Kur u pyet njëherë presidenti Harry S. Truman për mandatin e tij presidencial, ai u shpreh: “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe tigri e gëlltit”. Dy profesionet më të vjetra në botë janë prostitucioni dhe politika, të cilat, und mendoj, rrjedhin prej njëra – tjetrës dhe kanë një lidhje simbiozë të pandashme me njëra – tjetrën. Ato nuk mund të funksionojnë të ndara nga njëra – tjetra. Ato i japin dhe i marrin më së miri njëra – tjetrës. Kur shikon gjithë këto vite politikën tonë të shkapërthyer dhe të shqyer nga çdo anë, të duket vetja, sikur gjithë këtë kohë politikanët dhe politika jonë kanë jetuar në një shtëpi publike gjigande, ku të gjithë janë përpjekur t`ua fusin njëri – tjetrit, ku të gjithë kanë shkuar me njëri – tjetrin, vetëm e vetëm për të mbijetuar dhe për të përfituar nga njëri – tjetri. Çfarë makabriteti njerëzor! Sigurisht politika shqiptare gjendet prej dekadash në një kaos të vërtetë, që asnjëri nuk e kupton, se çfarë po ndodh, ku po shkojmë dhe çfarë do ndodh më vonë. Politikën tonë të deritanishme mund ta krahasosh me një karrocë kuajsh, karrocieri i së cilës ka kohë, që e ka humbur busullën e drejtimit dhe që lëviz kuturu, që po i torturon dhe po i strapacon kuajt e vet, sa të mundi, nga këto lëvizje andej – këndej pa mend dhe që kujton, se është zot i karrocës, por është thjesht një mjeran, të cilit më pas mund t`i ndodhë, që kuajt e tij mund ta braktisin dhe ta lënë karrocën thatë pa gjë, e cila mund të shkojë drejt degradimit. Kjo karroca jonë ka marrë tatëpjetën dhe po rrokulliset. Kështu po ndodh edhe me politikën tonë të “mrekullueshme”, e cila mrekullon dhe njëkohësisht habit çdokënd, të madh e të vogël, vendas dhe të huaj. Kjo ndodh, sepse politika jonë dhe politikanët tanë asnjëherë nuk tërhiqen nga gjërat e tyre dhe asnjëherë nuk japin llogari dhe hesap për veprimet e tyre të papërgjegjshme. Madje ata asnjëherë nuk kërkojnë ndjesë për mënxyrat dhe të këqijat, që u kanë shkaktuar njerëzve të tjerë dhe vendit tonë, që i kanë marrë më qafë me paturpësitë e tyre, të cilat i kanë bërë me vetëdije të plotë, për të cilat nuk mbajnë përgjegjësi. Politika jonë dhe politikanët tanë u shkojnë gjërave deri në fund, sepse ata e dinë, se jemi ne, që bërtasim për ata, figura palaçosh. Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot. Prandaj nevojiten si kurrë më parë veprat dhe veprime të fuqishme. Madje ato të shtyjnë akoma më shumë për të ndërmarrë masa, ndonjëherë edhe drastike, që prishin qetësinë e politikës sonë dhe të politikanëve tanë despotë. Ne si popull po ndërshkojmë veten tonë me këtë mënyrë tonën vegjetative, prandaj lipset sa më shpejt të jetë e mundur, që t`i futemi fuqishëm politikës sonë sociale dhe popullore, të mbrojmë dinjitetin tonë kombëtar, të mbrojmë vetveten tonë, sepse po qeverisemi nga politika e pamoralshme, nga ata, që nuk kanë as din e as iman. Politikanët tanë nga njëra anë marrin votat prej popullit varfanjak shqiptar, të rraskapitur dhe të stërlodhur, d.m.th. prej nesh, dhe nga ana tjetër marrin para dhe investime nga klasa e pasur duke premtuar, që do t`i mbrojnë të dyja këto palë nga njëra – tjetra. Çfarë ironie! Sa poshtë kemi rënë ne, njerëzit e thjeshtë! Po e mbyll këtë shkrim të ndërkryer me një shprehje të bukur dhe të gjetur nga ana e Sharl de Gol, që u shkon fiks politikanëve tanë dhe popullit tonë: “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë, që thotë dhe shpreh, atëherë ai befasohet, kur të tjerët e besojnë atë.”
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë