Qytetarët shqiptarë, prej ditës së parë të “demokracisë”, e gjer sot, përjetuan e po përjetojnë drama e tragjedi të shumta e të njëpasnjëshme, që nuk arrijnë t’i administrojnë e as t’i gjykojnë në shkallën e duhur. Drama e tragjedi të pashembullta e të panumërta ndodhën në vitet 1990 –1996, dhe sidomos në vitin “rekord” të ’97-tës, kur Shqipëria pushoi së ekzistuari si shtet, si republikë, si vend i lirë e i pavarur. Por në vend të dënimit të shkaktarëve të gjëmës së madhe, në lojë hyri “amnistia”, e cila shpëtoi bythën e politikano-pushtetarëve, dhe talli atë të qytetarëve. Një vit më pas, “grusht-shteti” i ‘98-ës, pati një aktor të veçantë e plotësisht të dallueshëm, me emrin Sali Berisha, por përsëri në skenë u fut, me nder “tallja e b… s “! Kësaj radhe talljen e realizuan ndërkombëtarët me telefonatat për lirimin e agjentit të tyre, që “gabimisht” pushtetarët e pas ’97-tës e kishin ndaluar në njërin nga rajonet e policisë së kryeqytetit. Pas një pauze të shkurtër, ja ku vjen 2005-sa, ku grusht-shtetasi i ’98-ës, do të rikthehej në karrigen e shtetit për të rinisur tashmë drejtpërsëdrejti grushtat e tij shkatërrues mbi qytetarët dhe mbi vetë shtetin. Tragjedia e papritur e Gërdecit, u duk se i dha fund qeverisjes së “Arturo Ui-t të Lulelakrës shqiptare”, por pranimi një vit më mbrapa i vendit në NATO, tregoi se talljet me qytetarin do të vijonin. Kjo u vertetua më 21 janar 2011, kur vrasja e katër qytetarëve të pafajshëm, që demonstronin në bulevard për të drejtat e tyre, u quajt vrasje nga pakujdesia prej “rikoshetave të plumbave” të Gardës së Republikës, e cila komandohej nga dy “B”-të, Berisha i madh dhe Basha i vockël, të cilët ambasadori amerikan, Arvizu, i cilësoi: të parin “Burrë shteti” e të dytin “Yll në ngjitje!” Ardhja në pushtet në vitin 2013 e PS, alias “Rilindja”, u duk se do t’i vinte kapak “talljes” së qytetarëve dhe do të niste ndëshkimi i fajtorëve të dramave e tragjedive, që kishin ndodhur, të paktën atyre të viteve të fundit. Ky ishte edhe premtimi solemn i Kryetarit të PS-Rilindjes dhe njëherësh edhe Kryeministrit Rama, i cili e nisi realizimin e premtimit dhe betimit më një tufë lule tek pllakat me gjak të viktimave të 21 janarit 2011. Por premtimet e përbetimet u harruan, sepse realizimi i tyre ishte më i vështirë se talljet, që krijohen me batuta tavolinash. “Mos u tall”, – thotë mirditori, kur bashkëbiseduesi bën ndonjë shaka. “Talla” të mbiftë në arë”, – ia pret tjetri, po me tallje. Në rastin tonë “talla”, një bimë që mezi e hanë dhe lopët, nuk mbiu në arat e qytetarëve, por mbiu në politikë, dhe nisi të përhapet në qeveri, në parlament, në gjyqësor dhe në të gjithë elitën e lartë të shoqërisë shqiptare. Sidomos pas vitit 2008 kur demat e politikës shqiptare, Berisha e Rama, nakatosën nenet e kushtetutës, “tallja” u bë aseti më i përdorshëm e rezultativ i elitës politike e pushtetore në vendin tonë. Por kulmin, “tallja” e arriti me Reformën e Drejtësisë, shpresëdhënësja e vetme e qytetarëve për drejtësi e shtet ligjor, për shembjen e mitit të pandëshkueshmërisë së krimit e korrupsionit, kangrena numër një e sistemit aktual në vendin tonë. Vini re: Plot dy mandate ambasadorësh amerikanë, kanë përfunduar dhe po soset i treti, që kur i famshmi Donald Lu, pati deklaruar se së shpejti SPAK-u, do të mbërthejnë peshqit e mëdhenj të krimit e të korrupsionit. Por rezultati ka qenë e mbetet qesharak. Qytetarët shohin çdo ditë akrobacitë e politikës, të parlamentit, të qeverisë dhe të gjyqësorit, të cilët, në vend të ndëshkimit të krimit e të korrupsionit, orkestrojnë një tallje të pashembullt ndaj tyre. Për konkretizim, po cekim disa prej këtyre talljeve: Rasti më interesant i talljes me qytetarët është loja e SPAK-ut me Berishën. Ndonëse ky personazh “karizmatik” në krim e korrupsion, ka mbi kurriz një mal me krime, gjer tek vrasjet pas shpine e ato të drejtpërdrejta në bulevard, SPAKU e “mbërthen” për një “korrupsion pasiv”, që lidhet me klubin sportiv “Partizani”. Them e mbërthen, por realisht Berishën edhe sot pas “mbërthimit” e shohim të ligjërojë nga maja e ballkonit të shtëpisë së tij, ku gjoja kalon arrestin shtëpiak, duke mbajtur fjalime patetike të modelit hitlerian, e duke ndezur turmat e tij naziskine poshtë ballkonit, me thirrjet “Heil Berisha!” Këtë “lojë” të Berishës, që është dhe lojë e SPAK-ut, nuk e ka bërë e nuk mund ta bëjë asnjë qytetar i republikës, që është i dënuar me arrest shtëpie, por e bën Berisha, i cili, u nxjerr gjuhën ligjit, SPAK-ut dhe qytetarëve. E njëjta skemë talljeje edhe në krahun tjetër të politikës. Prej tre vitesh, në dosjet e SPAK-ut dhe organeve të tij, janë depozituar të dhëna të plota për korrupsionin galopant tek inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, të dhëna që tashmë i dinë edhe kalamajt e shkollës. Por edhe pas tre vitesh “hulumtime”, SPAK-u nuk ka mundur të “mbërthejë” pronarët e këtyre inceneratorëve dhe personazhet e tjerë të kësaj afere korruptive. Një pjesë e këtyre pronarëve dhe personazheve që lidhen me ta, kanë marrë arratinë nëpër “vendet demokratike të Europës” dhe nuk po gjenden. Por edhe kur këta dalin në intervista televizive nga “vendstrehimet” e Europës, si puna e Mërtirit dhe e ish Zëvendës Kryeminiatrit Ahmetaj, SPAK-u me “dronët dhe inteligjencën artificiale të Ramës”, nuk arrin t’i pelengojë. Nëpërmjet intervistës së hapur në televizionin e Çim Pekës, ish z/Kryeministri i Ramës, Ahmetaj, që nga Lugano e Zvicrrës, i përcjell SPAK-ut edhe disa të dhëna interesante, që lidhen me Ramën e kryeministrisë dhe Veliajn e Bashkisë, por heshtet si nga personazhet që atakohen, ashtu dhe nga SPAK-u. Për të mos përmendur skandalin e “rekrutimit” në korrupsion nga Rama e vartësit e tij, të kryezbuluesit amerikan, Charles McGonigal, që përbën një “risi” në veprimtarinë e shtetarëve tanë të “gërrmër
rkracisë”. Të ngjashme me këto marifete e syfete, kemi edhe tek seancat e tragjedisë së Gardecit, që shtyhen e rishtyhen, për arsye krejtësisht bajate, shoqëruar me prononcimet e ish Ministrit të Mbrojtjes, Mediu, i cili në vend të ulë kokën për përgjegjësinë e tij në këtë tragjedi, ligjëron sikur të ishte Kryetari i Jurisë në Gjykatën Ndërkombëtare. Për të shtuar në fund edhe dosjen e sterilizimit, ku ish ministri i shëndetësisë, Beqaj, prej gati një viti, vijon çdo javë duke deponuar tek SPAK-u, por ky i fundit ende nuk po i jep karar. Nuk po zgjatem më tej, sepse tashmë qytetarët e kanë kuptuar plotësisht lojën dhe talljen që po i bëjnë politikano-pushtetaro-gjyqtarët. Nëse ata, domethënë qytetarët, kanë duruar gjer tani këtë “tallje prapanice”, kjo ka ndodhur se kanë kuptuar më në fund, që në këtë tallje, marrin pjesë edhe ndërkombëtarët. Këta të fundit, i kanë patur e i kanë të gjitha mundësitë të neutralizonin, jo vetëm “non-gratën” e shpallur prej tyre, por edhe veqilët e tjerë të padukshëm, të cilat i kanë vënë minat jo vetëm sistemit dhe demokracisë së shumtrumbetuar, por edhe jetës, pasurisë dhe ardhmërisë së shqiptarëve dhe vendit të tyre. Strukturat drejtuese politike e ato shtetërore, të vendit tonë, janë bërë viktima të krimit e korrupsionit, por njëherësh edhe mashë e politikave dhe interesave ndërkombëtare, në vendin tonë e në rajon, interesa që për hir të stabilitetit dhe planeve strategjike të tyre, shesin jo vetëm demokracinë e reklamuar, por edhe marcenarët që u shërbejnë me besnikëri. “Kjo shitje” do të ndodhë një ditë, sepse “limoni” ka lëng të limitur. Kur të përgatiten “limonët” e tjerë, atëhere do të hapet “Suzami” i liderëve të rinj. Kjo kërkon njëfarë kohe, sepse mund të rrezikohet që krahas “limonëve”, të na hyjë në radhë edhe ndonjë spec djegës, si puna e Albinit të Kosovës, që nuk ka “pike lëngu”, përkundrazi të djeg e të përvëlon fytin. Gjykuar nga kjo situatë, unë nuk mund të gjykoj SPAK-un për mungesë burrnie, sepse në situata të tilla, dhe veçanërisht në sistemin e stërnjohur kapitalist, “burrnia” e “trimëria” janë zëvendësuar që në gjenezë të tij me mashtrimin e dredhinë. Por gjithsesi, do të drejtoja thirrjen për zotërinjtë në fjalë: Nëse ju nuk mundeni të kapërceni lojrat dhe “taktikat” e ndërkombëtarëve dhe mercenarëve tanë, tërhiquni nga detyra që keni marrë. Të paktën të kursehen beneficet që merrni nga ne qytetarët. Mbi të gjitha, ashtu siç e kam thënë dhe në një shkrim tjetër, mos u bëni iluzionistë të shpresave të humbura të shqiptarëve për një drejtësi të vërtetë, çka është e pamundur në një sistem që është ngritur mbi krimin, korrupsionin dhe padrejtësinë. Më e pakta, mos u bëni pjesëtarë të talljes së qytetarëve, sepse mund të rrezikoni shumë më tepër se karrierën.