Tradicionalisht për nxënësin, për përvetësimin e njohurive të lëndëve mësimore sipas cikleve të shkollimit, kanë shërbyer: mësuesi nga njëra anë që padyshim luan rolin kryesor në këtë drejtim dhe teksti mësimor nga ana tjetër, sipas lëndës që bëhet fjalë. Këto dy elementë secili në rolin e tij, në rrafshin pedagogjik kanë treguar kurdoherë vlerat e padiskutueshme për arritjen e suksesit në drejtim të formimit të nxënësve lidhur me njohuritë e kësaj apo asaj lënde mësimore. Por nxënësit e sotëm, nisur nga praktika e të mësuarit dhe e përgatitjes që bëjnë për lëndët që zhvillojnë në shkollë, ka rezultuar se ata më shumë po i japin prioritet të mësuarit vetëm përmes përdorimit të internetit, ndërsa përdorimi i tekstit ka vite që ka kaluar në një plan të dytë ose ndoshta po bëhet i papërfillshëm për nxënësin, përfshirë këtu edhe nxënësin cilësor dhe aq më keq një dukuri e tillë po reflektohet masivisht te nxënësit. Këtë realitet e vërteton edhe shkalla e përvetësimit të njohurive dhe e programit mësimor që konstatohet të nxënësit, nëse do i testosh me gojë apo me shkrim lidhur me njohuritë e përvetësuara për x apo y lëndë mësimore. Sigurisht nuk dua të mohoj vlerat e internetit, pasi edhe ai është një burim mjaft i rëndësishëm informacioni për problemin që na intereson të dimë, por kurdoherë teksti shkollor, është prioritarë dhe elementi bazë për nxënësin për të marrë dije të qëndrueshme dhe për ta formuar atë në nivelin që duhet. Aq më tepër se në tekstin mësimor, nxënësit i prezantohen njohuritë dhe dijet më të nevojshme në përputhje me moshën dhe programin që dikton një lëndë mësimore e caktuar. Lidhur me rolin e tekstit shkollorë, nisur nga përvoja ime shumë-vjeçare si mësues, madje edhe kur kam punuar në pozicionin e inspektorit të arsimit për rrethin e Krujës, gjej rastin të shpalos edhe disa mendime lidhur me prioritetet që ka teksti mësimor për nxënësin, për arritjen e suksesit në drejtim të formimit dhe përgatitjes së tij. Le t’i ndjekim ato në vijim: – Së pari, teksti mësimor (që kemi parasysh tekstin bazë ku mësojnë nxënësit ) sipas cikleve të shkollimit, është hartuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë nga autorët e teksteve ( specialistët ), ku njohuritë që prezantohen i përshtaten moshës dhe nivelit të nxënësve. – Së dyti, volumi i njohurive që prezantohen në tekst, është i tillë që nxënësve nuk u krijon as mbi/ngarkese dhe as nën/ngarkesë. Pra për momentin pasqyron aq njohuri sa i nevojiten nxënësit. – Së treti, aparati pedagogjik i tekstit përmes alternativave që dikton, është ndërtuar në mënyrë të tillë që e ndihmon dhe e lehtëson nxënësin për të kuptuarit e suksesshëm të materialit të ri mësimor. – Së katërti, kur nxënësi përdor tekstin mësimor lidhur me përgatitjen që bën për materialin e ri mësimor në një lëndë të caktuar, kujton edhe fjalën e mësuesit gjatë të shpjeguarit të materiali
t në mësim, pasi ky i fundit kur shpjegon materialin që bëhet fjalë, është i detyruar t’u shpjegojë dhe t’u japë nxënësve aq sa dikton materiali i ri dhe programi mësimor që dikton lënda që zhvillon.
– Së pesti, vlerësimi dhe përdorimi i tekstit mësimor nga nxënësi gjatë të mësuarit dhe përgatitjes që bën, ndihmon edhe në edukimin e logjikës si dhe të aftësimit të tij për të bërë analiza dhe sinteza, gjatë studimit të materialit, pasi materiali që bëhet fjalë është trajtuar dhe ndërtuar, duke ndjekur dhe respektuar me fanatizëm linjën kronologjike, trajtimin e problemeve në mënyrë të përshkallëzuar, e këtu është fjala për trajtimin e problemeve nga njohuritë e mësuara më parë, te njohuritë e reja që kanë lidhje më ato të mëparshmet. Për braktisjen, nënvlerësimin dhe mospërdorimin e teksteve shkollore nga nxënësit gjatë të mësuarit dhe përgatitjes që bëjnë, duke i dhënë prioritet vetëm internetit, përgjegjësi mbajnë edhe vetë mësuesit e lëndëve mësimore, pasi shumë prej tyre po ia kërkojnë nxënësve përgatitjen e mësimit, duke u bazuar vetëm te materiali i kërkuar në internet dhe jo përmes tekstit bazë që diktojnë lëndët mësimore. Madje në këtë drejtim kemi edhe mësues që për përgatitjen e nxënësve në mësim, u këshillojnë atyre, apo u japin atyre detyra të caktuara, duke u mjaftuar vetëm me shfrytëzimin e internetit për temat e reja mësimore që u shpjegojnë lidhur me lëndën që u zhvillojnë. Por në gjirin e mësuesve kemi edhe nga ata mësues që abuzojnë, duke mos ua shpjeguar fare nxënësve materialin e ri mësimor nga mospërgatitja që kanë, apo nga përtacia që ndjejnë për t’ua shpjeguar materialin që bëhet fjalë. E sigurisht këtë aspekt të këtyre mësuesve që e reflektojnë, do ta quaja një dukuri të pafalshme ndaj tyre në procesin mësimor-edukativ dhe në përgjegjësinë që u takon për profesionin që ushtrojnë në punën me nxënësit si mësimdhënës dhe edukator. Dua të theksoj se nisur nga vlerësimi dhe përdorimi i tekstit shkollor nga nxënësit e sotëm, rezulton se ky tekst po braktiset gjithnjë e më shumë prej tyre. E një dukuri e tillë, pa dyshim ka krijuar jo vetëm boshllëqe të ndjeshme te nxënësit lidhur me asimilimin e njohurive dhe të programit që diktojnë lëndët mësimore që zhvillohen në shkolla sipas cikleve të shkollimit, por dukuria që bëhet fjalë, është bërë edhe një shqetësim për prindërit e nxënësve, për nivelin mjaft të ulët që kanë fëmijët e tyre nisur nga formimi që përjetojnë për momentin. Së fundi dua të nënvizoj, se nga nënvlerësimi dhe mospërdorimi i tekstit mësimor nga nxënësit e sotëm, në drejtim të përgatitjes që bëjnë, duke u mjaftuar vetëm me përdorimin e internetit, mangësitë dhe boshllëqet për përvetësimin e njohurive të programit që diktojnë lëndët mësimore në shkolla është masive, duke përfshirë edhe mjaft nxënës cilësor, pavarësisht nga cilësia e notës që mund të kenë në këtë apo atë lëndë mësimore. Vetë niveli i njohurive, rezulton se notat janë më shumë fiktive se sa objektive të vendosura nga mësuesit për arsye nga më të ndryshmet. Por sigurisht padija do flasë edhe më pas për nxënësin, pavarësisht nga nota me të cilën është motivuar ky apo ai nxënës nga mësuesi, për qëllime të caktuara.