Nga Jak Simoni
Historia e zbulimit të stetoskopit është mjaft interesante dhe buron nga një akt vërtetë etik i një mjeku francez me virtyt vërtetë të lartë. Bëhet fjalë për, René Laennc, i cili e zbuloi, sepse, për të dëgjuar rrahjet e zemrës të një pacienteje që po kuronte, nuk ia lejonte vetes të vendoste veshët në kraharorin e saj. Ai fillimisht mbështolli një letër në formën e një tubi dhe e vendosi nga njëra anë në veshin e tij e nga ana tjetër në të majtën e kraharorit të kësaj gruaje, duke krijuar një kanal dëgjimi në distancë dhe duke dëgjuar kështu rrahjet e zemrës së saj. Me vonë u perfeksionua si instrument mjekësor dhe jovetëm kaq, por u bë simbol i profesionit të Hipokratit të famshëm, i cili betohej se do ndihmonte të sëmurët duke evituar shkaktim dëmi apo padrejtësi dhe se do të ruante të pastër dhe të shenjtë këtë art. Si ka mundësi që shembujt të tillë nuk u bëjnë përshtypje një pjese të madhe të mjekëve tanë? Nga sa pamë së fundmi tek spitali onkologjik, zhvatja dhe abuzimi, duke shfrytëzuar statusin e “shpëtimtarit të jetës” ishte në formën ekstreme. Atij i ngjasojnë shumë spitale të tjerë. Një pjesë e madhe e mjekëve shfrytëzojnë rastin se shqiptarët paguajnë, sepse në raste sëmundjesh u gjenden pranë të afërmit dhe miqtë brenda dhe jashtë vendit. Por ka sa të duash raste që vërtetë nuk kanë për të paguar dhe askush nuk ndjen dhembshuri. Në spitalet tona ka shumë raste, ku praktika fetare e rreth prerjes (natyrisht me pagesë) ka precedence ndaj fëmijëve të tjerë pacientë që presin në prehrin e prindërve të tyre. Pa përjashtuar faktin se mjekë të frymëzuar nga dy shembujt e lartpërmendur ka pasur sa të duash Shqipëria, por një realitet skëterrë i ka detyruar të largohen dhe kanë mbetur një pakicë që po izolohen gjithnjë e më shumë nga “mjekët” mashtrues. Së fundmi drejtësia po mundohet të bëjë detyrën e saj: metaforikisht, çekiçi i gjyqtarit do të vendosë për stetoskopin e mjekut. Shpresojmë të ketë ardhur koha e “pagimit i borxheve”. Pikërisht më këtë togfjalësh përkufizonin drejtësinë filozofët e të lashtë grekë. Me që jemi tek këto filozofë, me sa duket intelektualizmi etik i Sokratit, sipas të cilit bën keq ai që nuk njeh (nuk ka intelekt për të njohur) të mirën në Shqipëri nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon. Po tu besojmë rezultateve të shkollës së mesme në fakultetin e mjekësisë vazhdimisht kanë shkuar ato që kishin rezultatet më të larta. Dëshpërimit nuk duhet tu besojmë të parave e as të dytave. Shqiptarët kanë humbur besimin tek të gjithë dhe tek gjithçka.