Kështu thonë shpesh ata të paktit mes nesh që duan të gjejnë e të reklamojnë të mirat e mëdha që i ka sjellë ky kryetar qeverie Shqipërisë. Kujtoj që në shoqërinë njerëzore ka ndarje shoqërore pune. Bie fjala,një është karrocier, tjetri kryeministër. Dikush është bletërritës, një më tutje merret me diplomaci dhe ky këtu afër është vrasës me pagesë për të takuar më lart një varrmihës. Kështu deri tek miliardat e llojeve të veprimtarisë personale e shoqërore që kryejnë njerëzit. Ama gjithsecili, sipas një tip rregulli kanunor,fisnor apo ligji shtetëror duhet të japë llogari para eprorit, individ ose organ kolegjial. Si normë,një herë në muaj,por kjo ndryshon sipas vendit, kuvendit dhe llojit të punës e organizimeve. Madje edhe mbretërit kanë dhënë llogari para…piktorëve, shërbëtorëve, popujve dhe historisë. Po kryetari ynë kujt i ka dhënë llogari deri më sot për punën e bërë , për mëmëdheun dhe për ta njohur bota Shqipërinë ashtu siç e duhet?Ne të tanishmit që jetojmë tërësisht këtë kohë,këtu në atdhe, le ta quajmë dekada diktatoriale e Edi Ramës, kemi se ç’themi për të dhe për vete. Rama nuk flet fare për ndonjë-lloj diktature që ka vendosur si padashje, por realisht këtu vetëm ai dëgjohet. Vetëm nga ai kanë frikë njerëzit e punësuar dhe ata të opozitës Ai flet e ai vendos, por jo për të gjitha vendimet që merr,i firmos!?U lë kompetencë vartësve, të cilëve,kësisoj, u hap dyert edhe për dorëheqje edhe për burg. Paçka se një pjesë ë tyre largohen në drejtim të paditur. Ky individ duke qëndruar 11 vjet në krye të bashkisë më të madhe të vendit, 20 vjet kryetar partie dhe 11 vjet kryetar qeverie,ka pasur kohë të bollshme që të na njohë me botën. Ndaj jemi dakord me këtë lart vlerësim: ai na ka njohur ne botën! Duhet shtuar vetëm diçka (që dikush e thotë nën gjuhë ose e maskon me bujën e fjalisë së parë ): sipas mënyrës së tij aventureske për interesa të kultit personal. Por ama edhe bota e ka njohur atë!Dhe pastaj me zë të lartë ne themi se duhet shtuar: Shqipërinë e njohu bota në vitin 1912 kur ngriti flamurin Ismail Qemali; ai me zgjuarsinë dhe atdhedashurinë e tij si pakkush tjetër shkoi edhe nëpër Europë e botë që të njihej më mirë Shqipëria. Atij i këndohet kënga:”O shokë na mori malli/ ku bëhet Ismail Qemali,/ në Paris brenda te krali/fol o Ismail Bej me gojë/ unë flas po s’më dëgjojnë/”. Ismail Qemali u takua me Klemansonë, ia tha gjithçka në sy dhe as nuk u tremb dhe as nuk u tërhoq kurrë. Deri në 1939 bota hileqare u mundua që Shqipërinë ta copëtonte duke përdorur si mashë mbretin tonë Ahmet Zogu që tradhtoi aq armiqësisht këtë popull. Pastaj fashizmi e nazizmi e pushtoi Shqipërinë dhe shqiptarët u çliruan nga ta vargoj me forcat e veta, nga ushtria partizane shqiptare me komandant Enver Hoxhën. Dhe bota, që për ne ka qenë e mbetet vetëm grabitqare,e mori vesh më mirë se kush ishte Shqipëria, në vitin 1946 kur Enver Hoxha foli frëngjisht në Paris. Ai kreu atë akt trimëror duke ua përplasur fuqive të mëdha të vërtetat historike dhe sakrificën e shqiptarëve në atë luftë të paparë,ndaj populli i këndon edhe sot:”Në Paris u mblodh UNO-ja/ fol Enver të lumtë goja/ Fol e mbro të drejtat tona/! Pastaj për 45 vjet përsëri bota e njohu Shqipërinë si vend komunist dhe ne shqiptarët e njohëm botën si kapitaliste që na kish halë në sy. Dhe si komuniste për aq sa na përkrahu e ndihmoi. Por themelore është se Shqipëria mbeti Shqipëri e nuk u kthye han me shumë porta,siç e transformoi Edi Rama në këto 15 vjet. Është e kuptueshme shtëpia nuk mund të rrijë vetëm e kyçur dhe e mbyllur, por ama edhe kështu siç e bëri Edi Rama, që ka hapur krejt dritaret kanat më kanat dhe dyert i ka hequr fare, duke hyrë e dalë tërë bota- kjo nuk është njohje e botës, por vetasgjësim. Në këndshikimi më realist, kjo është historia e njohjes me botën që na kanë realizuar drejtuesit tanë. Së pari, duhet theksuar që kryetari ynë është tejet i zgjuar,bashkëkohor, madje i avancuar në veshje dhe në ironi,njohës e folës i disa gjuhëve të huaja dhe më shumë dashamirës i popujve dhe qeverive europiane se sa drejtues konkret i jetës ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë, ku i ra pjesa të ushtrojë ndarjen shoqërore të punës. Është njeri që nuk e njeh kazmën dhe lopatën, as pushkën e as flamurin e përgjakur të kombit shqiptar sa njeh domosdoshmërinë e kthimit të tërë çkaje që gjeti në këtë vend, në atë stad që ai e quan identitet, në atë nivel që ai (dhe bota) e quan ‘zhvillim i paimagjinueshëm i vendit’ dhe kërkon që të merret vesh nga bota mbarë se është ky ideator, realizues dhe vulosës i këtij zhvillimi. Si i tillë ai na prezanton ne, nëpër botë. Pra bota, sipas një logjike të thjeshtë, thotë: siç është ky, le ta quajmë udhëheqës, ashtu do të jetë edhe populli që ai drejton, që e ka zgjedhur atë! Së dyti, si kryetar partie është tejet i kujdesshëm që ajo, të cilën ai e quan parti, të dijë të mashtrojë sa më shumë e sa më mirë masat e varfra apo lehtësisht të gënjyeshme, që rreth vetes dhe në anëtarësi,të ketë sa më shumë servilë, indiferentë, puthadorës, mediokër dhe që dinë thonë”shefi është perëndia!” Ata që janë dënuar përbëjnë vlerë të shtuar ndaj duhet të aktivizohen sa më shumë. Midis tyre le të ketë edhe ndonjë të ndershëm, serioz dhe punë mirë. A ju kujtohet kur u zgjodh- se realisht atë kohë ishte më i miri- kryetar Bashkie, doli në bulevard me një sopatë në krah që të priste një shtyllë telefoni në një trotuar ku ajo ‘dreq shtylle’ kish mbirë apo kish mbetur nga koha e komunizmit?! Po kur rehabilitoi Mit’hat Frashërin, jashtë dhe mbi meritat që ai ka pasur dhe aq më pak sa i kanë mbetur,duke iu thënë veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që ishin gjallë:”Ulni kokën, ju nuk dini gjë!”!? A e sillni dot në mend,kur nisi detyrën e sipërme të kryetarit të qeverisë, se si
u punua për hashash mbjelljen me stilin “shiko e mos fol” dhe fill pas të korrave të para u luftua aq ashpër kundër drogës në Shqipëri!? Madje u sakrifikua edhe një ministër! Betonimet, pedonalet, tunelet, asfaltimet me tre-katër herë e njëjta rrugë, ekspozita me qen dhe abstraksionizma, mbyllje e shprishje muzeumesh-në vazhdën e vandalit pararendës S.Berisha- ju kujtohen mirë të gjithë atyrëve që nuk kanë lëvizur nga trualli i këtushëm. I përmendim këto si bëma të mirëfillta të kohës së qeverisjes së këtij njeriu që na njohu me botën, duke nisur nga Greqia, bustin e një kryeministri të së cilës e vendos në një shesh të një qyteti shqiptar mbasi, ka …mik të birin. Duke vijuar me Italinë,kur me ‘motrën’ Meloni nënshkroi aktmarrëveshjen për strehimin e mbi tremijë refugjatëve klandestinë afrikanë në Shëngjin. I pari akt i tillë në Europë dhe që po gjen sa kundërshtime aq edhe përkrahje nga qeveritë dhe popujt e kontinentit të tej ngopur me gjithçka, veç sinqeritetit dhe ndershmërisë. Dhe të mos harrojmë se këto bëhen në emër të popullit shqiptar!Na ka njohur mirë me Serbinë e cila nuk njeh aspak dhe është‘në thikë e në pikë’ me shqiptarët e Kosovës. Kryetari ynë, në këto vite qeverisjeje, ka bërë më shumë takime, përqafime e marrëveshje me Aleksandrin se sa me Albinin. Na njohu edhe me Maqedoninë, mallrat e së cilës kanë bllokuar tërë prodhimet vendase nga qumështi deri tek qepa. Le pastaj njohjet me vendet arabike, islamike, nordike! Njohja me Anglinë, shtetin ishullor e sundues botëror, është më spektakularja, sepse atje janë mbi dy mijë shqiptarë të burgosur e sa të tjerë të keqtrajtuar! Forumi i parë i bashkimit Europian në Shqipëri dhe pritja me tapet të kuq tek stadiumi ynë emër ndërruar (nga dëshmori Qemal Stafa në emër kompanie ajrore(!?) me pronar dikë atje!) ka qenë realisht më impozanti, më i suksesshmi dhe më historiku për ne. Këtu kryetari ynë ka meritën e plotë. Mos vallë ai organizon në vijimësi takime e forume -pa flamur e pa logo- për të mbrojtur Ukrainën, që të njihet Shqipëria nga bota?! Jooo! Kjo bën ‘muuu’ që të tilla organizime bëhen që të njihet Edi Rama si lider në fasadën europiane. Së fundi, takimi me presidentin francez, Makron, ka lënë përshtypje sepse është prezantuar si i pari kryetar shqiptar që mezi arriti një të tillë sukses. Në një këndshikimi objektiv njerëzit duhet të reflektojnë historikisht, sepse sapo e cituam më lart se kanë qenë në Paris shumë vite më parë, burra të tjerë të vërtetë shqiptarë dhe kanë bërë thagmë. Edi Rama i ka dhënë dorën për t’i dhuruar më pas edhe krahun. Do të rrojmë e do të shohim.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë