Agjencia për Nxitjen e Investimeve (AIDA) ka marrë kohët e fundit një aplikim nga kompania amerikane “Affinity Partners”, në pronësi të investuesit të pasurive të patundshme Jared Kushner, dhëndër i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për një projekt zhvillimi turistik të ishullit të Sazanit, ishullit të vetëm të Shqipërisë. Kushner është bir në art në investime pasurish të paluajtshme, pasi i ati ka qenë ndër investuesit e rëndësishëm në Nju Jork. Investimi i Kushner do të menaxhohet, pas ndërtimit, përmes markës së njohur ndërkombëtare Aman, një markë e resorteve turistike të nivelit të lartë në Azi dhe që në Ballkanin Perëndimor gjendet vetëm në ishullin malazes Shën Stefan dhe në Greqi. Kompania “Affinity Partners”, me bazë në Majemi të SHBA-ve, me asete në vlerë 3.1 miliardë dollarë, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit në një komunitet turistik të nivelit të lartë, në formën e një eko-resorti, duke e ruajtur të paprekur peizazhin natyror të ishullit me një sipërfaqe 6.7 kilometra katrorë. Sazani mund të shndërrohet edhe në port kroçierash në pjesën e tij që sheh nga Gadishulli i Karaburunit, pasi thellësia aty është 150 metra, ndërkohë që kroçierat, këto qytete lëvizëse që mbajnë edhe 2 mijë turistë të moshës së tretë, që duan të harxhojnë, nuk mund të ankorohen në Vlorë, Sarandë apo Durrës, për shkak të thellësisë së pamjaftueshme të këtyre porteve. Sipas informacioneve nga rrjeti i njohur televiziv ndërkombëtar për ekonominë Bloomberg dhe nga gazeta amerikane “The New York Times”, kompania “Affinity Partners” po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazhe të virgjëra me rërë të bardhë dhe të thellë, duke ndërtuar 10 mijë vila dhe dhoma hoteli. Së bashku me një projekt të tretë për ndërtimin e një hoteli turistik në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, kompania “Affinity Partners” po planifikon të investojë 1 miliardë dollarë, me dy projektet në Shqipëri dhe projektin në Serbi. Plani për investim paraqitet në një moment kur turizmi tek ne është kthyer në industrinë numër një të vendit, duke ia kaluar ndërtimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, pas publikimit më 25 mars 2024 të të dhënave të bilancit të llogarisë korente të vendit(paratë që dalin dhe paratë që hyjnë në vend), turizmi ka kontribuar në prodhimin kombëtar me 4.2 miliardë euro, duke ia kaluar me 200 milionë euro të ardhurave nga eksportet e mallrave për vitin 2023. Nga ky këndvështrim, çdo investim, dhe sidomos i kësaj natyre, që fut në qarkullim ekonomik disa asete të fjetura, është për t’u përshëndetur. Me zgjimin e Sazanit, një pasuri në gjumë letargjik që nga koha e përmbysjes së komunizmit, nuk duhet të harrojmë mini-plazhet e virgjëra të Karaburunit. Qeveria duhet të mendojë një plan zhvillimi për pjesën e Sazanit që nuk do të shfrytëzohet nga projekti i Kushner, për Karaburunin dhe 180 km bregdet ende i pazhvilluar, që mund të shtojë me herë “palmat” e sipërfaqes së vjedhur detit në Dubai. Duhet të mendojë “të zgjojë” Karpenin, Darëzezën dhe Pishë Poron, Kepin e Rodonit e deri tek Rana e Xanun në Shëngjin. Ndërkohë, Sazani mund të shndërrohet në Singaporin e Mesdheut, me plane për të zhvilluar të gjitha kilometrat katrorë që nuk do t’i marrë projekti i Kushnerit, në zona të lira ekonomike dhe seli kompanish me taksa zero. Zhvillimi i projektit turistik të një eko-resorti në ishullin e Sazanit, nëse do të realizohet, nuk ka asnjë diskutim që përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për turizmin dhe për ekonominë tonë kombëtare. Duke qenë se flasim për një investitor ndër më seriozët në këtë fushë, qoftë nga fondi i investimit, nga ku sigurohen paratë, qoftë nga firma që do të merret me menaxhimin e këtij projekti, sikurse është paraqitur deri më sot, që të dy këta faktorë garantojnë për një rritje të ndjeshme të seriozitetit të industrisë sonë turistike. Ky zhvillim do ta shndërrojë turizmin shqiptar në një konkurrent të denjë, në raport me vendet e rajonit. Pas projektit prej 2 miliardë euro të “Durrës Jahte dhe Marinë”, të miliarderit Mohamed Alabbar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili po përparon në portin e sotëm. tregtar të Durrësit, që do të zhvendoset, dy projektet e kompanisë “Affinity Partners” përbëjnë lajmin e dytë të rëndësishëm për një investim të huaj strategjik në turizmin tonë. Projekte të tillë duhen mikpritur nga të gjithë ne, pasi janë për të mirën tonë publike. Strukturat tona qeveritare duhet të sigurojnë çdo lloj mbështetje të nevojshme, që ky projekt të vihet në funksionim dhe Sazani “të zgjohet” sa më parë
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë