Shërbimet e informimit luajnë një rol të dorës së parë në çdo luftë, duke shërbyer shpesh herë si forcë e padukshme, e cila mund të anojë balancën në favor të fitores ose të disfatës së palëve ndërluftuese. Ato furnizojnë faktorët vendimmarrës ushtarakë me informacione thelbësore dhe u japin mundësi ta njohin sa më thellë armikun, të planëzojnë operacione strategjike dhe të bëjnë përzgjedhjet e duhura në fushën e betejës. Konflikti i armatosur ruso-ukrainas ka nxjerrë në pah me qartësi rolin e pazëvendësueshëm të informacioneve në modelimin e kursit të luftrave moderne. Gjatë konfliktit ruso-ukrainas në zhvillim e sipër, informatat në kohë reale dhe të sakta të ofruara nga shërbimet e informacionit janë kruciale për mbrojtjen e interesave kombëtare, të stabiltetit rajonal dhe për formulimin e përgjigjeve efikase për garantimin e sigurisë. Dora-dorës që lufta ruso-ukrainase vazhdon, shërbimet informative mbeten aktorët-kyç në përpunimin e rezultateve dhe në çeljen e rrugës drejt një zgjidhjeje paqësore e të drejtë të problemit. Veprimtaria informative në luftë konsiston në mbledhjen, analizën dhe përhapjen e të dhënave mbi armikun, mjedisin dhe rezultatet potenciale të veprimeve luftarake. Informatat janë thelbësore për planifikimin, ekzekutimin dhe vlerësimin e operacioneve ushtarake, si dhe për parapritjen e kundërvënien ndaj kërcënimeve, për ndërgjegjësimin e trupave lidhur me situatën dhe mbështetjen e vendimeve. Sipas shumë autorëve, një nga të cilët specialisti i kësaj fushe Nikolla Sfetku (2023), të cilit po i referohem në vijim, informacionet mund të vilen nga burime të ndryshme, si inteligjenca njerëzore (HUMINT), inteligjenca e sinjaleve (SIGINT), inteligjenca e imazheve (IMINT), inteligjenca gjeohapësinore (GEOINT), inteligjenca e matjes dhe e firmës (MASINT), inteligjenca e burimeve të hapura (OSINT),dhe inteligjenca kibernetike (CYBINT). Kështu, bie fjala, HUMINT mund të ofrojë të dhëna për qëllimet, motivimet dhe kapacitetet e kundërshtarit; SIGINT mund të interceptojë dhe të çkodojë komunikimet dhe emetimet elektronike të armikut; IMINT mund të kapë pamje të terrenit, të faciliteteve dhe të veprimtarive që paraqitin interes; GEOINT mund të furnizojë të dhëna hapësinore dhe kohore për veçoritë fizike dhe për zhvillimet në tokë; MASINT mund të detektojë, lokalizojë dhe analizojë karakteristikat dalluese të objektivave; OSINT mund të mbledhë dhe të analizojë të dhëna nga burimet që disponohen publikisht, si për shembull nga media, nga rrjetet sociale ose nga botimet akademike, ndërsa CYBINT mund të monitorojë dhe të shfrytëzojë veprimtaritë kibernetike, si dhe pikat e dobëta të kundërshtarit. Veprimtaria informative në luftë mund të klasifikohet gjithashtu sipas nivelit të saj analizues, siç do të ishte veprimtaria informuese strategjike, operacionale ose taktike. Informacionet strategjike ofrojnë një perspektivë të gjerë dhe afatgjatë mbi mjedisin e sigurisë globale dhe rajonale. Inteligjenca operacionale mbështet planëzimin e zbatimin e fushatave dhe operacioneve madhore, ndërsa inteligjenca taktike përqendrohet në gjendjen aktuale dhe specifike të një njësie apo të një misioni. Veprimtaria informative në luftë është një fushë dinamike dhe komplekse që ka nevojë për adaptim, për përshtatje konstante, për rinovim dhe bashkëpunim me aktorë dhe agjenci të ndryshme. Lufta ruso-ukrainase është një shembull tepër kompleks, me implikime të mëdha për sigurinë rajonale dhe globale. Në qendër të këtij konflikti zë vend të posaçëm roli i veçantë i informacioneve. Para shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas kanë rënë në sy dështime në veprimtarinë informative nga ana e autoriteteve ukrainase dhe agjencive perëndimore. Aneksimi i Krimesë nga Rusia i zuri në befasi, duke dëshmuar për një mungesë ndërgjegjësimi të ukrainasve dhe të perëndimorëve lidhur me pikësynimet ruse apo për një dështim në interpretimin efikas të informacioneve të grumbulluara. Ky gabim në përllogaritje i dha Rusisë një avantazh strategjik dhe përgatiti terrenin për tensione dhe ballafaqime të reja. Lufta ruso-ukrainase, që zuri fill më 2014 dhe u përmbyll me pushtimin e Krimesë nga Rusia, pati rrjedhoja me pasoja të rënda mbi stabilitetin rajonal dhe mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Agjencitë e informacionit kanë luajtur rol esencial në modelimin e kursit të këtij konflikti, duke ofruar të dhëna të vlefshme për faktorët vendimmarrës duke ndikuar në jetësimin e strategjive ushtarake, Theksojmë se mbledhja e informatave të sakta dhe me peshë lidhur me kundërshtarin, përbën detyrën kryesore të shërbimeve informative në luftë. Këto të fundit përdorin teknologji të përparuara dhe agjentë të kualifikuar për të interceptuar komunikimet, për të mbikëqyrur dhe për të analizuar pamjet satelitore etj, për të krijuar një përfytyrim sa më real e gjithëpërfshirës rreth kapaciteteve, qëllimeve dhe pikave të dobëta të armikut. Në luftën ruso-ukrainase, si Rusia, ashtu edhe Ukraina, mbështeten fort e në radhë të parë në shërbimet informative për të interpretuar ndërsjellta lëvizjet e trupave, kapacitetet ushtarake dhe pikësynimet strategjike të kundërshtarit. Informatat luajnë rol të rëndësishëm edhe në identifikimin e linjave dhe rrugëve të furnizimit të forcave ruse. Nga ana tjetër, përdorimi i sofistikuar prej rusëve i informacione që kanë në dispozicion, u ka mundësuar të shfrytëzojnë pikat e dobëta të ushtrisë ukrainase, të pushtojnë zona strategjike dhe të ruajnë befasinë në veprimet që ndërmarrin. Aftësia për të mbledhur të dhëna në kohë reale ka lehtësuar taktikat e luftës hibride të Rusisë, përfshi sulmet kibernetike, fushatat e dizinformimit dhe mbështetjen e grupeve separatiste në Ukrainën Lindore. Ndërkaq, përhapja nga ukrainasit e informacioneve që lidhen me implikimin e Rusisë në konflikt kanë ndikuar në opinionin publik ndërkombëtar dhe kanë stimuluar solidaritetin me Ukrainën e zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë. Aleatët perëndimorë i japin përkrahje në vazhdimësi Ukrainës, ndihmë ushtarake dhe politike, si dhe këshilla strategjike. Veprimtaria informative nuk kufizohet vetëm në mbledhjen e të dhënave prej a
rmikut, por edhe me mbrojtjen e tyre nga dekonspirimi. Masat e kundërzbulimit synojnë ndalimin e armikut për t’u infiltruar e për të mbledhur informata nga radhët e shteteve mike. Kjo është tepër e rëndësishme për sigurinë operacionale dhe konfidencialitetin e strategjive dhe taktikave. Identifikimi dhe neutralizimi i spiunëve armiq mund të ndikojë në prishjen e planeve të palës kundërshtare. E vumë në dukje më lart që rusët përdorin gjerësisht dezinformimin dhe taktika hibride, ndërsa shërbimet informative ukrainase luajnë rol të ndjeshëm në detektimin dhe përballimin e tyre përmes monitorimit të rrjeteve sociale, të forumeve online dhe të masmediave tradicionale për të luftuar rrëfimet e të dhënat e rreme, që kanë për qëllim indinjatën e publikut. Qysh në maj 2014, bie fjala, kanali televiziv Rusia-1 transmetoi një material për gjoja krimet ukrainase duke përdorur pamje nga një operacion rus i vitit 2012 në Kaukazin Verior. Shërbimet informative mund të luajnë rol me rëndësi në luftën psikologjike, ku përhapja e të dhënave të përpunuara me kujdes mund të dobësojë moralin e trupave, të shkaktojë konfuzion e pasiguri etj. Mbledhja e informacioneve të sakta nga shërbimet informative ukrainase për pozicionet, lëvizjet dhe infrastrukturën e armikut mundësojnë ndërmarrjen e goditjeve të suksesshme dhe pakësimin e dëmeve kolaterale e të numrit të viktimave civile.