Nga Bardhyl Bejko
Objektivi i opozitës për të ardhur në pushtet është një kërkesë legjitime. Rotacioni politik me votën popullore është shtylla kurrizore e demokracisë, që alternon forcat politike për t’i lënë stafetën njëra -tjetrës. Kjo është demokracia. Shqiptarët e kanë zgjedhur këtë sistem prej tridhjetë e katër vitesh qysh se përmbysën sistemin komunist në 1990-ën. Dhe gjatë këtyre viteve kanë provuar pushtetin e të djathtës dhe të majtës. Kanë bërë diferencën dhe kanë llogaritur me saktësi matematikore treguesit që dallojnë nga e djathta në të majtë. Kanë ballafaquar: Nivelin e demokracisë. Zhvillimin ekonomik. Lirinë e medias. Pavarësinë e gjyqësorit. Reformat e ndërmarra. Ecurinë drejt Bashkimit Europian dhe gjithçka tjetër sensitive që tregon, ku ishim e ku duam të shkojmë. Këtu nuk përjashtohet cilësia e zgjedhjeve të përgjithshme dhe ato vendore, apo raportet serioze që kanë evidentuar problematikat pa përjashtuar këtu konstatimet e atyre që kanë marrë pjesë në organizimin dhe kontrollin e proceseve zgjedhore, pa harruar dhunën zgjedhore dhe mungesën e kontrollit të opozitës të proceseve të cilat në jo pak raste kanë qënë skandaloze, të vjedhura, të përgjakura, të pandershme. Kujtojmë këtu zgjedhjet e majit të vitit 1996, ku kërciti dajaku dhe komisionerët e mazhorancës së kohës larguan nga komisionet zgjedhore kolegët e tyre të opozitës, të cilët u intimiduan dhe u përjashtuan nga kontrolli dhe numërimi, situatë që çoi në kaos me fitore gati mijë përqind nga PD. Duket se janë të largëta në kohë këto bëma, po memoria kombëtare nuk ka harruar asgjë përkundrazi i ka të freskëta dhe të gdhendura në kujtesë. Aq më tepër që janë të njëjtët protagonistë. Pa folur këtu për korrupsionin galopant, i cili duket se ka zënë pak kore, po e keqja mbetet atje, gati të shpërthejë sapo të gërvishtet pak. Megjithatë demokracia pranon rotacionin me votën e qytetarëve. Është vullneti i popullit që vendos. Debatet post zgjedhjeve, komentet janë thjesht propagandë për të justifikuar humbjen dhe për të lehtësuar pozicionin politik të liderëve, të cilët nuk njohin kurrë humbjen dhe aq më pak dorëheqjen me përjashtime të rralla. Demokracia nënkupton si fitoren edhe humbjen. Në vendet me demokraci solide humbësi i jep dorën fituesit dhe largohet në shtëpi për t’i dhënë fund politikës. Gjithësesi, rotacionet politike janë lokomotiva e demokracisë funksionale. Në këtë kuadër edhe opozita jonë nuk është e qortueshme për kërkesën këmbëngulëse për të ardhur në pushtet pasi në demokraci ekziston detyrimi që opozita të mbrojë këtë qëllim dhe të garantojë ndryshimin. Po çfarë po ndodh me opozitën shqiptare dhe cila është deviza e saj për të arritur qëllimin përballë mazhorancës që ka ambicien për një mandat të katërt për të ndryshuar Shqipërinë? E fokusuar në problematikat e thella midis opozitarëve për tre vite, luftën opozita e zhvendosi brenda vetes. Jo për parimësi. As për t’u bërë më luajale apo më e qëndrueshme dhe më e fortë. Përkundrazi. I tërë qëllim ishte asgjësimi i palës përballë. Vula dhe sigla u bënë epike dhe gati komike. E tërë vëmendja u fokusua tek simbolet se selia u mor forcërisht dhe PD e vulës u sistemua në zyra të tjera. Nga një shtëpi politike u bënë dy. Secila në kërkim të legjimitetit. Gjykata vendosi më në fund t’ia japë vulën PD drejtuar nga Berisha. Në gjykimin e opinionit të gjerë shoqëror, kjo ishte e papritur. Dhe lufta vazhdon për ta rigjykuar këtë vendim. Gjatë këtyre ditëve sikur është fashitur dueli mes dy pjesëve të PD-së. Ka rinisur edhe merkatoja e deputetëve. Beteja është zhvendosur në pjesën që drejtohet nga Berisha, i cili ka deklaruar ambicien për të qenë kryeministri i ardhshëm në rast fitoreje. Po këtu ka plasur lufta. Jo pak individë brenda saj kërkojnë që Berisha të mos jetë kandidati për kryeministër. Arsyet dihen. Dhe hidhen hipoteza të ndryshme disa prej tyre edhe të papranueshme që tingëllojnë si kapitullim kandidaturash. Gazmend Bardhi kërkon një kandidat ekstra shqiptar. Kryeministri i ardhshëm, deklaron ai, duhet të jetë nga diaspora. Me fjalë të tjera si njëqind e katër vite me parë të importohet një Fanol për t’i dorëzuar pushtetin. Ky propozim kundërshtohet nga Argita Malltezi e cila nuk pajtohet dhe e quan ide të rrezikshme. Nuk mungojnë zërat edhe për kandidat të brendshëm. Po në një pikë fokusohen propozuesit. Jo Berisha për kryeministër. Arsyeja ambalazhohet me marifet po shkaku është se është non grata nga SHBA dhe Britania. Po edhe në “arrest shtëpie”. Këtu për të qëndruar mbi debatin opozitar është propozuar një zgjidhje ndryshe, tepër origjinale. Puro shqiptare. Dhe propozimi është një vetëpropozim nga pretendenti për kryeministër. Berisha u drejtohet demokratëve që në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme të bëhet një referendum për kryeministrin e ri. Pra një referendum kryeministror pas atij zgjedhor! Historikisht drejtuesi i fushatës zgjedhore, fituesi, është edhe kryeministri i ardhshëm, ai që do marrë timonin për të qeverisur. Nuk ka kuptim që pasi të fitohen zgjedhjet të bëhet një tjetër referendum për t’u pranuar për të drejtuar qeverinë. Kjo është e pakuptueshme dhe e panjohur në demokraci. T’i fiton. T’i kërkon të fitosh një referendum për t’u pranuar kryeministër i Shqipërisë. Referendumi zgjedhor që të ka dhënë fitoren me votë nuk ka pse dublohet nga një referendum tjetër për të të pëlqyer si kryeministër. Ah, po të jetë halli tek dënimi non grata, atëherë ky referendum nuk është më kryeministror po botëror se i kundërvihet jo thjesht shqiptarëve po dy shteteve që konsiderohen, boshti i globit tonë, SHBA dhe Britania. Dhe një referendum i tillë nuk është referendum për karrigen kryeministrore por karshillëk për të thënë, se mua më zgjedhin qytetarët e Shqipërisë as dua t’ia di për ata të Amerikës dhe Britanisë!