Familja gjatë këtyre mbi tri dekada në pseudodemokraci, ka pësuar tronditje, krisje e plasaritje në shoqërinë shqiptare. Ndryshimet demokratike dhe demografike në Shqipëri , sollën rrjedhimisht dhe ndryshime social ekonomike, që u reflektuan dukshëm në strukturën e familjes, si një fenomen ekonomiko-shoqëror. Lëvizja kaotike e njerëzve nga zonat rurale drejt zonave urbane, krijoi çrregullime dhe disikujlibër në marrëdhëniet familjare, në sjelljen shoqërore, në institucionet edukuese e formuese dhe u prishën shumë norma e sjellje morale që trashëgoheshim të shtratifikuara nga sistemi monist. Familja duhet vlerësuar si qeliza bazë e shoqërisë në profilin biologjik, moral dhe social. Jeta pasurohet nga bashkëjetesa në harmoni e tre brezave: fëmijë, prindër dhe gjyshër. Po këtë relacione kanë filluar ta humbasin përmbajtjen dhe rolin shoqëror. Mjerisht shohim se në shumë familje ka zbritur apatia, zymtia, heshtja, indiferentizmi dhe mungesa e përgjegjësisë për edukimin e fëmijëve. Panorama të shëmtuara të familjes shqiptare i ndeshim në shthurjen e marrëdhënieve burrë grua, të korrupsionit, prostitucionit, divorceve, lindjeve ilegale, mohimit të familjes, lypësisë së fëmijëve nëpër rrugët e qytetit, braktisja e shkollave, rilindja e analfabetizmit, hakmarrja, ngujimi deri edhe i fëmijëve siç ndodh në Shkodër, e fenomene të tjera të shëmtuara, që kanë tronditur thellë themelet e familjes shqiptare. Sipas Tomas Akuinit, tri gjëra ua detyrojmë prindërve: “ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur dhe na kanë edukuar”. Edukimi i fëmijëve arrihet në standarde të larta vetëm atëherë kur kontributi i përbashkët të jetë harmonizuar mirë në trekëndëshin midis prindit, shkollës dhe shoqërisë. Njëri nga këta tre faktorë të çalojë, do prishet ekuilibri dhe cenohet formimi moral i fëmijës. Në shoqërinë e sotme pluraliste, duhet të vendoset një ekuilibër, midis mjedisit familjar dhe atij jashtë familjar, që i rrezikon fëmijët të preken nga fenomenet e shthurjes së vlerave dhe parimeve morale. Në mjedisin shoqëror janë prezent viruset e korrupsionit, drogës dhe prostitucionit që qarkullojnë lirshëm në terrene të pambrojtura. Po të kishte një kombinim dhe harmonizim më solid, midis familjes, shkollës dhe institucioneve shoqërore, do zvogëlohesh rreziku i infeksionit të fëmijëve nga degjenerimi moral, që në shumë raste kanë përfunduar në krime. Jo rrallë ndeshim te fëmijët e shkollës një fjalor banal, mungesë respekti ndaj shokut, shoqes, më të moshuarve dhe ndaj mësuesve dhe fatkeqësisht indiferentizmi familjar dhe shkollor, i përligj këto dukuri si fenomene kalimtare të moshës. Në shoqërinë e sotme moderne, natyra shoqërore e punës, ka bërë që në disa raste babai të jetë i kërcënuar nga rreziku i tjetërsimit të misionit të tij atëror dhe të humbasë funksionet edukuese. Familja sot po humbet gradualisht dhe funksionin e grumbullimit te tavolina e bukës, ku nuk është vendi ku vetëm ushqehet ,por dhe ku bisedohet,këshillohet dhe argëtohet shpirtërisht. Ngjarjet e trishtueshme në familjet shqiptare ku fëmija vret prindin, vëlla motrën apo vëllai- vëllain, burri gruan, shoku shokun, janë bërë të shumta dhe me motive të shëmtuara. Raste pas rasti janë bërë dukuri të përsëritura, që kulmojnë me krimin e Shënavlashit në Durrës, që tre fëmijë në marrëveshje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me nënën e tyre vranë babanë. Ky akt i paprecedent, pavarësisht nga motivet që mund të kenë pasur, nuk ka logjikë njerëzore që ta miratojë, motivojë, aprovojë, arsyetojë e justifikojë si veprim normal. Rastet pasojnë njëri tjetrin, si të jenë në garë. E kemi të freskët aktin makabër, kur nëna nga fshati Larushk i Fushë-Krujës, mbyt fëmijën dhe e hedh në plehra. Është bërë e modës në Shqipëri dhe s’të bën përshtypje kur dëgjon apo shikon që fëmijët kanë braktisur prindërit dhe i kanë lënë të jetojnë në mjerim. Kanë humbur ndjenjat, humanizmi, dashuria për prindërit, të afërmit, pa folur për fisin apo shoqërinë. Ndeshim raste ekstreme, kur ka nëna të braktisura, siç është rasti i një gruaje në Sauk të Tiranës, me origjinë nga malësia e veriut, që megjithëse kishte gjashtë fëmijë në emigracion siç u shpreh ajo në një intervistë në televizionin Top Channel dhe asnjëri prej tyre nuk tregonte kujdes për të. Kur mendon sakrificat e asaj nëne, në kushtet e fshatit për të rritur gjashtë fëmijë, me të ardhura minimale, është për të ardhur keq, që të marrë një shpërblim denigrues nga fëmijët, që nuk e meriton, jo vetëm si nënë, por dhe si grua. Pa dashur të bëj krahasimin gjenetik, që dhe kafsha kujdeset për pjellën e vet, ka shumë raste që njerëzit kanë humbur ndjenjat dhe rendin pas interesit, pas parasë. Marrëdhëniet prindër fëmijë, në shoqërinë e sotme të industrializuar, janë komercializuar. Mungon harmonia trefaktoriale: familje-shkollë- shoqëri. Ka një shpërkujdesje, indiferentizëm dhe mungesë përgjegjësie në edukimin e fëmijëve si nga familja, ashtu dhe nga shkolla dhe shoqëria. Populli thotë: “ç’të mbjellësh do të korrësh”. Shthurja e familjes është një fenomen global për shoqëritë e industrializuara, ku është rritur numri i divorceve dhe është pakësuar numri i lindjeve. Kjo epidemi është mahisur keq edhe në familjen shqiptare, që vjen nga emigracioni, varfëria dhe denatyrimi dhe ndryshimet strukturore të familjes në kohezionin e sotëm. Me këto situata kritike që përjetojmë në familjen shqiptare, ku fëmijët pjesërisht kanë humbur dashurinë dhe respektin ndaj prindit dhe mësuesit, shoqëria është në krizë të thellë morale dhe rrezikon të humbasë rolin e saj biologjik si bashkësi formuese dhe edukuese. Kur kujton aktet çnjerëzore që vijnë duke u shtuar në shoqërinë e sotme, urimi që vinte në të kaluarën “të rrojnë fëmijët”, tingëllon disi grotesk. Familja me shumë fëmijë në të kaluarën ishte e privilegjuar dhe kishte garanci për një jetë më të mirë, e më të sigurt ndaj të papriturave që sjell jeta, nëpër
mjet sëmundjeve dhe fatkeqësive natyrore. Kemi parë nga ekranet e televizioneve prindër që jetojnë në varfëri të plotë, pasi fëmijët kanë emigruar në vende të afërta të Evropës dhe s’kujtohen për varfërinë dhe skamjen e prindërve, që i kanë rritur me sakrifica të mëdha. Prindërit moshohen, sëmundjet shtohen dhe pse i vret vetmia, i shoqëron dhe varfëria. Në kushtet e sotme ekonomike të familjeve shqiptare, ku pensioni nuk plotëson nevojat minimale për të jetuar, prindërit gjenden të kërcënuar nga mbijetesa. Ato familje që nuk kanë përkujdesjen e fëmijëve, ndodhen në varfëri ekstreme dhe s’kanë mundësi financiare që të plotësojnë kuotën që kërkon Azili. Në këto kushte jetesa bëhet e padurueshme, sa që ka drama anti-humane. Urimi, të rrojnë fëmijët, që dikur kishte kuptim njerëzor, human dhe material për familjen dhe shoqërinë, sot në shumë raste është bërë anakronik dhe po humbet vlerat sociale. Po përjetojmë ngjarje dhe fenomene të shëmtuara, që kanë tendencë në rritje jo vetëm nga ana sasiore por dhe nga shumëllojshmëria e tyre. Kjo situatë është e frikshme dhe duhet frenuar, se po të ecet me këtë intensitet zhvillimi, do vijmë te thënia e Balzakut, se: “Botës do t’i vijë fundi kur fëmijët të mos kenë më respekt e dashuri për prindërit”.