Shumë vite më parë, tek po shoqëroja për të tretën herë nëpër Shqipëri bizantologun e madh, akademikun francez Alën Dysëlje (Alain Ducellier), më tha këto fjalë: “Perandoria Osmane mund të rronte edhe një ose dy shekuj më shumë, po qe se do t’i prodhonte armët vetë dhe po qe se nuk do të kishte aq korrupsion. Sidomos ky i fundit ia brejti themelet”. Strategjia jonë Kombëtare kundër korrupsionit, e bashkërenduar me rekomandimet e formuluara nga organizmat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria bën pjesë, ka si synim të ndryshojë paradigmën për sa i përket abordimit strategjik në këtë fushë, duke përfshirë objektiva dhe masa, të cilat të ndikojnë sa më efektivisht mbi shkaqet e korrupsionit, pa u kufizuar me luftimin e tij, pra të parashikojë zbatimin e masave edhe për parandalimin e korrupsionit, për promovimin e integritetit organizativ, edukimin antikorrupsion dhe, jo në radhë të fundit, rikuperimin e dëmeve të shkaktuara, pra konfiskimin e pasurive të zhvatura nga të korruptuarit. Korrupsioni mbetet një sfidë, një provokim në shkallë kombëtare dhe rajonale. Kjo dukuri, në rrafsh strategjik e dëmton shoqërinë në mënyra nga më të ndryshmet dhe, si e tillë, është në gjendje të përftojë pasoja negative të rënda, si në veprimtarinë ekonomike, ashtu edhe në atë shoqërore të shtetasve. Në këtë drejtim, mund të pohojmë se, në jo pak raste, korrupsioni ka cënuar jetën, integritetin fizik, pronat e qytetarëve dhe vetë besimin e tyre ndaj institucioneve të shtetit. Korrupsioni përbën shkakun që kufizon seriozisht edhe perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë, kapacitetin e promovimit të objektivave të politikës sonë të jashtme dhe nxin imazhin e vendit tonë në botë. Njëherazi, korrupsioni dëmton efikasitetin dhe profesionalizmin e autoriteteve dhe të institucioneve publike sidomos në aspektin e ofrimit të shërbimeve me interes të përgjithshëm, çka, siç e përmendëm më lart, shoqërohet me zbehjen e besimit të qytetarëve në aftësitë e shtetit për të menaxhuar marrëdhëniet sociale. Shkaqet e dukurisë së korrupsionit janë të shumëfishta, ndërkohë që problematika e parandalimit dhe luftimit të tij bën pjesë në spektrin e kompetencave të një numri të madh institucionesh të Shqipërisë, të cilat duhet të bashkëveprojnë mes tyre për garantimin e sinergjisë në veprimtaritë e promovimit të integritetit. Një provokim apo sfidë suplementare për autoritetet shtetërore shkaktohet nga roli i korrupsionit si lehtësues dhe ndihmues I veprimtarisë së grupeve të krimit të organizuar. Si rrjedhojë, vetëkuptohet që strategjia duhet të ketë në programin e saj një pikësynim të posaçëm, që ka të bëjë me abordimin e integruar, pra të pandarë, të korrupsionit me kriminalitetin e organizuar, përderisa kufiri midis korrupsionit dhe krimit të organizuar është thjesht formal, konceptual. Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes së Vendit parakupton, përveç garantimit të paprekshmërisë së kufijve shtetërorë, edhe gatishmërinë maksimale të autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e shtetit të së drejtës e të demokracisë, pavarësisë së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke e vënë theksin veçanërisht në mënjanimin e pasojave negative që burojnë nga korrupsioni në shkallë kombëtare. Strategjia, që të jetë sa më e përkryer, duhet të formulohet në kuadrin e një procesi të gjerë këshillues me sektorin publik, me shoqërinë civile e me mjedisin e biznesit. E themi këtë sepse jetësimi në praktikë i një vizioni të tillë e ka të domosdoshme të mbështetet fuqimisht në vullnetin politik, faktor ky, i cili nënkupton: 1. vlerën e jashtëzakonshme që ka një shoqëri pa korrupsion dhe ndihmesën që faktorit politik i takon të japë në përmbushjen e masave të parapara në strategji; 2. integritetin, pra detyrën e përfaqësuesve të institucioneve dhe të autoriteteve publike për ta këqyrur interesin publik si diçka që qëndron më lart se interesi vetjak; 3. transparencën e shtetarëve të të gjitha rangjeve për të siguruar aksesin e pakufizuar në informacionet me interes të përgjithshëm, në procesin vendimmarrës, si dhe këshillimin me shoqërinë civile gjatë këtij procesi, i cili, në fund të fundit, përcakton mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor publik, e sistemit kombëtar të edukimit, e mjedisit të biznesit e të transaksioneve publike, e financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore, e veprimtarisë së parlamentarëve.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë