Nisma e deputetëve PS-PD për hapjen totale të dosjeve dhe pastrimin e politikës nga individë me të kaluar të dyshimtë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë apo informatorë të ish sigurimit të shtetit në çfarëdo rrethane, ka ngritur tensionet dhe ngjallur shumë debate mes deputetëve të cilët janë ndarë në pro dhe kundër këtij ligji. Në esencë, ligji synon, pastrimin e politikës nga ata që për shërbimet që kanë bërë ndaj armës më të egër të sistemit komunist nuk duhet të gëzojnë të drejtën të jenë përfaqësues të popullit apo në funksione drejtues të ekzekutivit apo legjislativit. Ligji nuk është se drejtohet kundër emrave nominal. Ky perceptim është më shumë I atyre që kanë mizën nën kësulë!Në se do ishte i tillë nuk do kishte sukses, do ishte një akt i kompromentuar. Ligjet kanë karakter përgjithësues dhe i shërbejnë tërë shoqërisë. Pra nuk janë për emergjenca apo larje hesapesh aq më keq për të eleminuar kundërshtarë politik. Ky ligj ka gjetur mbështetje nga deputetët e PS dhe PD zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Po ka ndeshur në kundërshti të ashpra dhe debate të zjarrta nga deputetë të “Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha dhe PL të udhëhequr nga Ilir Meta. Janë rreshtuar ballpërballë në dy fronte, mbështësit e ligjit dhe ata që e kundërshtojnë me të gjithë format edhe pse me argumenta qesharake. Rreshtimi kundër ligjit të hapjes totale të dosjeve, si dhe despiunizimit të politikës shqiptare, kompromenton rëndë ata që i janë kundërvënë këtij ligji, pa asnjë arsye objektive dhe pa motivacion edhe pse përpiqen të argumentojnë me deklarata boshe se ligji do të ketë efekt negative,do ndikoj në përçarjen e shoqërisë apo në hakmarrje politike dhe të drejtpërdrejta mes atyre që janë bërë viktima të spiunimit dhe atyre që kanë spiunuar kolegë, miq, shokë, bashkëpunëtorë apo njerëz me të cilët kanë pasur lidhje fisnore, gjaku apo krushqie. Mes kundërshtuesve, rreshtuar anti ligjit në skalionin e parë është renditur PL. Kështu, Erisa Xhixho, deputete e kësaj partie në emër të partisë që përfaqëson, deklaroi në debatet në Komisionin e Ligjeve se:- Prisja të kishim një iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të autoritetit të dosjeve që janë votuar nga ky kuvend dhe kanë përgjegjësi të madhe, të një zyre pranë qeverisë dhe me metoda më keq se sigurimi i shtetit. Nëse ky parlament do ishte i sinqertë do ishte diskutuar sot për propozimit që kanë shtatë muaj që flenë në sirtarët e parlamentit, për naftën, indeksimin e pagave. Sot diskutojmë për një akt që na është vënë para në këtë tryezë, për turpin e mazhorancës, e iniciuar nga një procedurë e paligjshme e autoritet, e vënë në lëvizje nga një e-mail anonim. I gjithë ky ligj, në fakt para një alibie, për të gjitha veprimet skandaloze, shantazheve të autoritetit të dosjeve. Në dosjen që pretendon autorit, emri Ilir Rexhep për Metaj nuk është në asnjë moment. Kam deklaratën e zotërisë F.T, e bërë në vitin 90, i cili në asnjë moment, thotë qartë pretendimet e tij dhe nuk është shprehur Ilir Rexhep Metaj. Xhixho tërë përmbajtjen e ligjit e lidh me emrin e kryetarit të PL Ilir Meta. Këtu i drejton tërë shigjetat për të krijuar idenë se ligji ka të vetmin synim. Ilir Metën. Në të njëjtën gjatësi vale në të njëjtin reshtim edhe Bylykbashi i cili deklarohet se:-Ne duhet të rikthejmë ligjin e vitit 2008 për lustracionin me mekanizma për të hequr ata që kanë shkaktuar atë gjëmë, duke filluar nga ata drejtues politikë që ngritën atë sistem kriminal komunist. Po ta kishim bërë në kohë dhe të kish funksionuar siç duhet ligji i vitit 1995, PS jo vetëm që do ishte boshatisur, por do ishte mbushur shpejt me gjak të ri. Është e deformuar kështu sepse kjo nuk ndodhi dhe kërkuat në 2008 të rrëzohej ligji i lustracionit. Ata që janë gjallë dhe kanë vuajtur, jo thjesht dhunohen moralisht, por nëse diskutojmë diçka konkrete: kjo gjë o bëhet mirë, ose bëhet pis e llum. Meqë thoni se nuk u bë si duhet në 1995, hajde ta bëjmë si duhet. Për propozimi i Ballës, bie ndesh me jurisprudencën e Kushtetueses. Autoriteti është organ i administratës, por nuk ka me ligj kompetenca gjyqësore. Ky propozim cënon dy gjëra: Cënon sigurinë juridike, kush ka dashur e ka çuar në gjykatë vendimin e komisionit të 1995; vendimi që do marrë Autoriteti do vërë në dyshim një vendim të mëparshëm dhe këtë kompetencë ia merr gjykatës. Mendoj se dosjet janë të gjitha të hapura, konsultohen në mënyrën si e përcakton ligji. Po të ishin të klasifikuara, do të deklasifikohej me vendim të Autoritetit nëse duhet të hapen apo jo.’- u shpreh Bylykbashi. Diskutim në të njëjtën linjë me Xhixhën!Në këtë linjë është rreshtuar edhe deputeti, Fatmir Mediu, duke krijuar një qëndrim tre këndor anti ligjit. Për deputetin Mediu:-Të hapen këto dosje për gjithsecilin, por në qëndrimin tonë nuk mund tu bëjmë moral të përndjekurve politikë, s’mund të kërkojmë hapjen e dosjeve të të përndjekurve politikë, ka presion, histori të tmerrshme brenda familjes. Nëse nuk u dhamë mundësinë që të rehabilitohen dhe s’ka asnjë përgjegjës, të kthehen në pronat e tyre, të mos bëjmë lodra në kurriz të atyre. Nuk ka asnjë nga ne të drejt të diskutojë për qëndrimin e atyre njerëzve, u janë pushkatuar motrat, vëllezërit, baballarët. Do ishte e padrejtë dhe e pamoralshme nga ana jonë. Duhet ta përjashtojmë për të mos i shtuar dhimbje e problem. Po përse ky rreshtim dhe paragjykim, i cili bënë bashkë dhe i vendos në të njëjtën barrikadë deputetët e PL, “Rithemelimit” dhe ata Republikanë?Shto këtu, tërë shpurën e propogandistëve, gazetarë e analisto-opinionistë që i janë bashkuar korit anti ligj! Cili është motivi që i bashkon trekëndëshin e Bermudës, këto tri forca politike për të folur në një gjuhë, me të njëjtin fjalorë dhe duke shfaqur të njëjtat paragjykime? E gjithë përpjekja, është sabotimi i ligjit. Zhvlerësi
mi i tij. Nxjerrja jashtë shinave e një nisme e cila ka vetëm një qëllim: Më në fund të pastrohet politika. Ta qëndrojnë larg ata që kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit kushdo qofshin. Të shërohen plagët që janë hapur në diktaturë, po që ende kullojnë gjak. Dhe më në fund në radhët e politikanëve dhe funksionarëve të lartë të mos ketë më individë të shantazhueshëm. Të mbyllet njëherë e përgjithmonë debati i etiketimeve me pseudonime, të cilat i parakalojnë në pasarela, liderët tanë politik kur duan të shantazhojnë kundërshtarët. Dhe një ligj i tillë do i japi politikës shqiptare një dimension të ri. Politika do shpëtoj nga spiunët dhe informatorët. Shoqëria dhe Shqipëria do fitoj prestigjin që meriton, pa plagët që e kanë ndjekur edhe tridhjetë vite pas rënies së sistemit komunist. Pas këtij ligji, spiunët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit do dalin mënjanë dhe nuk do guxojnë t`i afrohen më politikës pasi do jenë të shënjuar në shpinë me damkën “spiun” para gjithë shqiptarëve!