tortë ” do të jetë ministrja jetëgjatë në krye të këtij dikasteri, Pati deklaruar se do të bënte ndryshime rrënjësore në arsim. Për të bërë,bëri por vetëm kozmetikë. Deklaroi se do të hiqte 2400 mësues nga sistemi arsimor, pasi ishin verifikuar se nuk kishin arsimin dhe nuk punonin në profilin e duhur. Çfarë u bë në fakt? Asgjë! Pas verifikimit ata mbetën atje ku kishin qenë. Deklaroi se jo më vonë se një vit do ta ndryshonte skemën e funksionimit të Maturës Shtetërore. Kjo e fundit vazhdon të ekzistojë e të punojë ashtu siç e shpiku Pollo. Nxori ca tekste skandaloze, me gabime të rënda shkencore e drejtshkrimore.. Mori përsipër hartimin e kurikulave të reja mësimore, në bazë të vërejtjeve të bëra. I la ashtu siç ishin. Bëri konkurset për Drejtorët e Drejtorive Arsimore. I gjithë ky konkurs ishte një spektakël neveritës i mashtrimit të radhës. Këtë do ta tregojmë në një vend tjetër se si u veprua e çfarë solli në këto poste ky konkurs. Vazhdoi dhe po vazhdon edhe tani nga Rilindja farsa e konkursit “Mësues për Shqipërinë “. U deklarua më së fundi se si rezultat i këtij konkursi janë punësuar në sistemin arsimor mbi 1500 mësues të rinj. Kur qenka kështu, pse Ministria e Arsimit nuk nxjerr në sistemin e saj vendet që dalin vakant,në shkallë vendi ? Ajo trumbetoi si arritje e sukses nga më të mëdhenjtë Reformën në Arsimin e Lartë por,në fakt ai ishte një nga fiaskot e dështimet e radhës.