Veprimtaria e Ballit Kombëtar në zonën e Roskovecit, ka qenë aktive, veçanërisht përgjatë brigjeve të lumit Seman, sepse pikërisht në këto teritore ushtronte aktivitetin e saj çeta e Asim Xhindoles nga fshati Imsht i Lushnjes. Ndërkohë, po në këtë zonë ushtronin aktivitetin e tyre edhe forcat partizane, kryesisht çeta e Jagodinës e krijuar në janar të vitit 1943 me komandant Sotir Kola dhe, Zylyftar Veleshnja me grupin e tij. Midis tyre, zhvillohej një konkurencë e ashpër për rekrutimin e forcave luftarake nga radhët e popullsisë civile. Kjo konkurencë, ishte pjesë e përpjekjeve dhe politikave dominuese kundrejt njëri – tjetrit dhe aktiviteti i tyre në terren ishte mjaft i vrullshëm e intensiv. Pas viktimave dhe terrorit të ushtruar nga krimineli Isa Toska për rekrutime dhe mbledhjen e armëve me forcë në radhët e popullsisë civile të kësaj zone, një tjetër rast dhune shënohet pikërisht nga çeta e Asim Xhindoles. Ky ishte terrori i ushtruar mbi burrat e fshatit Jagodinë dhe vrasja e kryeplakut të këtij fshati, Qazim Çepele, në mars të vitit 1944. Vrasja e kryeplakut lidhej pikërisht me rekrutimin e forcave balliste dhe dështimin e tyre në konkurencën e ashpër të mobilizimit.
Ngjarja dhe historia e vrasjes së kryeplakut të Jagodinës, përbën edhe një nga dëshmitë e zhbirimit të situatës luftarake në zonën e Roskovecit dhe pavarësisht egërsisë dhe brutalitetit të saj kriminal, ajo përbën në vetvete një bërthamë deshifrimi, për realitetin e kësaj lufte, sa të vështirë aq edhe të përgjakshme në këtë trevë.
Qazim Fetah Çepele ishte një nga burrat më të njohur të fisit Çepele që banonin në Jagodinën e sipërme dhe së bashku me kushëririn e tij, Ali Brahim Çepele, përbënin familjet më të pasura e në gjendje më të mirë ekonomike në fshat. Ai kishte në pronësi 40 ha. tokë pjellore dhe dy familje bujqish që punonin në pronat e tij, në Jagodinë dhe Xhangarrez. Jagodina e sipërme është e njohur për angazhimin e saj në rezistencën antifashiste që në fillimet e vitit 1942, kur djali i Aliut, liceisti Tofik Çepele, e braktisi shkollën dhe u mor me organizimin e lëvizjes antifashiste në vendlindje. Pjesë e këtij kontributi, është edhe krijimi i organizatës së partisë komuniste në Roskovec. Fal ndikimit të djaloshit liceist, burrat e Jagodinës u mblodhën në shtëpinë e Qazimit, vunë një kuran dhe një kobure para tyre dhe u betuan të gjithë, një nga një, duke vënë njërën dorë mbi armë e tjetrën mbi librin e shenjtë, për tu angazhuar me të gjitha forcat në lëvizjen antifashiste dhe për të qenë besnik të saj deri në vdekje. Pas këtij betimi, me forcat partizane u rreshtuan disa djem të këtij fisi, midis të cilëve edhe Rizai, vëllai i Qazimit, së bashku me Sali Çepelen, kushëririn e tyre. Një tjetër kushëri i Qazimit, Jashari u zgjodh Kryetar i KANÇ – it të dy fshatrave; Jagodinës së sipërme e njohur si Jagodina myslimane dhe Jagodina e poshme e njohur si Jagodina krishtere. Duke qenë nën presionin e ashpër të reaksionit, Jashari nuk shfaqej publikisht me detyrën e ngarkuar, por ndërkohë, punonte ngushtë me kryeplakun e fshatit, Qazimin.
Në operacionin e dimrit 1943 -1944, Asim Xhindole u bë pjesë e opertacioneve kundër Mallakastrës së Sipërme, ndërsa në mars të vitit 1944, vërshoi në fshatrat e Myzeqesë, kryesisht përgjatë bregut të lumit Seman për të rekrutuar forca të reja. “Në Kallm, – thuhet në Historikun e LANÇ – it, rrethit Fier, – Asim Xhindole ishte bërë tmerr për popullin, duke vjedhur, vrarë e grabitur.”Pas Kallmit, shkoi në Jagodinë, thirri kryeplakun, Qazim Çepelen dhe i bëri presion për ti siguruar forca të reja, ndryshe do të digjte fshatin. Kryeplaku për të shmangur terrorin rekrutoi 6 djem, si Jashar Rrapo, Braçe Kapo, Rexhep Kapo etj. dhe i nisi në radhët e çetës balliste. Por, kur ky fakt u raportua në komandën partizane, u prit prej tyre me dëshpërim, pasi dy Jagodinat njiheshin pro komuniste. Veleshnja i dërgoi një letër Jasharit ku i kërkonte të bënin çmos për të tërhequr përsëri të gjashtë djemtë nga çeta e Xhindoles dhe të kalonin në radhët partizane. Ishte i njohur fakti se shpesh, kur forcat luftarake ndodheshin në afërsi të fshatrave të tyre, ushtarët shkëputeshin pjesë – pjesë dhe shkonin në shtëpi për tu larë e furnizuar me ushqime e veshmbathje. Jashari u konsultua me Qazimin për urdhërin e marë dhe kryeplaku shkruajti një letër, ku ju kërkonte djemve të shkëputeshin në fundjavë me pretekstin për tu larë dhe furnizuar me ushqime dhe, të nesërmen të shkonin në Kurjan ku i prisnin forcat partizane. Thirrën kaçatorin e fshatit Ali Shume dhe e nisën në Kallm, afër konakëve të Malo Buzit ku ishin fushuar forcat e Xhindoles. Të gjashtë djemtë erdhën në shtëpi në fundjavë dhe të nesërmen herët ikën së bashku në Kurjan. Kjo ishte fitore për forcat partizane por, për Asim Xhindolen ishte një fyerje e rëndë dhe ai u hodh menjëherë në veprim hakmarrës. Të nesërmen në mëngjes herët, vërshoi me çetën e tij në dy Jagodinat, rrëmbeu Qazimin dhe Jasharin, i lidhi së bashku për krahësh dhe i mori me vete. Sipas kujtimeve të njohura e të trasmetuara edhe ndër banorët e sotëm të kësaj zone, ai rrëmbeu me dhunë edhe 50 burra të tjerë, i grumbulloi e i vuri përpara, në drejtim të Fierit. Qellimi ishte të largohej nga fshati nga frika e konfliktit me forcat partizane dhe për çdo të papritur, të ndihmohej nga çeta balliste e Rexhep Kosovës, një tjetër eksponent që vepronte në zonën e Myzeqesë, me të cilin kishte lën të takohej në fshatin Metalli.
Në Metalli u zhvillua edhe gjyqi i hakmarrjes ndaj kryeplakut të fshatit Qazim Çepele.
– Ti Qazim m’i hoqe ushtarët e i çove te partizanët? – Ju drejtua me hakërrim Asimi.
– Partizanët kan komandën e tyre, – ju përgjegj Qazimi, – shko dhe arresto ata, jo mua!
Por sakaq, ende pa mbaruar përgjigjen, Asimi i zbrazi mbi trup gjithë karikatorin e pistoletës, duke lën brenda saj vetëm një fishek. Qazimi u shëmb përdhe i vdekur duke tërhequr pas vetes edhe Jasharin nga dora e lidhur. Pastaj Asimi, po me atë hakërrim, ju drejtua Jasharit, i cili rrinte përkulur mbi Qazimin.
– Kur erdhën ushtarët e mi të arrestonin, ti e hëngre letrën që kishe mar nga Zylyftar Veleshnja, apo jo Jashar?
– Kur erdhën ushtarët e tu unë dola në derë me rroba gjumi, – tha Jashari, – nuk kam patur as letër dhe as nuk dija se kush po trokiste.
– Ju të dy mi hoqët ushtarët nga fronti, juuuu!…, – Ulëriti Xhindole dhe ja ngjeshi tytën e nxehtë të armës në ball.
Por, sakaq, ndaloi një moment dhe, si për të siguruar opinionin e gjithë të pranishmëve për vërtetësinë e akuzave të tij, ju drejtua kaçatorit të fshatit.
– Ali, – thuaje ti këtu faqe burrash, kush mi hoqi ushtarët nga fronti, ky apo Qazimi?
Ali Shume hodhi sytë mbi kufomën e Qazimit të mbytur në gjakun e mpiksur, pa nga Jashari që rrinte përkulur mbi të dhe duke menduar se fjala e tij do të shpëtonte një jetë, foli:
– Qazimi bej!
– Atëherë plumbin tënd po ja jap Qazimit, – shfryu Asimi dhe gjuajti sërish mbi kufomën e shtrirë para këmbëve të tij.
Mbas tmerrit të asaj dite, burrat e rrëmbyer u lan të lirë. Pasi u larguan forcat balliste, përgatitën një vig provizor, morën trupin e Qazimit dhe u nisën në drejtim të fshatit. Por ndryshe nga tradita, nga frika e përdhunimit të mëtejshëm të kufomës, shkuan në Xhangarrez, në pronat e tij dhe atje e bën varrimin. Heshtur dhe në mënyrë të fshehtë të mos dihej as varri nga frika e dhunimit të tij të mëvonshëm.
Ngjarja është sa dramatike aq edhe befasuese nga fakti se për këtë rast trimërie të kryeplakut dhe për vrasjen e tij makabre, deri më sot, nuk ka patur asnjë jehonë. Përkundrazi, vetëm heshtje dhe harrim. Është e trisht të mendosh se gjaku i Qazimit, i derdhur nga plumbat e komandantit të Ballit, publikisht para burrave të këtij fshati në çastet më të egra të terrorit ballist, u la të humbiste në baltovinat e mentaliteteve primitive të kohës, pa u respektuar e pa u nderuar nga të gjallët. Ky martir, me aktin e tij sublim, në funksion të LANÇ-it, ka meritën të ishte shpallur prej kohësh dëshmor i atdheut. Por nuk u shpall, as në kohën e socializmit dhe as më vonë. Në periudhën e socializmit, emri dhe akti heroik i Qazimit u “rrëmbye” nga ndodhitë e fisit Çepele dhe u mbajtën peng prej tyre. Tregëtari Ali Çepele dhe djemtë e tij u dënuan me sekuestrim pasurie dhe burgime shumvjeçare të karakterit politik. Ndërsa Jashar Çepele, ish kryetari KANÇ-it, me trup të spërkatur nga gjaku i Qazimit, u akuzua pa të drejtë se kishte strehuar për nji natë në shtëpinë e tij Hamit Matjanin dhe u dënua dy vjet me burgim, të cilin e kreu në burgun e Beratit. Gjithë jetën fisi Çepele, kishin mbi kokë hijen e kësaj anateme politike dhe gojët e liga gatuanin çorbën e pështirë të thashethemeve. Nga ky shkak, çdo meritë e tyre e dhënë gjatë Luftës, u fashit, u hesht e u mënjanua. Madje as në historikët e fshatrave të hartuara në vitin 1976,nuk është guxuar të shkruhej për këtë akt, megjithëse ishte i njohur prej të gjithëve. Sipas shënimeve të lëna nga ish kryetari i lokalitetit Roskovec, Feçorr Rama, në periudhën kur ai e ushtronte këtë detyrë, nga Komiteti Partisë Fier, u dërgua një inspektor për të kryer sondazh në teren për aktivitetin e Qazimit, me qellim dhënien e titullit “Dëshmor i atdheut.”Feçorri e takoi me Jashar Çepelen , lidhja e të cilit me ngjarjen ishte botërisht e njohur dhe inspektori, pasi u informua hollësisht me shkakun dhe momentin e vrasjes, bëri pyetjen:
– Jashar, si thua ti, a e meriton Qazimi titullin “Dëshmor i atdheut”? Jashari që “kishte prerë gojën” që kur kishte dalë nga burgu, iu përgjigj shkurt:
– Atë e di partia shoku inspektor!
Dhe Partia sërish heshti. Inisiativa e saj u ftohë, dosja e inspektorit u la mënjanë dhe emri i Qazimit u vesh sërish me ndryshkun e harrimit. Kjo ishte vrasja e dytë e Kryeplakut të Jagodinës dhe njëherazi, akt nënvlerësimi për vlerat patriotike të trevës së Roskovecit.
Mbas tranzicionit demokratik të vendit, zërat për rigjallërimin dhe vlerësimin e figurave të anatemuara, u kanalizuan kryesisht tek të gjallët, tek ata që kishin vuajtur nëpër burgjet politike të diktaturës. Por sërish, në zonën e Roskovecit u lan në harresë, një pjesë e emrave të LANÇ-it, midis të cilëve edhe emri i Qazim Çepeles. Kjo është vrasja e tretë e kryeplakut të Jagodinës dhe njëherazi akt nënvlerësimi për vlerat patriotike dhe për gjakun e derdhur të kësaj treve. Mungesa e një nderimi të tillë përbën mëkat social dhe thirrje për korigjim. Më mirë vonë se kurrë, thot populli dhe kjo thënie duhet të jet ngushëllim dhe arësye për brezat e sotëm dhe për instucionet e sotme të pushtetit vendor e qendror, për ti dhënë përgjigje përfundimtare asaj pyetjes së dikurshme të inspektorit të partisë në Fier, të mbetur pezull për dhjetra vjet: A e meriton titullin “Dëshmor i atdheut” Qazim Çepele, i vrarë para 50 burrave të Jagodinës me plumb në ballë nga vetë dora e komandantit të çetës balliste, Asim Xhindole?