Monologu komik, politik i Metës, ishte një krijimtari dhe një risi, që se interpreton dot çdo njeri, që shpërtheu nga një skraparlli, që ka shumë energji, fuqi dhe fantazi, që kur e dëgjon të ngjall habi. Gjestikulacioni, figuracioni, tonacioni dhe akrobacia në cirkun mediatik prej kameleoni, te Fejzo opinioni, ishte në nivele të larta kampioni. Ishte tepër i eksituar, i revoltuar, i indinjuar, fliste me këmbë e me duar, me një fjalor të shfrenuar, SPAKUN duke e akuzuar, e kërcënuar, se me Amerikën ka bashkëpunuar, për ta eliminuar duke e dënuar. Ky hero i ditëve të lirisë, që është i “pastër”, nuk është bërë “ kurrë pisë”, i ngarkojnë kot në kurriz, përvetësime të pasurisë dhe kjo është një rrymë e tradhtisë, që Rama me “specialistë” ja ka kurdisë, duke shfrytëzuar dhe hileqarë e tradhtarë brenda shtëpisë. Gjuha agresive dhe simbolet e kamuflimit, gjatë emisionit të “xhirimit”, tentoi për ta përdorur si varkën e shpëtimit, duke nxjerrë në pah shpatën e trimit, nëpërmjet ligjërimit. Nxori xhevahire nga goja, foli e çfarë nuk foli, “unë jam “Vojo Kushi”, unë jam “Mic Sokoli” , që vetëm një rival kam që më konkurron, që është nga Viçidoli. Dhe vazhdoi ligjëratën, duke mburrur “nongratën”, kërcënoi duke kujtuar sfurkun dhe sëpatën, që të vrasin ditën dhe të qajnë natën dhe e faturojnë tjetër kund mandatën. Dy “gladiatorë”, që janë krenarë, mburren me origjinën nga kanë ardhur, nga Viçidoli në Skrapar, për 33 vjet kanë qenë të parë, nga president te kryeshtetarë, kanë shkatërruar, kanë vjedhur dhe kanë vrarë dhe asnjë ndëshkim s’kanë marrë. Lind pyetja pse e ka pasur vështirë drejtësia, nuk dihen bëmat e tyre, nuk dihet pasuria, është bërë pronë e tyre Shqipëria?! Tashti që doli në skenë SPAKU, ka filluar t’i gërvish sëpaku, edhe pse ende s’u ka dalë gjaku, u ka ardhur për fyti laku te praku, urojmë të vejë te i zoti haku, mos ndodhi si më parë, që ju vu kapaku. Te fejzo opinioni pamë terror, fliste për tradhti e grup armiqësor, që ishte shfaqur te Partia e Lirisë, por jo vetëm te partia por dhe brenda shtëpisë, kërkojnë që këtë hero të demokracisë, ta njollosin ta bëjnë pisë, t’i ofrojnë një dhomë brenda qelisë. Por ai kërceu si fajkua dhe solemnisht u betua, se do mbrojë partinë dhe s’pyet as për gruan. Do ta nxjerr në “ankand” Monikën, nuk e njeh shantazhin nuk e njeh frikën, s’pyet as për SPAKUN as për Amerikën. Ata publikisht i akuzoi, se Rama i manipulojë, që padrejtësisht ta deskrititojë, por ai s’trembet, se ka stof heroi. Luan si aktor duke u hedhur tel më tel, krekoset e mburret maj shtyllave si gjel, por llogaria mirë nuk i del, dhe pse Monikën po e përdor si bedel. Pas Metës Fejzo opinioni nuk vonoi, thirri në skenë Monikën që ta promovoi dhe ajo si “lider” me përvojë, kontradiktat familjare i justifikoi e motivoi, se janë për interesa madhore politike, dhe bëri interpretime tepër komike. Kur dëgjon xhevahiret e çiftit Meta, të duken përralla, ose barsoleta, që ja shesin popullit si receta, apo ky çift ka ca defiçenca?! Lavjersi i pushtetit sa majtas djathtas, ka bërë karrierë, me filozofinë hap një derë dhe mbyll një derë, duke vjelë frytet e pushtetit që ka vlerë. Me opsionet që lëshoi Pometeu, “bombën atomike” shpërtheu, u drodh toka e u tund dheu, i duket se popullin e gënjeu, se unë vij me shpatë ta çliroj,si Skënderbeu. Presidenti ynë komik, u zgjua nga gjumi letargjik dhe pasi akuzoi bashkëshorten Monik, që e ka kthyer partinë në çiflig, deklaroi se ky është një veprim nepotik. Sa shpejt Meta u kujtua, papritur nga gjumi u zgjua, tani e mori vesh se Monikën e kishte “grua”, se kur i la partinë ishin mish e thua, dhe nepotizmi nuk ju “besua”. Kur dëgjon këto telenovela presidenciale, me argumenta e logjikë kaq banale, të duket vetja karnavale. Shyqyr që nuk lozim nga mentë e kokës, të vjen turp që je shqiptar, se u bëmë gazi i botës, por për opinionin politik këto përralla janë bërë të modës. Vazhdimisht e kemi par nëpër ekrane televizive, këtë qyqar, që flet i revoltuar e pasionuar, pa ndaluar, me këmbë e me duar, ndihesh i deziluzionuar dhe mendon: “ mjerë shqiptarët kush i ka drejtuar”. Vazhdon përsëri duke deklaruar, se vetëm ky këtë popull ka për ta shpëtuar, bashkë me aleatin e tij të shquar, që kacavjerret në dritare duke ligjëruar, se janë duke vuajtur, që shumica e popullit ka emigruar, duke menduar, se populli shqiptar ka për t’i besuar. Është betuar, sa të vij në pushtet, këtë plagë ka për ta rikuperuar, duke klonuar, për një vit 4 milionë ka për të shtuar. Ç’po na dëgjojnë veshët e ç’po na shohin sytë, gjeni si ky s’ka të dytë, na morën frymën marrëzitë, njëri hidh e tjetri prit, asnjë budallallëk s’na çuditë, por në fund të tunelit s’po shohim dritë, se kjo klasë politike e ka marrë peng Shqipërinë dhe s’hapin rrugë për të rinjtë.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë