Një nga gazetat më të mëdha të botës, gazeta “The New York Times (Kohët e Nju Jorkut)”, me një qarkullim mbi 2 milionë kopje në ditë, me 740 mijë abonentë të kopjeve fizike dhe 8.6 milionë abonentë dixhitalë me pagesë në të gjithë botën, është marrë shumë në detaje me rastin e ish-drejtuesit të departamentit të kundërspiunazhit në zyrën në Nju Jork të Agjensisë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara, Charles McGonigal https://www.nytimes.com/2023/02/03/nyregion/fbi-intelligence-charged-albania.html; https://www.nytimes.com/2023/01/28/nyregion/fb-indictment-mcgonigal-deripaska.html), i akuzuar për shkelje të etikës dhe rregullave të FBI-së. Megjithatë, gazeta asnjëherë nuk ka përmendur emrin e kryeministrit të Shqipërisë si në shkelje të normave të sjelljes së një kryeministri, ose, akoma më keq, si i përfshirë në lobim të paligjshëm, me akuza të korruptimit të një zyrtari të një agjensie federale amerikane. Dhe për më tepër, të institucionit më delikat dhe të mirëvrojtuar të shtetit amerikan, siç është FBI. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gazeta tjetër amerikane e rangut botëror, “The Washington Post(Korrieri i Uashingtonit)”, me një qarkullim mbi 1.5 milionë kopje në ditë, me 653 mijë abonentë të kopjeve fizike dhe 7.2 milionë abonente dixhitalë me pagesë në të gjithë botën. Edhe ajo në artikujt e saj (
https://www.washingtonpost.com/national-security/2023/01/23/mcgonigal-deripaska-indictment-fbi/ ; https://www.washingtonpost.com/video/national/former-fbi-official-charles-mcgonigal-had-distressing-day/2023/01/23/7872b1f9-dd86-4eea-af95-15ab7bd3458f_video.html; https://www.washingtonpost.com/national/us-ex-fbi-counterintelligence-agent-aided-russian-oligarch/2023/01/23/d56c9186-9b3e-11ed-93e0-38551e88239c_story.html) i përshkruan të gjitha rethanat se si ky zyrtar i lartë i FBI-së, i ngarkuar të gjurmonte oligarkun rus, miliarderin Oleg Deripashka, kishte rënë në listëpagesën e tij. Përshkruan edhe detajet e pretencës së prokurorëve amerikanë. Por asnjëherë nuk cilëson sjellje të gabuar etike të kryeministrit shqiptar, apo të denoncojë lobim të paligjshëm të tij. Dhe një gazetë që ka detyruar Presidentin amerikan Riçard Nikson të japë dorëheqjen në vitin 1974, duke publikuar skandalin e përgjimeve Watergate, nuk ta përton të denoncojë një lobim të paligjshëm apo tentativë për korruptim të një zyrtari të lartë amerikan(për më tepër të FBI-së!), nga kryeministri i një vendi të vogel. Edhe gazetat e mëdha të kontinentit evropian, për shembull gazeta franceze “Le Monde”, në shkrimin e saj “Rënia dramatike e një ish-agjenti të FBI-së”( https://www.lemonde.fr/international/article/2023/01/25/la-chute-spectaculaire-d-un-ancien-cadre-du-fbi-soupconne-d-avoir-uvre-pour-des-interets-etrangers_6159235_3210.html), apo gazeta gjermane “Der Spiegel (https://www.spiegel.de/ausland/usa-ex-fbi-agent-soll-fuer-russischen-oligarchen-gearbeitet-haben-a-02654ef7-f948-4eec-946e-46665bba15b7), apo gjigandët britanikë “The Guardian” (https://www.theguardian.com/us-news/2023/jan/23/fbi-charles-mcgonigal-oleg-deripaska-russia-putin), “The Herald Tribune” (https://www.pressherald.com/2023/01/23/u-s-ex-fbi-counterintelligence-agent-aided-russian-oligarch/), etj. flasin me hollësi për akuzat e ngritura nga drejtësia amerikane ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, por asnjëherë nuk përmendin kryeministrin shqiptar si të përfshirë në lobime të paligjshme, apo në korruptim ndaj zyrtarit amerikan. Po pse nuk e bëjnë këtë të gjitha këto gazeta të mëdha me tirazh miliona kopje, që praktikisht përfaqësojnë ajkën e shtypit botëror? Po ruajnë Ramën? Dhe pse e bën këtë lidhje dhe lëshohet në akuza opozita jonë? Ngaqë realisht kryeministri ynë ka provuar të korruptojë një zyrtar të lartë amerikan? Po të ishte kështu, Ramës nuk do t’ia përtonin jo vetëm mediat amerikane, por as edhe mediat evropiane. Tek e fundit, nuk do t’ia përtonte dhe do të merrej seriozisht me të edhe vetë drejtësia amerikane, apo Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Prandaj dhe nuk na ngelet veçse të themi që të gjitha akuzat e ngritura nga opozita jonë nuk janë gjë tjetër, veçse shumë zhurmë për asgjë. Thjesht nuk ka asgjë të paligjshme nga takimet e kryeministrit të vendit tonë me zyrtarin e lartë amerikan. Kjo është e gjithë e vërteta, e provuar nga sjellja e të gjitha mediave më të rëndësishme të botës.