Nga Gjon Neçaj
Zhan Pol Sartër shkruan se i urrej ato viktima që respektojnë ekzekutorët. Qeveria Shqiptare po shikon mundësinë që krahas rritjes së pagave të ulta, të ketë edhe rritje të pensioneve minimale. Si tregues mbështetës për vendosjen e masës përkatëse, rol luan edhe turizmi. Mirëpritja e turistëve shënon sukses në vend. Pas negociatave me Bankën Botërore, rritja e pensioneve minimale pritet të fillojë në vjeshtë. Por shtetasit shqiptarë nuk janë duke parë gjë akoma. Flitet që të mos ketë pension nën 15.000 lekë në muaj dhe kjo mbetet për t’u konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri. Tërheq vëmendjen fjala diferencim i pensioneve për pensionistët që jetojnë jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri. Lirisht lind pyetja pse pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë (dikur jetuar në fshat apo qytet) nuk do të jenë prioritet i qeverisë, e për ta duhet të bëhen diferencime. Mos vallë ata ushqehen me lugë floriri jashtë, apo iu bien paratë nga qielli. Emigracioni nuk është fushë me lule. Të punësuarit jashtë nuk është e lehtë, nëse nuk të mbështet dikush, për pak kohë e shikon tjetrin në rrugë të madhe e në mjerim. Çfarë tregon se edhe pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk janë pasuruar aq, sa të blejnë një apartament në vendin e tyre të lindjes. Një pensionist jashtë edhe pse në moshë madhore i duhet të bëjë punë të dytë për mbijetesë, apo jetë më të qetë se sa në Shqipëri. Ka raste kur fëmijët kanë të ardhura të mjaftueshme, ndihmojnë financiarisht edhe prindërit e tyre, por jo të gjithë. Pasi si në Shqipëri e kudo ka shumë prindër që abandonohen nga fëmijët e tyre. Raporti i pagës maksimale me pensionin mesatar është mbi 30 me 1. Raporti i pagës mesatare me pensionin minimal është 7 me 1! Me indeksimin 8,6 % , i bie që një ish- deputeti t’i shtohet pensioni 12 mijë lekë, kurse pensioni i fshatarit shtohet për 700 lekë, i mekanikut e karpantjerit, inxhinierit e mësuesit 1200 lekë. Raporte të tilla të pagave e pensioneve ka vetëm në vendet më të varfra të Afrikës. Diferencime të tilla janë tipike për qeverisje pa seriozitet, pa vizion, pa ndjeshmëri, pa humanizëm, për qeverisje spekulative e pa karakter. Për rritjen e pagave buxhetit i janë shtuar shpenzimet për më shumë se 440 milion euro në vit. Për pagat qenkan burimet, kurse për pensionistët u dashka pritur nafta e Shpiragut ! Për të rritur 15 % pensionet nën 25 mijë lekë e 10 % pensionet 25-35 mijë lekë, buxhetit i duhen shtuar shpenzimet për 200 milion euro. Kujtojmë se, krahasuar me një vit më parë, nga tatim fitimi e TVSH-së nga rritja e çmimeve, në buxhet janë mbledhë 450 milion euro më shumë. Nga abuzimet me tenderët e pasurinë publike buxhetit i mungojnë 300- 350 milion euro në vit. Pensionistët me pensione nën 32 mijë lekë ( mbi 670 mijë të tillë ) kanë në dorë jo të abstenojnë, por të kundërshtojnë e të mos besojnë më mashtrimet e qeverisë e të opozitave .Jetesa sa vjen dhe bëhet më e shtrenjtë, çmimet dhe inflacioni rriten ndërsa vlera e lekut ulet. Dhe ndër grupet shoqërore që e vuajnë më së shumti këtë gjë janë personat që do të dalin në pension, të cilët vit pas viti janë më të varfër. Problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit në moshë pune kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë kontribuuese në 15 vitet e fundit, duke krijuar shqetësim të madh social për të ardhmen. Projeksionet tregojnë se deri në vitin 2030, popullsia në moshë pune do të tkurret në mënyrë sistematike dhe nga ana tjetër, numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve. Marrja e masave konkrete është domosdosshmëri nëse nuk duam që kjo të shkojë drejt humnerës. Një shembull për ta bërë më të qartë situatën. Nëse ne në vitin 2020 ne kishim 1.4 kontribuues për 1 përfitues, treguesi ra në 1.17 kontribuues për një përfitues në marsin e vitit 2022. Çfarë duhet bërë?Evropa ka vite dhe dekada që e ka menduar këtë gjë duke bërë të mundur ruajtjen e standardit të jetesës për qytetarët e saj, edhe kur ata ndalojnë së punuari. Sepse cilësia dhe fuqia e një shteti janë qytetarët e vet. Kur qytetarët e një shteti punojnë dhe në moshën e pensionit kanë të ardhura të mjaftueshme, ai është më i fuqishëm, ecën përpara dhe ekonomia zhvillohet.