Akuadoti (ujësjellësi) nënujor Vlorë-Bari është përfolur si projekt prej kohësh, por tani qeveria rajonale e Puljas dhe qeveria shqiptare po e mendojnë seriozisht. Fqinjët tanë puljezë e kanë shumë problem furnizimin me ujë dhe po mendojnë për perspektivën afatgjatë. Investimi mund të kërkojë 4.5 miliardë euro dhe qeveria rajonale e Puljas, me një buxhet vjetor 7.6 miliardë euro (gati dyfishin e buxhetit tonë të shtetit), duket e vendosur t’i hyjë detit në këmbë. Pulja me 4 milionë banorë është një rajon i Italisë, i vendosur në pjesën jugore të gadishullit Iberik, vetëm 60-70 km larg Vlorës dhe Durrësit. Jemi kaq afër! Të ardhurat për frymë të një puljezi janë 19 mijë euro në vit, ose rreth katër herë më shumë se sa të ardhurat tona për frymë. Rajoni ka industri të specializuara dhe intensive, duke përfshirë përpunimin e ushqimit dhe prodhim pjesësh këmbimi për automjete në Foxhia, këpucë dhe tekstile në provincën e Barletës, si dhe dru dhe mobile në zonën e Murxhias në perëndim. Ekonomia e Puljas rritet më shumë se e pjesës tjetër të Italisë Jugore. Ekonomia e lulëzuar e Puljas shkëlqen në automobilistikë (kompanitë e mëdha Bosch, Magneti Marelli, Magna Gertrag dhe Bridgestone), në mekanikë (New Holland Construction, IVECO Motori, Isotta Fraschini Motori, MERMEC), në mobilje (Natuzzi), ushqime dhe pije (De Carlo, Divella, Quarta Caffé), në bujqësi (Casillo Group, G.C. Partecipazioni) dhe turizëm (Tur Nicolaus). Kemi shumë për të mësuar dhe për t’u ndihmuar prej fqinjëve tanë të mirë puljezë. Ishin ata që na pritën me krahë hapur në gusht 1991, kur iu vërshuam me dhjetëra mijëra mbi anijet “Vlora” dhe “Tirana”. Tani vijnë po krahëhapur për bashkëpunim. Të hënën tjetër, më 28 mars, Ministri rajonal i Ekonomisë i Puljas, asesori Aleksandër Deli Noçi, vjen të nënshkruajë një marrëveshje me kryebashkiakun e Tiranës, për hapjen e inkubatorëve të biznesit të të rinjve në Tiranë. Me rastin e zgjedhjes së Tiranës si kryeqyteti evropian i të rinjve për këtë vit. Do jetë tulla e parë mbi një mur të gjatë dhe frytdhënës bashkëpunimi. Puljezët mund të në ndihmojnë shumë në bujqësi. Po si? Bujqësia luan një rol të spikatur ekonomik në Pulja. Është një bujqësi kryesisht intensive dhe moderne, që lejon rajonin të jetë ndër të parët në Itali për prodhimin e shumë produkteve, si gruri i fortë, i cili përdoret për prodhimin e makaronave, domate, rrush, bajame dhe vaj ulliri. Vreshtat mbulojnë 106.715 ha në Pulia, e cila zë vendin e parë në mes të rajoneve italiane, për kultivimin e rrushit. Ka rreth 50 deri në 60 milionë pemë ulliri në Pulia dhe rajoni jep 40 për qind të prodhimit të vajit të ullirit në Itali. Puljezët mund të na ndihmojnë shumë. Përzgjedhja e Italisë dhe më konkretisht e rajonit të Puljas si partner strategjik për bujqësinë tonë, mbart arsye shumë të forta. Së pari, puljezët kanë eksperiencë të pasur në organizimin me efektivitet të bujqësisë, terren pothuajse identik me tonin dhe marrin rendimente të larta në serra. Së dyti, ata eksportojnë shumë produkte bujqësore lëndë e parë dhe të përpunuara. Së treti, kostot e transportit janë shumë të kufizuara, ngaqë jemi shumë afër. Vetëm 60-70 km det na ndajnë. Së katërti, nga Pulja mund të sigurojmë asistencë teknike dhe furnizim me fara cilësore për bimët e serave tona. Kompensim të diferencës së çmimit të farave me prodhim bujqësor. Së pesti, mund të marrim nga miqtë puljezë asistencë teknike dhe financiare për ngritjen e impianteve të kompostimit të frutave. Së gjashti, mund të fitojmë asistencë të vyer teknike dhe ndihmë për ringritjen e Institutit Bujqësor pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës dhe ringritjen e Shkollës së Mesme për Agronomë në Fier. Për këto gjëra, me bujqësinë që sot e kemi në vështirësi, për kostot marramendëse të transportit dhe të lëndëve të para bujqësore në botë, ndihma dhe bashkëpunimi me rajonin e Puljas do të përbënin një zgjidhje konkrete, efektive dhe afatgjatë. Nuk kemi më ç’presim. E famshmja “Via Egnatia” vinte si zgjatim i rrugës po aq të famshme të antikitetit romak, Via Apia-s, e cila degëzohej në Pulja. Historia duhet të përsëritet, me një situatë dhe vendosmëri të re për të bashkëpunuar. Kemi vetëm ç’të fitojmë nga miqtë tanë puljezë dhe asgjë për të humbur, veç kohës dhe mundësive për t’u zhvilluar, në rast se nuk veprojmë shpejt.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë