Arsimi është një ndër shtyllat kryesore, ku bazohet e ardhmja e një kombi dhe e një shoqërie njerëzore. Është një ndër kollonat, që të sjellin përparimin dhe ecurinë pozitive të brezave të rinj dhe të zhvillimit të përgjithshëm në përgjithësi shkencor dhe mendor ose të çon drejt regresit dhe kaosit, kur nuk i kushton shumë rëndësi dhe e lë pas dore. Arsimi pas viteve `90 pësoi një goditje të rëndë, të cilën nuk po e rikuperon dot edhe sot pas 30 e kusur viteve. Kjo vjen prej faktit, se me arsimin është eksperimentuar dhe po eksperimentohet ende sot e kësaj dite. Kur do të ketë politika me vlefshmëri disavjeçare të aplikueshme për disa vite? Çdo vit vihen re fenomene të ndryshme në sistemin tonë parauniversitar dhe universitar. Çdo vit ndryshohen rregulloret dhe rregullat, gjoja për të lehtësuar dhe për t`u dhënë mundësi të gjithëve të rinjve dhe të rejave të ndjekin studimet në një fakultet të dëshiruar. Por e vërteta është, që çdo vit rritet numri i maturantëve, që duan të ndjekin studimet në universitetet e huaja. Çdo vit ka me qindra e mijëra raste, që maturantët mbesin shumë të pakënaqur nga degët e tyre, që në fund kanë fituar, sepse nuk marrin atë degë, që do të donin vërtet. Kjo vjen prej faktit të kriterit të mesatares, që po i penalizon gjithmonë e më shumë ata. E vërteta është, që një maturant, që gjatë studimeve të mesme të cilklit të lartë ka marrë X mesatare, qoftë të lartë, qoftë të ulët, nuk është i prirur për të gjitha lëndët mësimore, por ai fokusohet në dy ose tre prej tyre. Çdo vit në periudhën gusht – tetor organizohen raunde të ndryshme për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta universitare. Njëherë organizohen tre raunde regjistrimi, këtë vit ka vetëm dy raunde dhe vitin tjetër sipas llogjikës matematikore i bie, që do të ketë vetëm një raund. Dhe pas një viti nuk do të ketë fare raunde, sepse me këto ritme drej kësaj llogjike po shkohet ose do të gjendet një tjetër formulë “efikase”, siç kanë qënë deri më tani formulat e zbatuara nga ana e specialistëve të Ministrisë së Arsimit. Sigurisht kjo bëhet, që t`u jepet të gjithëve mundësia për të studiuar, për të patur një mundësi të thellojnë dijet e tyre në shkollën e lartë. Por kjo është false, sepse çdo vit të ri universitar studentët e ardhshëm nuk besojnë më në sistemin tonë arsimor dhe në universitetet tona, të cilat nuk janë në asnjë moment pjesë e ranglistës botërore për universitetet më të mira në rajon, kontinent dhe më gjerë. Për të qeshur dhe njëkohësisht për të vënë kujën! Kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe nuk mund të përgënjeshtrohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë lloj argumenti nga të tjerët. Ato duhen të kthehen urgjentisht në qendra të studimeve në qelizë, të bëhen vatra të kërkimit shkencor të thelluar, të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, të politikave shoqërore dhe sociale dhe në shërbim të interesit të përgjithshëm publik. Prandaj duke parë tërësinë e problematikave, që u trajtuan sa më sipër, le të shtrohet një çështje në tryezën e Ministrisë së Arsimit: A duhen rikthyer konkurset, që organizoheshin më përpara nga vetë fakultetet dhe bënin vetë përzgjdhjen e kandidatëve të mundshëm, në bazë të rezultateve të arritura gjatë provimit, me qëllim që të eleminohen pakënaqësitë e shfaqura dhe të dala gjithë këto vite nga sistemi i aplikuar deri më tani? – Prandaj specialistët e fushës së arsimit duhen të ulen në një tavolinë të rrumbullakët dhe të hedhin për shqyrtim në këtë tryezë të gjitha alternativat dhe mundësitë e ofruara dhe më pas të dalin në konkluzione dhe mendime të pjekura dhe të sakta, të cilat më vonë të zbatohen dhe të marrin rrugën e tyre të implementimit. Sepse siç thuhet shpesh, një fëmijë, një mësues, një libër dhe një laps mund të ndryshojnë komplet botën dhe të gjithë njerëzimin.