Gjithmonë duhet të themi : “ ku po shkojmë?”- është një mësim i fuqishëm i korifeut të letërsisë,filozofisë e të politikës botërore, Viktor Hugo në vitin 1872. Ai e shtronte këtë detyrë për Francën e asaj kohe, por mbetet gjithnjë aktuale dhe e përdorshme në çdo kohë, për çdo individ, organizatë, institucion e për çdo shtet. Nga historia e jonë, e lashtë dhe e lavdishme, (që na e vlerëson edhe bota përparimtare) e cila ka qenë e mbetet një armë për të garantuar edhe të ardhmen e kombit, dimë se të parët tanë trima e mendjendritur kanë ditur se ku do të shkonin ndaj vepruan me krenari kombëtare e njerëzore, me dituri e me armë dhe na bënë ne pasardhësit me gjuhë, me truall, me atdhe, me shtet, me flamur e me pavarësi. Akoma më afër, të parët tanë dinin se do të shkonin drejt një shoqërie pa klasa antagoniste e pa shfrytëzim, pa sundues të huaj e me liri të siguruar, me ekonomi të fuqishme,me mbrojtje të fortë me armë e shkencë. U bë si u bë tashmë erdhëm në ‘demokraci’ ku nuk e merr vesh qeni të zotin. Realisht jemi shteti i vetëm në Europë pa ushtri, pa ekonomi, me kulturë që po goditet përditë, me traditë që po luftohet orë e çast dhe me gjuhë që po kërcënohet ashpërsisht për ta mposhtur. Kryetari i qeverisë që po drejton republikën tonë parlamentare, një piktor në profesion dhe basketbollist orator në pasion, ka mbi pesë vjet që i është ngulur thellimit vetëm të një braze në tokën që po lëron: turizmit dhe vetëm turizmit. Aq shumë po i mëshon kësaj udhe të ‘zhvillimit të paimagjinueshëm të Shqipërisë’ me anë të turizmit, sa ka rrezik që një ditë në vend të fjalës ‘mirëmëngjes’ të themi “turizëm”! Tashmë kemi tri dekada që jemi të pushtuar ‘de fakto’ nga amerikanët të cilët,falë përkushtimit të zellshëm të qeverive tona postkomuniste, janë ulur këmbëkryq në Kuçovë, në Tiranë, në Shëngjin, në Sazan…Ata janë kudo.“Ne jemi këtu përgjithnjë; këtu është FBI-a,DEA, CIA, ndaj luftoni sa më shumë korrupsionin”- tha një nga zyrtarët amerikanë që erdhi në mars të këtij viti këtu për vizitë pune. Mesazhe shumë të qarta për të argumentuar sundimin, pushtimin, nënshtrimin dhe ‘zhvillimin’.Të kuptohemi drejt:zhvillim si ai i rigonit poshtë hijes së lisit. E thënë më saktë, ky zhvillim është kthyer në një lloj zhvidhosje të paparë e tërë burgjive shqiptare,duke i futur në një thes të tëra: komuniste, socialiste, tradicionale të ndërtimit shoqëror, ekonomik, politik, gjuhësor, ushtarak, demografik.Shkurt: strategjia është që të kthehet tërëçka në amerikane. Të mos mbetet asnjë gjurmë e komunizmit, kësaj fantazme që iu kall frikën gjithë sundimtarëve dhe manjatëve të pronës private. Në këto vite pas dymijë, Shqipëria është transformuar në truall me banorë të shumë kombësive, për vizitë e për banim, sikur të ishim një provincë kanadeze e pa eksploruar. Në një kronikë të ngrohtë duke folur për vendin prej nga ka origjinën familja e tij, ku kish shkuar për një fundjavë, një sociolog i dëgjuar, përshkruan anën tjetër të medaljes së të tanishmes. Ai rrëfen se në qytetin jugor shqiptar takoi gjithkënd nga çdo skaj i globit përgjatë një rrugice diçka jo më shumë se njëqind metra: dy amerikanë, dy spanjollë, disa të rinj italianë, pesë grekë, një çift austriak dhe dy holandezë,një burrë e një grua kinezë me dy fëmijët e tyre, mbi dhjetë anglezë. Kish takuar edhe ca mjekë të lindur këtu,ardhur për fundjavë edhe këta, por që kanë ikur e punonin në Tiranë,si dhe kryetarin e bashkisë. Kaq shqiptarë. Ky fakt flet vetë dhe tregon shumë. Jemi bërë një shtet ku kryesisht vetëm vidhet, mashtrohet, kurvërohet që në shumë kanale televizive,nëpër hallkat e zinxhirit burokratik shtetëror deri në jetën praktike të rëndomtë në trotuar. Jemi kthyer në një lloj shteti që rezultatet e arritjet kanë dy tregues kryesorë: sa njerëz janë arrestuar sot dhe sa turistë erdhën dje!? Një këndshikimi analitik i tillë,natyrshëm ka doza ekstreme, por, ju lutem më thoni ku ta gjejmë njeriun, disiplinën, qetësinë, prodhimin bujqësor e blegtoral masiv,qeveritarin e ndershëm, zyrtarin që nuk mashtron por të zgjidh problemin me kompetencë! Ku ta gjejmë mjekun që nuk kërkon lek por të shëron me fjalë, me vizitë të plotë e me recetë të saktë? Ku ta gjejmë shkollën, mësuesin e përkushtuar dhe nxënësin e devotshëm për të mësuar e për t’i shërbyer atdheut? Ku ta gjejmë drejtësinë, ndërgjegjen dhe sinqeritetin njerëzor që patëm dikur? Ku na vajti dashuria njerëzore, solidariteti dhe siguria që kishim para tri dekadash?Me se dhe si po e mbrojmë ‘lirinë’, njeriun, gjuhën dhe zakonet tona!? Ankthi,sëmundjet psikologjike, kequshqyerja, dëmtimet e rënda të arsimit e të shkollimit, humbja e dinjitetit personal e kombëtar,shpërfillja dhe braktisja e ndjenjës së punës si burim më i mirë e më i madh i të ardhurave për jetesë, etja për pasurim me anë të krimit -janë vetëm disa drejtime të rënies së ndërgjegjes shoqërore në nivele katastrofike. Por edhe pse të pushtuar, përsëri, kryetari,qoftë ai i qeverisë, i shtetit, i parlamentit, që është atdhetar, që ka qoftë edhe pak sedër shqiptare, kombëtare e gjen mundësinë që të japë përparësi atyre sektorëve që e mbajnë në këmbë jetën e këtij populli të vogël,që e do lirinë, tokën dhe familjen. E këtij populli që ka vetinë e çuditshme për të mos u asimiluar. Thoshte këto ditë një shef i një agjensie turistike se ‘janë gjashtëqind blerës skandinavë të hyrjeve në plazhin e Vlorës’ dhe ‘dyqind polakë’ në atë të Shëngjinit. Po sa ka të tjerë sidomos italianë, grekë, të moshuar pensionistë e të rinj, turq, filipinezë, kinezë,pakistanezë,indianë etj. që kanë blerë shtëpi,tokë, objekte, biznese e prokopi këtu? Por askush nga këta drejtuesit tanë t
ë hutepsur e të degraduar nuk thotë se janë shuar qindra fshatra e qendra banimi të hershme e të mirëfillta shqiptare vetëm në këto tridhet e pesë vjet kapitalizëm. Është braktisur gjerësisht toka mëmë. Toka që është pushteti më i gjithëfuqishëm tek ne po braktiset gjerësisht. Ku po vëmë kështu?Në disa fshatra gjen vetëm pleq, plaka dhe qen. Askush nuk thotë se janë mijra familje me taban të plotë shqiptar që enden me qira nga që nuk mund të blejnë dot shtëpi për të jetuar sepse pagesa e punës këtu është shumë nën nivelin e asaj europiane dhe çmimi i shtëpive është stratosferik. Po gjithashtu, në të njëjtën frekuencë me shefin e agjencisë turistike, edhe kryetari i qeverisë sonë këto ditë, me një megalomani të shfrenuar, thoshte se “Sazani do të jetë kartëvizita e Shqipërisë në mes të Mesdheut!?” Se do të këtë një ‘efekt kaskadë’ zhvillimi turistik sidomos pas ndërtimit amerikan të resorit të Sazanit, se “ne me zhvillimin tonë turistik, po e ngrejmë stekën sa nuk mund të imagjinohet”!? Pyetja e parë që lind vetiu pas këtyre deklarimeve pompoze të kryeministrit tonë, është “po ku është atdheu ynë, toka jonë, deti ynë, Shqipëria jonë në këto që po thua?Ku janë bijtë dhe bijat tona? Ku është buka jonë e grunjtë dhe e misërt, ku është kombinati ynë i pëlhurave,i ushqimeve, i prodhimeve industriale e bujqësore? Shumë shkolla të huaja kam në vendin tim, amerikane,franceze, turke, italiane, gjermane, spanjolle, etj, po ku është shkolla shqipe dhe gjuha shqipe këtu në këtë ‘efekt kaskadë”?Kur rinia e këtij vendi, nuk e shikon të ardhmen e saj në këtë truall kaq të bukur, ngase ju si qeveri e keni braktisur atë duke thënë e duke vepruar: “s’është puna e qeverisë emigrimi i të rinjve”, si u bëkërka ky i vetmi ishull i yni, kartvizitë për Shqipërinë? Për cilën Shqipëri e keni fjalën z.kryetar? Kjo politikë e qeverisë suaj duket qartë se po e shet pak nga pak tërë tokën tek të huajt, po mbush xhepat për të vijuar me zbatimin thënies kanibaleske, sulltanore e mbretërore franceze“pas meje asnjë gur mbi gur le të mos mbesë!” Z.kryetar, përse nuk i përgjigjeni pyetjes së Hygoit: “ A e dini se ku po shkojmë? Por le ta vënë vëth në vesh të gjithë: të huaj e sidomos tradhtarët vendas! Shqipëria do të mbetet këtu ku e ka vendosur natyra, si shkëmb mbi shkëmbinj. Ajo mund të drobitet, por kurrë nuk do të zhbëhet. Ajo do të mbetet Shqipëri. Kështu na e ka mësuar historia. Nuk kanë dalë akoma ata që do të mund të shkatërrojnë truallin, gjuhën, kulturën e fuqinë e shpirtit të shqiptarëve.