Tre agjencitë më të mëdha në botë të vlerësimit të shëndetit të huave publike, “Standard & Poor’s”, “Moody’s” dhe “Finch Ratings”, përdorin klasifikimin “BB” deri në “AA” për ekonomitë me financat publike më të qëndrueshme, ose, siç e quajnë në gjuhën e tyre specialistët e këtyre agjencive, “ekonomitë në kampionatin botëror të financave”. Ekonomitë me vlerësime nën BB, pra edhe po të jesh “B+”, konsiderohen ekonomi me rrezik relativisht të lartë dhe përqindja e interesit, nëse të japin borxh në tregjet ndërkombëtare, është e lartë dhe afati i shlyerjes i shkurtër. Më 22 mars 2024, Agjencia “Standard & Poor’s e futi Shqipërinë në këtë “kampionat”, duke na vlerësuar për herë të parë me notën “BB-“, nga nota “B+” që kishim gjashtë muaj më parë. Agjencia vlerëson aksionet e zakonshme dhe të preferuara, obligacionet dhe letrat tregtare. Kalimi në një shkallë(notë) më të lartë, zakonisht kërkon nga tre agjencitë botërore një kohë relativisht të gjatë për të krijuar bindjen që përmirësimet e ekonomisë së një vendi janë të qëndrueshme. Të paktën një deri dy vjet. Në tre vitet e fundit, nota e Standard & Poor’s për Shqipërinë është kërcimi më i madh pozitiv në gjykim, për një vend evropian. Agjencia prodhon vlerësime zakonisht në intervale 6 muaj deri një vit nga vlerësimi i mëparshëm. Shtimi-kërcim i vlerësimit vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike, në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme. Në pesë vitet e fundit 2019-2023, ekonomia jonë ia ka dalë gjithnjë që të befasojë për aftësinë e saj të rimëkëmbjes shumë nga institucionet ndërkombëtare që na vëzhgojnë e na ndihmojnë, si FMN-në, Bankën Botërore dhe BERZH-in. Në vitin pandemik 2020, institucionet ndërkombëtare parashikuan që prodhimi ynë kombëtar (PBB) do të binte ndërmjet minus 7 dhe minus 9 perqind, si rrjedhojë e pasojave që do të vinin nga mbyllja dhe rënia globale. Një gremisje e vërtetë. Në fakt nuk ndodhi kështu. Ramë vetëm 3.3 përqind, rënie ndër më të ulëtat në rajon. Në vitet 2021-2023, vendi u rrit më shumë sesa parashikimet e fillimvitit të këtyre institucioneve. Elasticiteti, përshtatshmëria e shpejtë e sipërmarrjeve tona, që në pjesën më të madhe janë të vogla e të mesme, ka bërë që praktikisht të mos dëgjojmë lajme falimentimesh masive mes bizneseve, nga vështirësite e këtyre viteve të fundit. Sipërmarrjet tona ditën të përshtaten me shpejtësi, të ndihmuara dhe nga turizmi Kontribut ka dhënë edhe menaxhimi i matur i financave publike, rritja e sektorit të turizmit në 3 vitet e fundit, fluksi i valutës së huaj, faktorë të cilët garantojnë qëndrueshmëri të ekonomisë. Në përcaktimin e datës 22 mars 2022, Standard & Poor’s mendon se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8 përqind në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht ndjeshëm parametrat e financave publike të vendit. Ky tregues ka çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga një pik prej 74.5 përqind të prodhimit kombëtar në vitin 2020 në një nivel prej 58 përqind në vitin 2023. Agjencia gjykon se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Ky bilanc është forcuar nga shtimi i rezervave valutore të vendit dhe nga të ardhurat në rritje të shërbimeve nga sektori i turizmit. Futja në “kampionatin” e ekonomive të qëndrueshme merr një rëndësi edhe më të veçantë në kushtet e një situate sfiduese të ekonomisë globale, ku një pjesë e vendeve evropiane dhe atyre të rajonit tonë, kanë patur rënie të vlerësimit nga agjencitë ndërkombëtare. Nota e e Standard & Poor’s forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit. Tani vendi do të shikohet më pozitivisht nga investuesit e huaj, për të rrezikuar kapitalet e tyre këtu. Kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, me kompani me emër që vijnë në Shqipëri, si edhe në kushte më të lehtësuara për huamarrjen e vendit në tregjet ndërkombëtare. Futja në “kampionat” pritet të japë ndikim dhe në tregun tonë të brendshëm, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë